Me dy propozim-vendime që kanë marrë dritën e gjelbër nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Kulturës e ka lënë në dorën e deputetëve që të themelojnë Operën e Kosovës si institucion të shërbimit publik. Ndërkaq është themeluar Komisioni Shtetëror 13-anëtarësh që do të marrë përsipër hulumtimin, regjistrimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore e historike të shkatërruara gjatë luftës së fundit
Me idenë për krijimin e Operës së Kosovës si institucion publik, Ministria e Kulturës po synon ta bëjë të prekshme kërkesën e kahershme të komunitetit operistik në vend. Kështu, Qeveria e Kosovës ka nisur në adresë të deputetëve të kësaj legjislature kërkesën për themelimin e institucionit të Operës.
Në mbledhjen e radhës të kabinetit qeveritar, të mbajtur pasditen e së mërkurës, është shqyrtuar propozim-vendimi i Ministrisë së Kulturës për të kërkuar nga Kuvendi themelimin e Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani, ka thënë se ky është një vendim tejet i rëndësishëm për kulturën në Kosovë. Sipas saj, me këtë propozim-vendim po i hapet rruga themelimit të një institucioni që i ka munguar skenës kulturore të Kosovës.
“Ministria ka ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e këtij institucioni të rëndësishëm me të cilin, përveç obligimit tonë ligjor, po e përmbushim një kërkesë të kamotshme të komunitetit operistik në Kosovë”, ka thënë Osmani.
Me këtë rast, ajo ka bërë me dije se themelimi i këtij institucioni po bëhet në përputhje me Ligjin për Filharmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, përkatësisht me nenin 5, pikën 5.2, i cili i jep Kuvendit këtë të drejtë, sipas të cilit “Kuvendi i Kosovës themelon filarmoninë, operën dhe baletin si institucione publike të Kosovës”.
Po ashtu, sipas zëvendësministres, shqyrtimi i themelimit të Operës nuk ka ndikim financiar për këtë vit, pasi që “funksionalizimi parashihet të bëhet vetëm në vitin e ardhshëm, me ç’rast janë paraparë edhe planifikimet buxhetore të Ministrisë”.
“Përveç kësaj, themelimin e këtij institucioni e kemi paraparë edhe në programin tonë qeverisës për vitet 2021-2025”, ka thënë Osmani.
Në fakt, në dhjetorin e vitit të kaluar, edhe kryeministri në largim Abdullah Hoti, edhe tash ish-ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, do ta cilësonin sukses miratimin e Projektligjit për Filharmoni, Balet e Operë, hartimi i të cilit kishte nisur para pesë vjetësh. Ndër të tjera, me këtë projektligj i rihapet rrugë themelimit të Operës si institucion i ri, përderisa Filarmonia e Baleti mbesin me kushte të vjetra pune. Do ta zëvendësonte Ligjin aktual të 2007-s. Projekti për teatrin e operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” është histori më vete tash e 11 vjet.
Fill pas kësaj, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka hedhur në votim, me ç’rast ky propozim-vendim u votua me 12 vota për dhe pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Në vazhdim të mbledhjes, zëvendësministrja Osmani ka vlerësuar se trashëgimia kulturore dhe ajo historike janë një nga fushat me prioritet të lartë për Ministrinë e Kulturës. Procesi i ruajtjes dhe mbrojtjes së këtyre vlerave, sipas saj, është i pamundur nëse nuk ka hulumtim, regjistrim dhe dokumentim.
“Ne si Ministri konsiderojmë se shkatërrimeve dhe dëmeve që ka pësuar Kosova gjatë luftës së fundit nuk i kanë shpëtuar as asetet e vlerat e rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe asaj historike”, ka thënë ajo teksa ia ka parashtruar kabinetit qeveritar emërimin e këtij komisioni.
Në bazë të propozimit të Ministrisë, ky komision do të ketë në përbërje këta emra: Xhejlane Hoxha nga MKRS (kryesuese); Nora Weller, ligjëruese në Universitetin e Cambridgeit (bashkëkryesuese); Mehmet Kraja, kryetar i ASHAK-ut (anëtar); Reshat Nurboja nga Kuvendi i Kosovës (anëtar); Vehbi Miftari nga Zyra e Presidencës së Kosovës (anëtar); përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit, Andras Rallmayer, ligjërues i pensionuar i Universitetit të Harvardit (anëtar); Amra Haxhimuhamedoviq, ligjëruese në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës (anëtare); Sali Shoshi nga Fondacioni Trashëgimia pa Kufij (anëtar); Milot Berisha nga Instituti Arkeologjik i Kosovës (anëtar); Florina Jerliu, ligjëruese në Universitetin e Prishtinës (anëtare); Avni Manaj nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës (anëtar); Nora Arapi-Krasniqi, MKRS (anëtar), si dhe Orgest Drançolli nga Instituti i Historisë (anëtar).
Duke përmendur rëndësinë e trashëgimisë kulturore në dokumentin e historisë dhe rrëfimit të shtetit të Kosovës, zëvendësministrja Osmani ka thënë se emërimi i këtij komisioni ka për bazë edhe detyrimin për ta përcjellë këtë trashëgimi tek brezat e rinj.
Edhe ky propozim-vendim, pasi është hedhur në votim, ka marrë 12 vota në kabinetin qeveritar.
Ministri Hajrulla Çeku, në një postim në Facebook të mërkurën në mbrëmje, e ka cilësuar moment të rëndësishëm themelimin e komisionit shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës gjatë luftës më 98/99.
Sipas tij, ky themelim zyrtarisht nis procesin për të kërkuar llogari dhe dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin e qëllimshëm të qindra monumenteve të Kosovës.
“Anëtarë të komisionit do të jenë profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe profesionale, si dhe profesionistë ndërkombëtarë. Komisioni do të marrë për bazë të gjitha dokumentimet që janë kryer deri sot, ndërsa do të ketë për detyrë hartimin e inventarit shtetëror me të gjitha monumentet e shkatërruara gjatë luftës në vitet 1998 dhe 1999. Mbi këtë dokument dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare do të përpilohet edhe kërkesa për dëmshpërblim”, ka thënë ai.