Kulturë

Orkestra Frymore në tinguj feste që kulmojnë me “Vallet ilire”

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës

Atelieja e Pallatit të Rinisë, që ka marrë ngjyrat kuqezi, ka qenë e mbushur plot. Kësaj here frymorët u kanë dhënë tinguj instrumenteve për programin që fillon me Beethovenin romantik dhe vazhdon me vepra bashkëkohore. Atmosfera festive e qytetit për Ditën e Flamurit është bashkuar me ritmet e muzikës klasike brenda (Foto: Enes Sahiti)

Uvertura me Beethovenin, futja në lojë e gajdes interpretuar mjeshtërisht prej Stefan Merciecas, kanë qenë shenjat e para për frymën festive të koncertit të Orkestrës Frymore të Filharmonisë së Kosovës në koncertin e së enjtes mbrëma, në Ditën e Flamurit. Ka qenë një shëtitje periudhash deri te kulmimi me “Vallet ilire” të kompozitorit anglez Guy Woolfenden, interpretuar premierë në koncertin nën dirigjimin e mjeshtrit skocezo-italian Dario Salvi

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës nën udhëheqjen e mjeshtrit skocezo-italian, Dario Salvi, ka sjellë program unik në kapitullin e radhës. Kanë qenë vepra që nisin me epokën e Romantizmit, duke kaluar te bashkëkohoret e ato që ngërthejnë tradicionalen. 

Një pjesë e veprave solemne ndërlidhen me Festën e Flamurit, me të cilin ka përkuar koncerti. Veçanti ka qenë loja e gajdes tok me Orkestrën, e koncerti ka kulmuar me “Vallet ilire” të kompozitorit anglez Guy Woolfenden. 

Atelieja e Pallatit të Rinisë, që ka marrë ngjyrat kuqezi, ka qenë e mbushur plot. Kësaj here frymorët u kanë dhënë tinguj instrumenteve për programin që fillon me Beethovenin romantik dhe vazhdon me vepra bashkëkohore. Atmosfera festive e qytetit për Ditën e Flamurit është bashkuar me ritmet e muzikës klasike brenda. 

Koncerti ka nisur me “March no.1 in F-dur – Yorckscher” nga Beethoven. Ka qenë pjesë solemne si uverturë e koncertit me një ansambël më të vogël instrumentesh. “In a Monastery Garden” nga Albert Ketelbey bashkë me Korin e Meshkujve të Filharmonisë së Kosovës ka qenë me ngjyra liturgjike. Pjesëmarrja e saksofonëve në orkestër e ka bërë të veçantë jo veç këtë vepër, por gjithë koncertin. 
Sapo Kori ka dalë nga skena, nga dera e sallës është dëgjuar zëri i gajdes. Hyrja e gajdexhiut maltez Stefan Mercieca deri në skenë duke luajtur ka qenë si intro. 

Menjëherë ka nisur të interpretojë veprën “The Gael” nga cikli i veprave të “The last of the Mohicans” nga Trevor Jones. Orkestra i ka paraprirë me një hyrje melankolike të thellë. Krejt këtë natyrë e ka përmbysur gajdja kur ka nisur të vërë ngjyra mbi tingullin e ansamblit të frymorëve. Ai ka sjellë edhe veprat “I dreamed a dream from Les Miserables” nga Claude-Michel Schonberg dhe “Edingburgh castle” nga Duncar R. Beat. 

Maltezi Mercieca ka thënë se hyrjen e daljen nga skena i ka bërë duke interpretuar pjesën tradicionale “Field of gold”. 
“Është muzikë tradicionale klasike skoceze. U kthyem njëqind vjet pas. Është vepër që po vdes fatkeqësisht. Jam munduar ta prezantoj këtë vepër të cilën e kam dëgjuar rreth dy vjet më parë, e kam studiuar dhe jam i lumtur që e kam interpretuar në Prishtinë”, ka thënë ai.

Ka bërë të ditur se instrumenti i gajdes nuk është shumë i pasur me melodi, por se Orkestra e ka pasuruar me ngjyra muzikore. 

Sapo Korin e Meshkujve të Filharmonisë ka dalë nga skena, nga dera e sallës është dëgjuar zëri i gajdes. Hyrja e gajdexhiut maltez Stefan Mercieca deri në skenë duke luajtur, ka qenë si intro (Foto: Enes Sahiti)

“Është një instrument për të cilin duhet të kesh pasion për ta luajtur. Ai funksionon në atë mënyrë që ti i jep frymë, e shtyp dhe tingulli vjen. Sa iu përket melodive janë shumë të limituara pasi është instrument njëoktavësh, nuk është si klarineta që mund t’i ketë tri të tilla, por ka vetëm një dhe nëntë nota, nëntë vrima. Por së bashku me Orkestrën kemi adaptuar meloditë”, ka thënë Mercieca, gajdexhi me përvojë dhe ish-rreshter i Policisë në Forcën Policore të Maltës. 

Bëhet e ditur se Mercieca filloi të luante në gajde në vitin 2006 si pjesë e Bandës së Forcave të Policisë së Maltës, ku talenti dhe përkushtimi i tij u dalluan përnjëherësh. Në vitin 2008, ai u emërua udhëheqës i seksionit të gajdeve, një rol në të cilin ai demonstroi vetitë prej lideri dhe muzikanti të jashtëzakonshëm. Përveç punës së tij me Bandën e Forcave të Policisë së Maltës, Mercieca është gjithashtu anëtar i ansamblit “Wallace Pipes & Drums Malta”. 

Ka performuar në ngjarje të shumta prestigjioze dhe festivale të muzikës ushtarake, duke përfshirë edhe festivalin prestigjioz “Basel Tattoo” në Zvicër. Pikat kryesore të karrierës së Merciecas përfshijnë paraqitjen e tij së bashku me maestron me famë botërore André Rieu gjatë një koncerti të mbajtur në Maltë, si dhe prezantimet nën dirigjimin e maestros Dario Salvi që e ka dirigjuar edhe koncertin në Prishtinë ku ai ka interpretuar si solist.

Dirigjenti Dario Salvi ka thënë se ideja e përfshirjes së gajdes në Prishtinë ka qenë që të sillet diçka e re, por edhe të prezantohet instrumenti në një formë ndryshe nga ç’ndodh në Britani të Madhe. 

“Gajdja është instrument tradicional i Skocisë që është bërë i njohur në gjithë botën. Në fakt, të gjitha vendet e Mbretërisë së Bashkuar e përdorin. Donim ta dëgjonim këtu pasi në Britani e dëgjojmë shpesh me orkestra ushtarake, por me orkestër frymore krijon melodi shumë të bukura, të fuqishme, shumë dramatike”, ka thënë ai. 

Pikë e veçantë ka qenë kur Orkestra Frymore nën udhëheqjen e dirigjentit Dario Salvi ka sjellë veprën “Illyrian Dances” (Vallet ilire) të kompozitorit anglez Guy Woolfenden. 

Vepra nis duke transmetuar energji tejet harmonike e argëtuese. Që në hyrje elementet folklorike përfaqësohen nga daullet, instrument tradicional edhe sot në trevat e pasardhësve të ilirëve.

Ndërhyrja e ksilofonit në lojën e frymorëve i bën jashtëzakonisht atraktive e të bukura meloditë. Krijohet ideja e dialogut midis dy palëve kur struktura e partiturës ndërtohet duke lënë hapësirë për lojë solo herë ansamblit të frymorëve e herë ksilofonit. 

Kur kulmon, gjen hapësirë për një lundrim në tinguj të lehtë. Aty nis kapitulli i dytë i veprës. Romantike është pjesa “Aubade” me lojë delikate të flauteve e më pas klarinetave, nën përcjellje të tupanëve. Aty krijohet një atmosferë melankolike. Tre goditje në daullen e dorës shënojnë një dinamikë të shkurtër. 
Rrahjet ritmike të tupanëve shënojnë hapjen e pjesës së fundit “Gigue” e temat e flauteve nisin të përsëriten edhe në këtë pjesë. Bashkë me të edhe pjesa qendrore e veprës që ishte prezantuar në fillim. Por kësaj here merr më shumë zemër nga krejt formacioni. Instrumentet e tunxhit e marrin në dorë në pjesën e fundit duke e dominuar pozitën e tyre me melodi në vepër. Meloditë e bukura të ksilofonit e zbusin, grupi i flauteve e bën përrallor, krejt bashkë luajnë në një vijë tinguj të lehtë për ta shënuar mbylljen në një formë solemne. Në përgjithësi ajo është madhështore dhe e gjallë. Bëhet e ditur se është e bazuar në kërcim barok francez. 

Vepra rreth njëmbëdhjetëminutëshe me tri pjesë qe luajtur së pari herë në shtator të vitit 1986 në universitetin “Warwick” në Britani të Madhe.

Për “Illyrian Dances” (Vallet ilire) autori është frymëzuar nga komedia  “Nata e dymbëdhjetë” e Shakespeareit, ngjarje të cilat vendosen në Iliri. 

“Me ekipin po flisnim se çfarë mund të bëjmë për të prezantuar traditën shqiptare, ilire, dardane. E gjetëm këtë vepër të cilën kur e dëgjuam menduam se ishte shumë e bukur. Është shumë sfiduese për instrumentistët, punuam shumë për ta bërë të tingëllojë siç duhet”, ka thënë dirigjenti Dario Salvi kur ka folur për “Vallet ilire” të Guy Woolfendenit (Foto: Enes Sahiti)

Guy Woolfenden ka kompozuar më shumë se 150 partitura për “Royal Shakespeare Company”, ku ai ishte shef i muzikës për 37 vjet. Ai shkroi muzikë për film, radio, televizion, si dhe kompozoi tre muzikalë dhe një operë për fëmijë. 

Si dirigjent, Guy ka punuar me shumë nga orkestrat kryesore simfonike britanike. Puna e tij operistike përfshinte tri produksione me Operën Skoceze dhe atë në Londër. Vdiq në vitin 2016 në moshën 78-vjeçare.

“Vendndodhja e saktë e Ilirisë nuk ishte e rëndësishme për Shakespearein. Ajo që e emocionoi ishte rezonanca e vetë fjalës dhe romanca e të gjitha vendeve të largëta. Më ka intriguar ideja për zhvillimin e vallëzimeve për një vend që dikur ka ekzistuar”, kishte shkruar Guy Woolfenden për veprën. 

Këtë vepër, dirigjenti Dario Salvi e ka vlerësuar shumë të bukur për nga ana muzikore, por shumë sfiduese për instrumentistët. 

“Me ekipin po flisnim se çfarë mund të bëjmë për të prezantuar traditën shqiptare, ilire, dardane. E gjetëm këtë vepër të cilën kur e dëgjuam menduam se ishte shumë e bukur. Është shumë sfiduese për instrumentistët, punuam shumë për ta bërë të tingëllojë siç duhet. Mendoj se ishte performanca më e mirë që kemi pasur qysh prej kur filluam të punojmë së bashku e deri më tash. Mbase do ta mbajmë në repertor, sepse prezanton kulturën ilire, që është shumë gjë e mirë”, ka thënë Salvi, dirigjent i respektuar me një repertor të gjerë veprash. 

Është laureat i çmimit të globit të artë “Riccardo Drigo” për muzikë baleti në vitin 2023 dhe i nominuar për Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike për incizimin premierë të “waldmeister” nga Johann Strauss për labelin “Naxos” në vitin 2022. Ka dirigjuar shumë orkestra në të gjithë botën, duke përfshirë Orkestrën Filarmonike të Maltës, Orkestrën Filarmonike Janáček, Orkestrën Kamerale Çeke, Operën e Malmös, Operën Shtetërore të Ruses (Bullgari), Orkestrën dhe Korin e Filharmonisë së Sofjes, Filharmoninë Karlsbad, Filharmoninë e Pragës PKF, Filharmoninë Preussische Neue Berlin, Orkestrën Filharmonike të Maltës e Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. 

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se koncerti është konceptuar në mënyrë që të sfidohet e të prezantohet Orkestra Frymore. Pikë të veçantë e ka konsideruar veprën “Vallet ilire”. 

“Koncerti i sontem është një program të cilin e kemi menduar gjatë sesi duhet konceptuar për ta sfiduar Orkestrën Frymore, e cila jo gjithmonë paraqitet e veçantë, por në programe simfonike. Një program festiv që përkon me Festën e Flamurit por jo gjithmonë e konceptuar në atë formë që të ketë tematikën e muzikës shqiptare e cila do të mund të interpretohej në data të tilla. Një prej pikave të rëndësishme të programit ka qenë ‘Vallet ilire’ të cilat janë interpretuar premierë në Kosovë”, ka thënë Selimaj. 

E ka konsideruar risi e freski për publikun një instrument jo shumë të dëgjuar, siç është gajdja. 
“Meqë kemi menduar t’i japim ngjyra feste, me propozimin e dirigjentit Salvi për ta sjellë një gajdexhi si pjesë të programit, kemi menduar se do të ishte risi e freski për publikun, meqë nuk është se kemi mundësi ta dëgjojmë si tingull në mesin tonë. Për më tepër, nën shoqërinë e një orkestre frymore a në një program të Filharmonisë”, ka thënë ai. 

Në fund, Orkestra Frymore nën udhëheqjen e Dario Salvit ka interpretuar veprën “Suitë Nr.2 për orkestër ushtarake në Es-dur, op.28” nga Gustav Holst me pjesët e saj “Chaconne”, “Intermezzo” dhe “March”, si dhe “Suitë Nr.2 për orkestër ushtarake në F-dur, op.28” me pjesët “March”, “Song without words (I’ll love my love)”, “Song of the Blacksmith” dhe “Fantasia on the ‘Dargason’”. Koncerti është mbyllur me veprën “In a persian market” të Albert Ketelbey. 

Orkestra Frymore, po nën drejtimin e Salvit rrugëton për në Prizren në koncertin e radhës më 30 nëntor.