“Jaho ju bën që të qani në fund, pasi që ajo ju ka bërë që të qeshni në dy aktet e para”, është fjali me të cilën kritiku Mauricio Villa e mbyll kritikën për Jahon. Ai e vlerëson mënyrën se si Jaho gradualisht e ndërton personazhin e saj duke mos e tepruar me dramë ani pse bëhet fjalë për një vajzë të re që është pranë vdekje. “Kur vjen akti i katërt, të gjithë në publik tashmë kishin ardhur në përfundimin se sopranoja nuk kishte konkurrentë dhe ishte ylli i shfaqjes”
Për kritikun Mauricio Villa, nuk ka shfaqje më të mirë për të përfunduar vitin sesa “La Boheme” e Puccinit, një rrëfim prekës për miqësinë, dashurinë dhe sëmundjen. Shfaqja është çdoherë e preferuara e ndjekësve të repertorit të “Teatro Real” në Madrid të Spanjës. Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, ajo është shfaqur pa rregullat sociale të distancës dhe ka shitur të gjitha biletat për të 15 shfaqjet e planifikuara nga 12 dhjetori deri më 4 janar. Një rrëfim klasik me një prurje jokonvencionale e ka konsideruar Villan shfaqjen nën produksionin e Richard Jones. Kurse për sopranon shqiptare, Ermonela Joha, ka thënë se loja e saj është aq e mrekullueshme sa nuk ka konkurrencë.
Ka theksuar se nuk është një sekret që sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho, është një nga këngëtaret e aktoret me të mira që është akoma aktive në skenë. Ajo tashmë kishte lënë gjurmë në Teatro Real me debutimin si Violeta të “Butterfly” e Mimi po del të jetë një rol tjetër i saj i mrekullueshëm.
“Ajo nis aktin e parë, pavarësisht se fillimisht i ra të fikët, në mënyrë shumë flirtuese dhe të gjallë. Tashmë ka shenja të sëmundjes së saj: fryma e mbytur dhe shtrëngimi i duarve, por Jaho nuk i mbingarkon shenjat dramatike të sëmundjes së Mimit. Ajo paraqet një vajzë të re simpatike, bukuroshe. Ajo këndoi me gëzim arien e saj ‘Si, mi chiamano Mimi’, duke lundruar lehtësisht nëpër linjat e gjata e të gjera të Puccinit dhe duke lëshuar një pianisim të bukur e të lartë në ‘di primavera’”, ka shkruar Villa. Sipas tij, ajo në mënyrë triumfuese e më shumë pasion paraqitet edhe në duetin e fundit të aktit të parë, "O soave fanciulla", duke kënduar një C të përsosur e të qëndrueshme jashtë skenës.
“Ajo e ruajti këtë ndjenjë të rinisë, jetës dhe dashurisë gjatë gjithë aktit të dytë”, ka theksuar ai. Sipas tij, ishte në aktin e tretë kur Jaho zbuloi fuqitë e saj dramatike.
“Skena me Marcellon të rrëmbente të tërin teksa ajo shprehte dhimbjen e situatës së vështirë romantike që po përjeton me Rodolfon, në ‘il mio Rodolfo’. Interpretimi i aries së saj ‘Donde lieta usci’ ishte jashtëzakonisht emocionues dhe sopranoja ishte e kufizuar emocionalisht duke mos e tepruar me dramë”, vazhdon tutje shkrimi i tij.
Sipas tij, në kohën kur erdhi akti i katërt, të gjithë në publik tashmë kishin ardhur në përfundimin se sopranoja nuk kishte konkurrentë dhe ishte ylli i shfaqjes.
“Portretizimi që i bën ajo një gruaje të re të sëmurë dhe afër vdekjes është, thënë thjesht, tepër prekës dhe i besueshëm. Jahos i dridhen duart tmerrësisht kur shprehet se ndien të ftohtë dhe kjo ishte hera e parë që në atë skenë kam parë realisht një soprano që dridhej fizikisht nga të ftohtit. Jaho dorëzohet plotësisht në skenë, deri në atë pikë sa harron se është duke kënduar, pasi ajo ngjyros zërin e saj për të përforcuar iluzionin e vdekjes së saj”, ka shkruar Villa. Sipas tij, Jaho ia doli edhe një herë me karakterizimin e saj të një heroine të dënuar, me mënyrën e saj të zgjuar të ndërtimit të dramës dhe sëmundjes në vend që ta shfaqte atë dukshëm që në fillim.
“Jaho ju bën që të qani në fund, pasi që ajo ju ka bërë që të qeshni në dy aktet e para”, është fjali me të cilën Villa e mbyll këtë kritikë për Jahon.
Shfaqja ishte një risjellje e produksionit të Richar Jone në bashkëpunim me “the Royal Opera House” dhe “Lyric Opera” të Çikagos, e cila për herë të parë u shfaq në Madrid në vitin 2017.
“Jones ka tentuar të paraqesë një estetikë moderne, duke shfrytëzuar motivin e një teatri brenda teatrit – duke e bërë grupin në mënyrë të dukshme të lëvizë brenda hapësirës së izoluar në setin e bardhë – por duke përdorur kostume dhe rekuizita të asaj periudhe”, ka shkruar Villa për “Operawire”.
Sipas tij, ka disa opera që nuk përshtaten shumë me ndryshim të koncepteve ose me abstraksione dhe sipas tij “La Boheme” është një prej tyre, e inskenuar në Paris gjatë viteve ‘50, në “Latin Quarter”, verizmi në libreto funksionon në mënyrë të përkryer. Çdo përpjekje për t’i dhënë një lexim të dytë apo për të luajtur një dramaturgji paralele, sipas Valles, e dëmton narrativen perfekte të Puccinit dhe muzikën inspiruese. Mirëpo, sipas Valles, janë disa detaje më shumë teknike dhe shumë prej tyre mund të mos vërehen nga audienca.
Sikurse edhe paraprakisht, edhe vitin e kaluar, Ermonela Jaho bëri jehonë gjithandej botës. Vjet sa herë që është diskutuar për albumet me të mira të muzikës klasike, është përmendur edhe “Anima Rara” i sopranos shqiptare Ermonela Jaho. Kështu ndodhi edhe në janar, kur u ndanë International Classical Music Awards (Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike).
Albumi i sopranos shqiptare u shpërblye si më i miri në kategorinë dedikuar muzikës vokale (“Vocal music”). Jaho u vlerësua për mënyrën e veçantë të këndimit të 14 veprave, nëpërmjet të cilave në albumin e saj eksploron muzikën e mjeshtëruar nga sopranoja italiane Rosina Storchio. Jaho triumfoi në atë që konsiderohet si “Oscari” në botën e incizimeve të muzikës klasike.