Organizatorët e Eurovisionit kanë mbrojtur vendimin e tyre për ta diskualifikuar garuesin e Holandës vetëm disa orë para finales së madhe të shtunën. Ata kanë thënë se versioni i treguar nga pala holandeze “nuk korrespondon me deklaratat nga stafi dhe dëshmitarët”.
Këngëtari holandez Joost Klein u përjashtua nga gara në Malmo të Suedisë për shkak të një “incidenti” pas gjysmëfinales të së enjtes, ku përfshihej një grua nga stafi. Për këtë incident nuk janë dhënë informacione të tjera, përveç se është thënë se ka pasur mosmarrëveshje mes organizatorëve dhe transmetuesit holandez “Avrotros”.
Pasi përjashtimi i tij u konfirmua të shtunën, “Avrotros” ka thënë se ishte tronditur nga vendimi “joproporcional”, duke thënë se Klein as nuk e kishte prekur anëtaren e stafit.
“Kundër marrëveshjes së qartë, Joost u xhirua kur ai u largua nga skena dhe duhej të shkonte në prapaskenë. Në atë moment, Joost vazhdimisht tha se nuk donte të xhirohej. Kjo nuk u respektua”, ka thënë “Avrotros”.
Të martën, Unioni i Transmetuesve Evropianë (EBU) ka thënë se versioni i “Avrotrosit” nuk korrespondon me ato që janë thënë nga dëshmitarët dhe policinë suedeze.
“Sjellja e Joostit qartazi shkelte rregullat e garës, që janë të dizajnuara për të siguruar mjedis të sigurt për stafin dhe për të mbrojtur produksionin”, thuhet në deklaratën e EBU-s.
Kjo ishte hera e parë në historinë e Eurovisionit prej 68 vjetësh që një garues është diskualifikuar pas nisjes së garës.