Muzika bashkëkohore me stil minimalist, për çka njihet kompozitori Philip Glass, e ka sjellë Orkestrën në dimension më të veçantë nga ç‘ngjan zakonisht. Me dirigjentin Gregory Charette dhe violinistin Maximilian Haft nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është sjellë tradita muzikore amerikane. Janë siguruar që veprat e Glass bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës të luhen në përsosmëri absolute
Veprat e një prej muzikantëve më me ndikim të shekullit të kaluar dhe të tanishmit, amerikani Philip Glass, kanë qenë kryefjala e koncertit të radhës së Filharmonisë së Kosovës. Muzika bashkëkohore me stil minimalist, për çka njihet kompozitori, e ka sjell Orkestrën në dimension më të veçantë nga ç‘ngjan zakonisht. Me dirigjentin Gregory Charette dhe violinistin Maximilian Haft nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është sjellë tradita muzikore amerikane.
Jo rastësisht koncertin e ka drejtuar Charette dhe solist në violinë është zgjedhur belgo-amerikani Haft. Janë siguruar që veprat e Glass, bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës të luhen në përsosmëri absolute.
Koncerti nisi me “Koncertin për violinë nr.2 – Katër stinët amerikane” të kompozitorit ikonik. Vepra nis me “Prologue” me lojën e solistit e më pas bashkohen edhe violinat. Kur krejt bashkohen në “Movement 1”, konsistenca e tingujve të një pjese të harkorëve është e palëkundur. Pjesëmarrja e dukshme e kontrabasëve dhe roli i tyre në vepër është veçanti.
Pjesët e tjera të veprës kompozitori i ka emërtuar në bazë të strukturës si: “Song 1”, “Movement 2”, “Song 2”, “Movement 3”, “Song 3” dhe “Movement 4”, sipas renditjes.
Secila kohë fillon me lojën e gjatë të solistit Haft si intro e pjesëve. Koha e dytë vazhdon e pashkëputur nga e para, veçse dallohet me shkëputjen e Orkestrës nga solisti. Kësaj here vjen me tone më melankolike. Kur pjesa tjetër e instrumentistëve bashkohet, vjen një natyrë e errët, ndërsa solisti vazhdon të mbivendosë tinguj emocionues mbi shtresën e ansamblit të tingujve. Ata janë hipnotizues, krejt instrumentet janë në një linjë, të pashkëputura. Në disa pjesë solisti inicion gjallërinë e përkohshme jetëshkurtër.
Edhe në kohën e tretë pjesa solistike vjen si përmbledhje a shpjegim se çfarë do të pasojë. Është lojë më e gjatë dhe e tillë e me plot nuanca tingujsh ka ngjarë komplet pjesa e veprës. Është më atraktive e dramatike, ndërsa e fundit dramatike e dinamike.
Dirigjenti amerikan Gregory Charette ka thënë se kompozitori Glass është frymëzuar në “Katër stinët” e Vivaldit për këtë vepër.
“Është e bazuar në muzikën e Vivaldit. Çdo kohë është e bazuar në stinë. Frymëzimi qendror për instrumentalin që përdor është vepra ‘Katër stinët’, por në vend të një harpsikord, ai përdor një sint për të sjellë ritmet e popit modern. Janë të dyja bashkë, instrumentet dhe struktura”, është shprehur ai.
E ka vlerësuar të nevojshme interpretimin e veprave bashkëkohore klasike si për publikun, veçmas edhe për zhvillimin e Orkestrës.
“Orkestrat në Amerikë dhe në Evropë një herë në muaj kanë koncerte me muzikë klasike bashkëkohore, por kjo jo gjithmonë ndodh në Prishtinë, sepse Orkestra është duke u ndërtuar ende, po bëhet më e mirë secilën herë, kështu që menduam se pse të mos e shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta bëjmë një koncert me muzikë klasike bashkëkohore. Philip Glass nuk është kompozitori më sfidues, është minimalist, njerëzit kënaqen me të, sidomos ata që nuk e adhurojnë shumë muzikën klasike”, ka thënë dirigjenti Charette.
Ai është dirigjent dhe kurator programesh i përkushtuar në interpretimin dhe promovimin e muzikës së re. Charette është dirigjent kryesor i “Orkestr de Ereprijs” në Holandë dhe dirigjent i shpeshtë në Filharmoninë e Kosovës. Gjithashtu është ligjërues dhe dirigjent i Ansamblit akademik të Konservatorit Mbretëror të Hagës.
Ai e vlerëson audiencën e Filharmonisë së Kosovës për të rinjtë që ndjekin koncertet.
“Vij në Prishtinë për të dirigjuar Orkestrën që nga viti 2016, dhjetë vjet gati, dhe është gjithmonë gjë fantastike të kthehesh në këtë qytet me energji vibrante ku publiku është i përgjegjshëm dhe ka shumë të rinj në audiencë, gjë që mendoj se është e mahnitshme dhe shumë ndryshe nga vendet e Evropës Perëndimore, ku kryesisht njerëz të moshuar ka në koncerte me muzikë klasike”, është shprehur ai.
Audienca në Prishtinë ka qenë më e ngrohta që mban mend për shumë vjet violinisti Maximilian Haft, me origjinë nga Belgjika, por që jeton e vepron në Shtetet e Bashkuara. Në Prishtinë ka ardhur për herë të parë, pikërisht për të interpretuar “Katër stinët amerikane” të Glass, për të cilën vepër thotë se është shumë domethënëse për të.
“Ishte kënaqësi absolute të luaja këtë vepër që ka domethënie të madhe për mua. Unë jam amerikan, sikurse edhe belg, por jam rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke dëgjuar veprat e Philip Glass, ai është frymëzim për mua. Vjen nga një traditë rocku dhe klasike. Kjo është arsyeja pse më pëlqen ta luaj, kënaqem duke e luajtur si dhe titulli ‘Katër stinët’ në anglisht vërtet rezonon me mua”, ka thënë Haft.
Derisa ka folur për veprën, ka përmendur ngjashmëritë me “Katër stinët” e Vivaldit.
“Mendoj se Philip Glass erdhi me idenë për të krijuar një ‘concerto grosso’ pa frymorë, vetëm me harqe. Njëjtë ngjan edhe me ‘Katër Stinët’ e Vivaldit ku është gjithashtu harpsikordi, ndërsa Glass përfshin sint. Mendoj se ishte frymëzuar shumë nga kjo vepër”, ka thënë Haft, specialist në muzikën bashkëkohore për violinë solo, muzikë kamertale, si dhe në improvizimin e lirë.
Ai ka performuar në skena të mëdha dhe ambiente intime nëpër Evropë, Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe Lindjen e Mesme, në koncerte formale, kontekste teatrale dhe instalacione hapësinore. Si solist ka interpretuar dhe realizuar premiera të koncerteve bashkëkohore për violinë me Orkestrën Simfonike Veriore të Holandës, “Ensemble Contrechamps”, Orkestrën Kamerale të Gjenevës e shumë të tjera. Është violinist kryesor i “Ensemble Contrechamps” që nga viti 2015 dhe është një nga themeluesit e “Ensemble Proton Bern”, dy institucione të muzikës së re, të cilat veprojnë në Zvicër.
“Katër stinët amerikane” pati premierën botërore në Toronto më 9 dhjetor të vitit 2009, me solist violinistin Robert McDuffie, për të cilin u kompozua vepra, nën interpretimin e Orkestrës Simfonike të Torontos, nën dirigjimin e kanadezo-amerikanit Peter Oundjian. Në Evropë për herë të parë u luajt në Londër më 17 prill 2010, me violinistin McDuffie dhe Orkestrën Filharmonike të Londrës me dirigjentin Marin Alsop. Vepra zgjat rreth 40 minuta.
Në pjesën e dytë të koncertit është interpretuar “Simfonia nr.1 – Low” e Glass e bazuar në tema muzikore nga David Bowie dhe Brian Eno.
Temat janë të shkurtra e të përsëritura nga frymorët e harkorët. Tingulli shkon duke ngritur tonin në kohën e parë “Subterraneans”. Perkusionet me vegla të ndryshme janë thelbësore në këtë pjesë. Koha e dytë “Some are” sjell lojë dramatike me ritme solemne, ndërsa koha e tretë “Warsawa” shfaq tone më të ulëta duke përshkruar një situatë më të trishtë.

Simfonia “Low” e kompozuar në vitin 1992 bazohet në albumin me të njëjtin emër nga David Bowie dhe Brian Eno të vitit 1977. Kompozitori Glass ka marrë tema nga tri prej instrumentaleve në album dhe duke i kombinuar me materialet e tij i ka përdorur si bazë të simfonisë së tij.
I konsideruar shpesh si një nga muzikantët më me ndikim të shekullit të 20 dhe 21, kompozitori amerikan Philip Glass është më i njohur për kompozimet e tij minimaliste.
Gjatë viteve ‘60 muzika e tij u përqendrua në proceset ritmike, duke eksploruar sasi të vogla të materialit muzikor të përdorur me përsëritje të gjera. Stili i ri muzikor që Glass po zhvillonte përfundimisht u quajt “minimalizëm”.
Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se programi është përzgjedhur pasi është e nevojshme të dëgjohet muzika e kompozitorit Glass.
“Koncerti i sontëm i Filharmonisë ka qenë autorial, nëse mund ta quaj, pasi i dedikohet një kompozitori jashtëzakonisht të rëndësishëm amerikan, përfaqësues i minimalizmit. Është një program që prej kohësh e kam menduar ta bëj pjesë të sezonit, nuk është program standard, por Philip Glass konsideroj që është një kompozitor që duhet të dëgjohet nga publiku i Prishtinës. Jo rastësisht përzgjedhja e dirigjentit dhe solistit ka qenë ajo që ishte, sepse të dy janë avokues të muzikës bashkëkohore dhe minimaliste”, ka thënë Selimaj.
Derisa ka folur për programin, të cilin e quan autorial, ka thënë se ka qenë krejtësisht premierë në Prishtinë.
“‘Koncerti për violinë nr. 2 i Philip Glass është një koncert që pata menduar ta programoja shumë vjet më përpara, por për një kohë të gjatë ai ka qenë i rezervuar vetëm për violinistin Robert McDuffie dhe tani nuk ekziston ajo ndalesë, sepse vepra është shkruar për të. Pjesa e dytë është Simfonia nr.1 e Philip Glass e bazuar mbi temat e albumit ‘Low’ të David Bowieit. Ne nuk kemi interpretuar asnjëherë më parë një simfoni të Philip Glass dhe i gjithë programi ka qenë premierë për ne”, ka thënë Selimaj më tej.
Pas koncertit si ilustrim i simfonisë “Low” ka qenë ndeja me muzikë të David Bowie.
“Publiku pasi ka përjetuar Simfoninë e Parë kemi menduar se do të ishte e rrugës që ne të rikthenim muzikën e David Bowiet mbi të cilën vepra është ndërtuar dhe burim të inspirimit që kjo Simfoni ka pasur”, është shprehur Selimaj.
Dirigjenti e kompozitori Rafet Rudi ka vlerësuar se koncerti ishte një shpalosje e shkurtër e një krijimtarie impozante të kompozitorit minimalist Philipp Glass, nga dy të rinj të talentuar dhe kompetentë si Maximilian Haft dhe Gregory Charette. Pas koncertit Rudi ka shkruar në Facebook se publiku ishte i disiplinuar si asnjëherë më parë. Ka kujtuar se pianisti e kompozitori Glass ka qenë pjesëmarrës fizikisht në festivalin “Kthimi” të organizuar në shtatorin e vitit 1999 me idenë e aktores Vanessa Redgrave. Asokohe programi muzikor ishte mbajtur në Shkup shkaku i pamundësisë në Prishtinë. Rudi ka kujtuar se asokohe kishte shkruar se Prishtina s’kishte një sallë të madhe e as piano adekuate.
“25 vjet më vonë ne kemi arritur vërtet të kemi një piano, por jo edhe një sallë koncertale”, ka shkruar ai.
Koncertin e radhës Filharmonia e Kosovës e zhvillon më 15 prill në “Autostrada Hangar” në Prizren, ku do të jetë e angazhuar Orkestra Frymore, ndërsa tri ditë më pas do të zhvillohet koncerti në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, për nder të 340-vjetorit të lindjes së Bachut.