Larg prej asaj që kishte sjellë në hapjen e sezonit vitin e kaluar, Opera e Kosovës me promovim libri e koncert ka bërë një rrugë e dy punë: Ka shënuar 17-vjetorin e Pavarësisë dhe ka hapur sezonin. Institucioni më i lartë operistik është ende i varur prej mungesës së kushteve, edhe një koncert krejt i thjeshtë bëhet sfidues, por, megjithatë, “14 këngë popullore shqiptare” nga maestro Edmond Doko sjell aranzhime të veçanta të xhevahireve muzikore shqiptare për kuintet tunxhi
Ka dallime drastike midis nisjes së sezonit vitin e kaluar dhe sivjet të institucionit shtetëror operistik. Veç një ditë e ndan nga përvjetori i parë i premierës historike të operës “Goca e Kaçanikut” të Rauf Dhomit. Një vit pas, Opera e Kosovës ka vendosur që sezonin e ri për të cilin nuk ka ende program ta hapë me promovim libri e koncert.
“14 këngë popullore shqiptare” nga maestro Edmond Doko sjell aranzhime të veçanta të xhevahireve muzikore shqiptare për kuintet tunxhi. Këto vepra janë përkthyer në koncertin me të cilin është shënuar edhe festa e Operës për Pavarësinë e Kosovës, tri ditë prej shënimit të përvjetorit të 17-të.
Për gjendjen e institucionit të Operës – themeluar me letra në verën e vitit 2021 – flet vetë hapësira ku organizohen edhe ngjarjet më të thjeshta. Madje edhe për një koncert me formacione shumë më minimale nga ato që një produksion i mirëfilltë kërkon, prapë kushtet janë sfiduese.
Në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, të enjten mbrëma, partiturat e 14 këngëve popullore në librin e dirigjentit shqiptar Edmond Doku u zbërthyen duke u dëshmuar si aranzhime atraktive e unike.
Por akustika në sallë nuk dha efektet e duhura. Në veprat ku me kuintetin e tunxhit është integruar edhe këndimi, instrumentet që njihen për intensitetin e lartë të zërit shpesh e kanë lënë në hije vokalin. Por këto kushte tashmë janë veç detaje të zakonshme të secilit koncert të muzikës klasike.
E para vepër është interpretuar “Kur më vjen burri nga stani” nga Kristo Kono, ku instrumentet ndahen në dysh me meloditë që mbajnë ritmin dhe ato që rimojnë për pjesën vokaliste. “Vishu mirë e ban dyzen” nga Beqir Baraku dhe serenata korçare “Dëbora zbardhi malet” kanë qenë veprat e tjera që janë interpretuar nga “Albanian Brass Quintet” nga Shqipëria.
“O yll i bukur, kopilje” nga Rauf Dhomi është sjellë nga ansambli vokal “Okteti plus”, ndërsa në këngën popullore shkodrane “As’aman trandafilli çelës” ka jehuar zëri i mexosopranos Elona Sadiku, përcjellë nga pesë instrumentet e tunxhit. Me to ajo ka interpretuar edhe “Margjelo” nga Prenk Jakova.
Solist i koncertit ka qenë edhe tenori Liridon Sadriu, i cili ka interpretuar këngën “Kush në rrin karshi, karshi” nga Beqir Baraku dhe “Karafil të zgjodha” nga Palok Kurti.

Autori i librit “14 këngë popullore shqiptare” dhe orkestruesi i këtyre veprave, dirigjenti permanent i Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, Edmond Doko, ka thënë se fillimisht orkestroi vetëm disa këngë si kërkesë e po të njëjtin kuintet që i ka interpretuar veprat të enjten mbrëma në Prishtinë. E më pas ka vendosur ta bëjë një përmbledhje më të gjerë për muzikantët që kanë nevojë për këtë repertor.
“Është detyrë e gjithë artistëve të përgjegjshëm që muzikën nacionale, e para, ta trajtojnë me respekt dhe dashuri, e dyta, të dinë ta dallojnë se cila është muzika me vlera të vërteta, sepse nganjëherë ngatërrohet muzika vulgare, komerciale dhe çdo gjë quhet popullore. Ndërkohë në konceptet e mia, por edhe në historinë e kulturës së muzikës popullore shqiptare ka muzikë shumë brilante, janë thesare shumë të fuqishme që duhen trajtuar dhe interpretuar bukur, siç është edhe interpretimi që bëri kuinteti apo këngëtarët”, është shprehur Doko për KOHËN.
Këngët u përkasin trevave të ndryshme shqiptare. Doko ka thënë se kjo shpërndarje nuk ka qenë e qëllimshme, por se muzikë të bukur popullore kanë të gjitha trevat dhe ai ka zgjedhur ato që i kanë pëlqyer. Është shprehur i kënaqur me ekzekutimin e veprave.
“Reagimi ishte shumë i sinqertë dhe shumë i mirë i publikut, kështu që s’ka se si të jem kritik ndaj kolegëve të mi. Kanë bërë maksimumin dhe ata vetë i luajnë veprat me shumë emocion që unë i botova dhe u prezantuan sonte në Kosovë”, është shprehur Doko.
Ai që nga viti 2000 është dirigjent permanent në TKOB ku ka drejtuar më shumë se 35 vepra skenike, opera, balete dhe ka realizuar mbi njëqind koncerte në repertor të larmishëm në Tiranë e qytete shqiptare, por edhe në Greqi, Francë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe jo vetëm.
Në koncert është interpretuar edhe “Fërfëlloi fëllanza n’ujë” nga Muharrem Gurra, “Bash n’zaman” nga Halit Kasapolli, pjesa popullore shkodrane “Bishtalecat palë-palë” dhe “Mori ndandofilja e vogël” nga Mark Kaçinari. Koncerti është përmbyllur me krejt formacionin në skenë ku pjesa “Kur perëndon dielli” nga Leonard Deda është interpretuar me solistët Sadiku e Sadriu, kuinteti i tunxhit si dhe ansambli vokal. Nga ky repertor vetëm kënga popullore ulqinake “M’ka shku men’ja me u fejue” nuk është interpretuar.
Basi Safet Berisha që ka interpretuar si pjesë e ansamblit vokal “Okteti plus”, ka thënë se këto aranzhime veprash kanë qenë të domosdoshme për literaturën muzikore.
“Muzika jonë popullore, siç e dimë, është shumë e pasur. Ajo çfarë nevojitet është që kompozitorët, muzikantët, të punojnë sa më shumë në aranzhime dhe të jepet mundësi që të interpretohen edhe nga ansamble profesionale. Pse jo, edhe jashtë vendit të prezantohet. Është diçka që popujt e tjerë e kanë bërë shumë më herët. Unë i inkurajoj edhe kompozitorët e rinj që të punojnë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Ka përmendur edhe kushtet për interpretim.
“Për mua si këngëtar ishte pak sfiduese, sepse ansambli i tunxhit ka shumë volum e dinamikë, por çfarë është e rëndësishme, që konsideroj që u realizua bukur, publiku e mirëpriti”, ka thënë Berisha.
Muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica, që është edhe kryetare e Këshillit iniciues të Operës së Kosovës, ka thënë se me programin e tij institucioni u kushton rëndësi edhe arkivimit e dokumentimit të literaturës muzikore shqiptare.
“Institucioni i Operës së Kosovës krahas përkushtimit për të qenë në linjë me shtëpitë operistike botërore, me repertorin e tyre, një dedikim të veçantë i kushton edhe promovimit të kulturës sonë kombëtare, prezantimit e interpretimit të saj, e në veçanti edhe arkivimit, dokumentimit dhe pasurimit të fondit të literaturës muzikore operistike. I tillë është edhe ky botim i titulluar ’14 këngë popullore shqiptare’ i autorit Edmond Doko, i cili sjell një qasje të re të repertorit tradicional shqiptar duke e zgjeruar atë për një formacion të veçantë, siç është edhe kuinteti i tunxhit”, ka thënë Kryeziu-Breznica.
Është shprehur se muzika popullore shqiptare gjithmonë ka shërbyer si burim frymëzimi për krijimtarinë artistike të kompozitorëve shqiptarë.
“Po e njëjta frymë e ndërthurjes së traditës me qasjen artistike bashkëkohore e karakterizon edhe këtë botim, i cili ngërthen më vete 14 këngë nga vise të ndryshme shqiptare të harmonizuara dhe të përpunuara me mjeshtëri për kuintet tunxhi”, ka thënë ajo.
Ka bërë të ditur se në muajin mars do të bëhet i ditur programi i sivjetmë i Operës së Kosovës.