Kulturë

“Olympe de moi” ringjall aktivisten në betejat e përhershme të gruas

Histori gjëllin te një personazh gati tre shekuj më parë. Veronique Ataly i bën njëlloj rekuiemi Olympe de Gouges, dramaturges e aktivistes së shekullit XVIII, të cilën e ka harruar historia. Në “Olympe de moi” lidh fatin e saj me të vetin dhe emërues i përbashkët është beteja e përhershme

Në skenë minimale, monodrama “Olympe de moi” zbërthen tema komplekse. Veronique Ataly mban barrën kryesore dhe nën regjinë e Patrick Mons shpalos sfida e përjetime, prek situata e ngjarje, shndërrohet nga një rol në tjetrin. Mbi të gjitha, lufton për kauza feministe.

Teatri “Dodona”, të mërkurën mbrëma, me festivalin “FemArt” hapi dyert për këtë shfaqje franceze. Është edhe një lloj homazhi për Olympe de Gouges, dramaturgen e aktivisten franceze, e cila qysh në gjysmën e dytë të shekullit XVIII u bë pioniere e lëvizjeve për të drejtat e grave.

Shfaqja nis kur salla errësohet, e figura e aktores vihet në pah pos me drita edhe me ato që ajo thotë. Flet për periudha të ndryshme, e në të gjitha situatat prek gruan. Është një lloj bashkëbisedimi midis aktores dhe publikut, është dëshmi e përpjekjes së krejt ekipit që sfidat dhe problemet që i kanosen figurës së gruas të luftohen në mënyrë artistike. Ndonëse publiku nuk flet, ndërveprimin dhe bisedën me aktoren e zhvillojnë kur kundrejt fjalëve dhe gjestikulacionit të Atalys shpërthejnë të qeshurat.

Image
Olympe de Gouges është personazhi i cili trajtohet më së shumti në këtë shfaqje, përderisa thuhet se revolucionin që ajo ka sjellë në shoqëri e ka fshirë historia

Është komike në thelb, por shfaqja që zgjat më shumë se një orë sjell në mendjen e njeriut situata që thonë shumë. Trajtesa e gruas vihet në pah me gjëra minimale, të rëndomta në kundrim të parë. Marrin tjetër kuptim kur aktorja shpjegon.

Olympe de Gouges është personazhi i cili trajtohet më së shumti në këtë shfaqje, përderisa thuhet se revolucionin që ajo ka sjellë në shoqëri e ka fshirë historia. Ndonëse merret si shembull dhe ka shërbyer si pikënisje e krijimit të kësaj historie artistikisht, aktorja nuk lë pa dalë herë-herë edhe në historinë e saj, që e prek edhe me shembuj nga jeta e përditshme. Janë histori që flasin për trajtimin e grave qysh nga përshëndetja, roli që asaj i vihet në shoqëri, sterotipizimi i profesioneve, marrëdhënia mes dy gjinive në kontekste të ndryshme. Por, pos që janë tema që i japin fuqi gruas e burrit mend, janë tema që flasin shumë edhe për përkatësinë etnike e zhvillimin shoqëror.

“Është e mrekullueshme. Është ndryshe të luajmë këtu, sepse është e paraqitur edhe me përkthim. Ideja kryesore ka qenë të flasim për Olympe de Gouges që ka qenë një revolucionare. Ajo është harruar nga historia. Me shfaqje flasim edhe rreth luftës që zhvillohet sot”, ka thënë Patrick Mons, regjisori i kësaj shfaqjeje.

Historia e përthekuar në skenat minimale të “Olympe de moi” nisi nga aktivizmi që aktorja në shfaqje e ka sa i përket feminizmit.

“Ky projekt është diçka që unë e kam për 10 vjet. Kam rënë në dashuri me të dhe kam dashur vërtet të bëj diçka për këtë. Jam aktiviste që 15 vjet dhe kam menduar të bashkoj Olympe de Gouges dhe aktivitetin tim. Kështu që e gjeta Patrikun që është autor, sepse unë nuk shkruaj. Unë mendoj, por nuk shkruaj. Kështu që e ka shkruar Patriku dhe ne kemi punuar shumë për të. Dhe pa dyshim jam shumë e lumtur të aktroj në këtë shfaqje”, ka thënë Veronique Ataly, aktorja për të cilën skena e Kosovës nuk është sfidë e re. Marsi e kishte sjellë Ataly-në në Kosovë, kohë kjo në të cilën e kishte dëshmuar veten si aktiviste në fushën e feminizmit. Pati rastisur që edhe rrëfimin tjetër ta bëjë në një të mërkurë, por atëherë në Mitrovicë. Ajo ktheu kohën prapa, teksa foli për dekadën e saj si aktore teatri e filmi, për ato me të cilat mbi të gjitha një grua përballet në prapaskenat e përditshmërisë. Në këtë ngjarje e cila është mbajtur për nder të Ditës së Gruas pati treguar se në Kosovë do të rikthehej në maj, dhe këtë rikthim do ta bëjë në kuadër të “FemArtit”.

Image
Shfaqja është një lloj bashkëbisedimi midis aktores dhe publikut, është dëshmi e përpjekjes së krejt ekipit që sfidat dhe problemet që i kanosen figurës së gruas të luftohen në mënyrë artistike

Ardhja në Kosovë me këtë shfaqje dhe në këtë festival, pos nga shtysa feministe që ka përbrenda, vjen edhe nga qasja e aktores se problemet në dallimet gjinore janë të njëjta në krejt botën.

“Në Paris, në Francë, takoj gra feministe më të moshuara. Por, pavarësisht asaj, lufta është e njëjtë në botë. Ne duhet të luftojmë bashkë dhe të ndryshojmë mentalitete. Kjo është gjëja më e vështirë që mund të bëjmë, të ndryshojmë mentalitetin e meshkujve”, ka thënë Ataly.

Ajo u shpreh optimiste për luftën me art ndaj dukurive diskriminuese në bazë gjinore. Duke kaluar nga fati i një gruaje në tjetrën, ashtu sikurse edhe në kapërcim situatash, ajo shpalos luftën dhe betejat jetësore të gruas. Nis shpesh edhe nga përvojat personale e nga motive të brendshme si feministe.

“Në Francë ne luftojmë që të barazojmë kuotën. Mundohemi që të kemi numrin e barabartë të femrave dhe meshkujve. Si në teatër, në kinema, dhe gjithandej. Është shumë, shumë e vështirë që ta realizosh këtë. Por një ditë kur ta arrijmë, mendoj se mentaliteti mund të ndryshojë. Meshkujt kanë nevojë të punojnë me gratë që ta kujtojnë këtë se si funksionon bota e grave”, ka thënë aktorja dhe feministja franceze.

Në natën e tretë të “FemArtit”, përveç “Olympe de moi”, festivali ka sjellë edhe të tjera ngjarje jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Mitrovicë.