Logoja e Fleta Barakut nga Kosova është shpallur fituese në konkursin e hapur nga MUS-E me seli në Bruksel, iniciativë e cila ka për qëllim promovimin e artit si formë edukimi e bashkëpunimi. E ka përzgjedhur logon e Barakut në nder të 30-vjetorit të themelimit. Në aktivitetet që kjo organizatë do të mbajë këtë verë do të bëhet edhe promovimi i logos.
Ka qenë viti 1991 kur dirigjenti e violinisti amerikano-britanik Yehudi Menuhin do të themelonte “Fondacionin Ndërkombëtar Yehudi Menuhin” me bazë në Bruksel. Përmes tij ai synonte të realizonte ëndrrën e tij të kahershme: “T’u jap zë të pazëve përmes artit’. Një fondacion i tillë shërbeu si themel i organizimit dhe zbatimit të një sërë projektesh e programesh me karakter socio-kulturor. Njëri prej tyre ishte MUS-E, themeluar vetëm dy vjet më vonë, më 1993. Ne web-faqen e kësaj organizate thuhet se Menuhin bazohet në një koncept edukimi muzikor të zhvilluar nga kompozitori e etnomuzikologu hungarez Zoltan Kodaly.
“Kodaly besonte se muzika duhet të jetë pjesë përbërëse e edukimit të përditshëm dhe e qasshme për të gjithë. Yehudi Menuhin e zgjeroi konceptin për t’i përfshirë të gjitha artet krijuese, ku përfshihen edhe të gjitha kulturat. Që nga viti 1993, organizata MUS-E ka krijuar përvojë të bollshme në zbatimin e përdorimit të arteve krijuese në kurrikulat tradicionale të shkollave fillore, duke punuar veçanërisht me fëmijët që nuk gëzojnë shumë mundësi”, shkruhet aty.
E që nga viti 2010, kjo organizatë vepron edhe në Kosovë. Përmes projektit “Arti nëpër shkolla” të MES-E kanë pasur mundësi të përfitojnë shkolla të ndryshme të Kosovës. Në janarin e sivjetmë MUS-E kishte hapur një konkurs për logon e tridhjetëvjetorit të saj. Kishin aplikuar artistë nga Italia, Gjermania, Zvicra e Hungaria. Nga përfaqësuesit e 12 shtete të Evropës ku MUS-E operon, fituese e këtij konkursi ishte shpallur Fleta Baraku. Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë Baraku. Në një prononcim për KOHËN, Baraku është shprehur e lumtur që logoja e saj do të promovohet nga një organizatë si kjo.

“Është nder dhe privilegj që në mesin e shumë artistëve nga shumë vende të botës, propozimi im për logon e 30-vjetorit të MUS-E të zgjidhet fitues. MUS-E është rrjet i organizatave në mbi 13 vende të botës, me seli qendrore në Bruksel. Përmes MUS-E promovojnë artin si formë edukimi të mirëfilltë duke u ndihmuar të rinjve të jenë më kreativë, të suksesshëm dhe të promovojnë diversitetin dhe tolerancën në komunitet”, ka thënë ajo.
Koordinatori nacional i “MUS-E Kosova”, Dardan Kryeziu, ka thënë se një gjë e tillë dëshmon kreativitetin, pavarësisht se Kosova është shtet i vogël.
“Ka qenë privilegj për ne që si shteti më i vogël në krahasim me shtetet e tjera evropiane të fitojmë me logon tonë. Kjo ka treguar që ne kemi artistë të talentuar. Ne si ‘MUS-E Kosova’ jemi organizata më e vogël në krahasim me shtetet e tjera, por kemi treguar se dimë të jemi kreativë”, ka thënë ai.
Në mënyrë simbolike logoja tenton të shpërfaqë larushinë e programeve të kësaj organizate. Fakti që kjo vepër është përzgjedhur nga një organizatë, për artisten ka domethënie të madhe.
“Përmes logos kam pasur qëllim që të theksoj diversitetin e programeve të MUS-E dhe vlerat që ka ndarë përmes punës disavjeçare. Vlerësimi i punës sime artistike në nivel ndërkombëtar është pa dyshim arritje e madhe profesionale që çdo artist synon. Aq më tepër që puna ime është vlerësuar nga një panel artistësh ndërkombëtarë dhe në një konkurrencë të madhe, për një organizatë që promovon artin në mbarë botën”, ka thënë ajo.
Në nder të 30-vjetorit të themelimit, gjatë kësaj vere MUS-E do të organizojë një sërë aktivitetesh. Prej 25-27 gusht do të mbajë disa konferenca dhe një organizim i cili pritet të mbahet në Gstaade të Zvicrës, aty ku kishte filluar për herë të parë programi. Ndër të tjera, do të bëhet edhe promovimi i logos së Barakut. Një gjë e tillë, sipas saj, do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e saj profesional.
“Profesionalisht kjo më ndihmon që të zgjerohem në tregun ndërkombëtar. Po ashtu, në fund të gushtit do të bëhet promovimi i logos në konferencën e organizuar nga MUS-E për përvjetorin e 30-të. Aty kam një mundësi të mirë që të promovohem si artiste në një rrjet artistesh nga mbarë bota”, ka thënë ajo.
Fleta Baraku ka përfunduar studimet master për dizajn grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Për disa vjet ka punuar edhe si ilustratore në OSCE në Hagë, si dhe kohë pas kohe punon konsulente për vizibilitet në projekte të BE-së. Ka punuar edhe logo të tjera për kompani të ndryshme vendore si: “Arabella”, “Kantina Isak”, “ArtWood” e të tjera. Aktualisht punon në “Platforma CiviKos” për komunikim dhe informim.