Mjeshtri nuk është aty, por një cingërimë telefoni nga nipi i tij bën që ai të vijë brenda pak minutash në dyqanin e tij, në Çarshinë e Madhe të Gjakovës. Imer Neziri është ndër orëndreqësit e paktë që kanë mbetur në Gjakovë. Zanatin e ka mësuar nga xhaxhallarët e babait të tij, e tash ai ia mëson djalit të vëllait të tij.
Neziri, tash gati 65-vjeçar, thotë se në veprimtarinë e tij prej zanatliu ka mbledhur shumë sekrete. Është i interesuar që dijen e akumuluar ta japë falas, thotë se ajo që është fituar në këtë botë duhet të mbetet këtu. E punën e ka nisur që kur ka qenë 12 vjeç.
Nuk e njeh ndjenjën t’i thuhet myshteriut se një orë nuk mund të rregullohet. Por thotë se edhe sot e kësaj dite vazhdon të mësojë gjëra të reja brenda orës. Hapja e secilës prej tyre është “shkencë më vete”. Në karrierë i ka rastisur të çelë për ta rregulluar edhe top-orë, si “Patek Philippe” e “Rolex”.
Rrugëtimi gjysmëshekullor
Me një ritëm të ngadaltë e me pak fjalë, Neziri shpjegon plot pasion magjinë që e bart në vete rregullimi i një ore. Por paraprakisht i duhet të kthehet në vitin 1969, kur nisi ta mësonte zanatin.
“Te axhallartë e babait tim, Rifat e Fadil Neziri”, thotë ai, kur pyetet për mësuesit e tij të parë në këtë zeje. E ky i dyti, pra Fadil Neziri, siç tregon ai, zanatin e ka mësuar në Pejë te Adem Sahatçiu.
“Baca Adem është ndër të parët atje në Pejë që është marrë me këtë zanat. Pas tij edhe djemtë, Mehmeti, Karamoni e Xhaviti”, thotë ai.
Neziri kujton se ka qenë 12-vjeçar kur ka filluar rrugën e zanatliut prej orëndreqësi.
“Në start kam ecë, se e kam llogarit me fatin tim të punës, si diçka që e kam dhe duhet patjetër ta ndjek. Axhallarët e babës e kanë pa që kam sens, dhe jam i gatshëm e i pjekur që të nis si shegert të punoj me ta”, thotë Neziri, teksa tregon më shumë rreth këtij rrugëtimi.
“Fillimisht kam punuar me disa punë të lehta, kryesisht rreth lokalit. Atëherë, më vonë m’i kanë dhënë disa orë këso të dhomës, me punu në to. Derisa u mësova. Pas 2-3 vjetësh ma kanë dhënë një orë të dorës, me këqyr dhe kështu gradualisht kam fillu. Kur mbetsha diku, e kam pasë mjeshtrin aty, dhe e kam pyetur se qysh bëhet kjo apo ajo punë”, kujton Neziri.
Plot njëmbëdhjetë vjet do të punonte përkrah tyre.
“Mirë më ka shku. Deri në vitin 1980 aty kam qenë. Në vitin 1980 kam dalë këtu, në këtë rrethinë”, thotë Neziri nga dyqani i tij në zemër të Çarshisë së Madhe të Gjakovës.
Zanat që s’mësohet kurrë krejtësisht
Ndonëse ka më shumë se gjysmë shekulli që merret me zanat, Neziri thotë se nuk mundet kurrë të pretendojë se di gjithçka rreth orëve.
“Secilën herë jemi duke e mësu zanatin. Nuk ka fund. Dikush thotë unë jam ky zanatliu i madh. ‘Jo, jo’, unë them jam i parafundit. Se del tjetri ta ftofë, ftofesh”, thotë ai.
Dhe kur thotë kështu, nuk e ka fjalën vetëm për orët e teknologjisë së fundit.
“Edhe në atë që s’është orë e re, del diçka e papritur”, thotë Neziri, që njeh orën mekanike, gjysmëmekanike, por edhe këto elektronike.
“Ora kur të çelet është shkencë në vete. Përndryshe falë jetës, që kam mbërri në moshën 65-vjeçare, secilën herë t’u e përsos nga pak-nga pak të kaluarën, orën e vjetër”, thotë Neziri.
Ai nuk shfaq aspak ndjenja egoizmi. Përkundrazi. Thotë se është mirë që atë që atij i është dashur një jetë për ta mësuar, mund t’ia japë të gatshme dikujt.
“Këtë djalin e vëllait që e kam këtu, Shendin, i them këqyr e mësoj si bëhet kjo. I them nëse t’i don me nis këtë zanat, po mëson diçka në moshën 18-vjeçare a unë e mësova në moshën 60, 62 a 65- vjeçare”, thotë Neziri.
Ai e quan mrekulli faktin që vazhdon të mësojë ende për orën edhe në këtë moshë. Neziri thotë se nuk i ka ndodhur kurrë të mërzitet duke punuar në rregullimin e orëve.
“Kurrë, asnjëherë. Ndodh diçka që s’po na ndreqet, i them ‘eja këtu se ty jam kah t’kërkoj’”, thotë Neziri, që e sheh këtë si mundësi të re për të sfiduar veten e për të mësuar akoma më shumë.
“Dhe gjithçka ndreqet. Nëse është një pjesë që mungon e duhet shtuar, atëherë është tjetër gjë, por me rëndësi është të identifikohet problemi. Të thuash deri këtu unë erdha, e jo të thuash se nuk po e di çka ka ora”, thotë Neziri.
Në karrierën e tij ai ka rregulluar edhe orë, vlera e të cilave është e lartë. E veçon këtu “Patek Philippen” dhe “Rolexin” origjinal, si dy orët që përveçqë i ka riparuar, madje disa sosh, thotë se prijnë në ranglistën e orëve. E pas tyre ai rëndit “Schaffhausenin”, “Longinesin”, “Omegan”, “Zenithin”, e pastaj thotë vijnë me radhë të tjerat.
E për gjithë këto vite punë, Neziri thotë se ka mbledhur shumë sekrete të orës.
“Faktikisht kemi mbledhë sekrete, sekrete të mira, të jashtëzakonshme”, thotë ai, që nuk lë pa shprehur edhe një shqetësim.
“Merre me mend sa jam munduar ta gjej se si vendoset gjilpëra e orës, dhe unë shikoj kujt me ja dhënë bakshish si dije, një kolegut tim pa përmend emra. Më thotë: ‘Jo, nuk po e dua’. I them: ‘Për një orë të mësoj si bëhet kjo’. Thotë ‘jo’. Unë dua edhe sekretin me ja dhënë, thotë jo”, thotë ai. “Pra, unë jam krenar, por nëse nuk e përcjell këtë dije atëherë humb krenaria. Në atë botë nuk guxojmë t’i marrim me vete këto të mira që i kemi mësuar e krijuar këtu, duhet t’i lëmë këtu”, thotë Neziri.
Durimi, talenti e syri i mprehtë
Kur flet për atë se çka e bën mjeshtër të mirë një orëndreqës, ai ndalet veçmas te vendosja e gjilpërës.
“Atë që duhet patjetër të dijë dikush për të thënë se është mjeshtër i orës, është vendosja e gjilpërës. Enigma është qysh e vendos e qysh e qet në terezi orën. Kur e mëson këtë, edhe me ndodh me t’u prish në dorë t’u punu, nuk ke frikë se prapë e rregullon, dhe nuk i thua myshterisë se nuk po u bëka kjo orë”, thotë ai. “Gjilpëra është shumë e hollë, maja e saj mezi shihet me këtë llupën”, e forcon më tej këtë argument.
Për Nezirin, orëndreqësi është vetëm një eliminues i defektit të orës.
“Hiç më tepër. Nuk përzihemi ne në punën e inxhinierit të orës. Ne nëse arrijmë që të jemi eliminues të defektit, nuk mbesim borxh te klienti ynë”, thotë Neziri. “Por mos të harrojmë, për të arrit aty është punë e madhe, është shumë zor dhe e mundimshme”, shton më pas.
E atje, sipas tij, duhet të mbërrijë patjetër, kushdo që i hyn kësaj rruge.
“Zanatliu nuk mund t’ia pranojë vetes dështimin. Myshteria ta sjell orën dhe ta le, thotë: ‘Mbaje sa të duhet kohë, veç rregulloje se e kam kujtim’. Ta jep mundësinë, thotë: 'Mbaje veç le të më punon se ma kujton nanën a babën a dikë, ta zëmë’. Atëherë unë nuk mërzitem hiç, 20 a 30 herë i kthehem po qe nevoja, derisa të rregullohet”, thotë Neziri.
Pra durimi, e krahas kësaj edhe talenti, sipas Nezirit, janë dy gjërat pa të cilat nuk mund të bëhesh orëndreqës. Përveç kësaj, syri i orëndreqësit, thotë ai, duhet të jetë si i shqiponjës.
“Me llupë shoh shumë bukur. Ende jam në formë. Nëse nuk sheh dhe ke probleme me dridhjen e duarve, atëherë është mirë që të tërhiqesh nga ky zanat”, thotë ai.
Neziri thotë se puna që është bërë dikur në Gjakovë, nuk është as për së afërmi me atë që bëhet sot.
“Përpara ka qenë ora e zgjimit, që nuk ka pasë shtëpi pa të. Pastaj orët e murit kanë qenë në formë. Punëtorët në fabrika duke punu, patjetër është dashur të mbajnë orë për të matur kohën”, thotë Neziri. “Kemi qenë diku 12 orëndreqës në Gjakovë, e 8 prej tyre kemi pasë punë mos pyet. Por tash jo”, thotë ai.
Tash kanë mbetur pak zanatlinj. Megjithatë, ai në krah ka nipin e tij, Shend Nezirin. Në fakt, edhe djali i Imerit, por edhe vëllai i tij apo babai i Shendit janë po ashtu orëndreqës. Por Shendi është krenar që mëson nga axha i tij, ndërsa synimin e ka përtej kufijve të Gjakovës e Kosovës.
“Mendoj ta marr mirë zanatin, ta përvetësoj e brenda mundësive të dal jashtë ku ka më shumë punë e më shumë orë”, thotë ai, që garanton se përkushtimin për të ecur hapave të axhës së tij e ka maksimal.
“Jam shumë merak në orë dhe punoj shumë”, thotë i riu.