Kishte ardhur me mision në Kosovë, aty dëgjoi historinë e djaloshit që la Gjermaninë për të luftuar në atdheun e vet, e tejkaloi vetveten. Ish-zyrtarja e UNMIK-ut, Mechthild Henneke e shndërroi atë në roman, në një libër që tregon “se të fortë mund të bëhen njerëzit dhe t’i bëjnë edhe ato që s’kanë menduar se mund t’i bëjnë”. “Oj Kosova ime!”, i përuruar të mërkurën nga Botimet KOHA që e sjell në shqip, ka kuptim të dyfishtë: dashuri e dhimbje
Me një jetë goxha në perspektivë në Gjermani si student i mjekësisë, Tarasi në fund shekullit të kaluar kishte vendosur që të hiqte dorë nga studimet e tij për mjekësi, nga rrethi që kishte krijuar, të linte pas gjashtë vjetët e kaluara në Gjermani e t’ia mësynte vendlindjes për t’u bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tarasi është personazh real, i cili u bë edhe frymëzim që gazetarja e ish-zyrtarja e UNMIK-ut Mechthild Henneke ta shkruante romanin “Oj Kosova ime!”. Historitë e sakrificës, dhimbjes e idealeve vijnë në romanin e botuar në shqip nga Botimet KOHA.
Të mërkurën në librarinë “Dukagjini” në kryeqytet, të pranishmit kanë parë edhe personazhin real të librit, mjekun Naim Bardiqi, tash sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë. Bardiqi do të rritej në një familje që telashet me pushtuesin i kishte pasur të përhershme. Në Gjermani do të shkonte më 1992 për t’iu ikur rrethanave e shërbimit ushtarak në kohën kur Serbia kishte rritur presionin në Kosovë. I frymëzuar edhe nga rrëfimet për ilegalen komuniste në Shqipëri – pasi ka zgjedhur që të quhet Taras, pseudonim që mbante Enver Hoxha në ilegalitet gjatë Luftës së Dytë Botërore – Bardiqi duket se nuk zinte vend në Gjermani më 1998.
Historia e tij do t’i binte në vesh Mechthild Hennekes nga vetë Bardiqi. E ajo do të prekej nga ky rast. Rrëfimet për luftën në familjen e saj ishin të pranishme, shkaku se gjyshi i kishte vdekur në Luftën e Dytë Botërore.
“Nuk e kisha menduar kurrë se do të ketë edhe një luftë në Evropë. Gjatë luftës në Bosnjë doja të shkoja dhe të ndihmoja, por isha duke studiuar në atë kohë. Më vonë, më 1999, mora pushim në vendin ku po punoja dhe shkova të punoja në një organizatë joqeveritare në Kosovë. Përshtypjet që mora në Gjakovë për atë që kishte ndodhur, ndryshuan jetën time”, ka treguar Henneke.
Do t’i bënte shumë përshtypje historia e Bardiqit. Do të flisnin gjerë e gjatë për përvojat e tij.
“Ai ua shpëtoi jetën shumë njerëzve. Dhe, edhe pse përjetoi dhimbje, ai ruajti humanitetin e tij. Kjo më ka impresionuar shumë. Jam inspiruar dhe kam filluar të mbledh materiale për të shkruar një libër”, ka thënë Mechthild Henneke. Vazhdimisht i kanë interesuar plagët e njerëzve dhe ka thënë se Kosova e kishte të pashmangshme luftën dhe ajo e solli lirinë.

“Por në të njëjtën kohë njerëzit kanë sakrifikuar shumë. Romani ka të bëjë me ndikimin që lufta ushtron në qenien njerëzore. Kjo është ajo që më ka interesuar”, ka thënë Henneke. Faktet, sipas saj, janë të rëndësishme, por i ka interesuar më shumë se si ndikon lufta tek individët.
“Fokusi im në letërsi janë njerëzit dhe ndjenjat e tyre. Në libër tregoj se sa të fortë mund të bëhen njerëzit dhe të bëjnë edhe ato që s’kanë menduar se mund t’i bëjnë. Romani për mua është shumë pozitiv. Tregon se sa të fortë janë njerëzit dhe çfarë rëndësie ka miqësia në luftë e në paqe. Kam menduar shpesh se është një libër për të rinj, pasi heroi i librit është i ri”, ka thënë ajo.
Protagonisti i librit, Naim Bardiqi, ka treguar se si kishte filluar t’ia tregojë historinë e tij autores. Ka thënë se periudha e jetës që e bën më së shumti krenar është ajo e luftës.
“Romani është fiktiv... ngjashmëritë me personat realë mund të jenë vetëm rastësore dhe nuk përshkruhet realiteti. Mirëpo ndihem jashtëzakonisht i nderuar që vepra ime të bëhet frymëzim për autoren që të shkruhet një roman”, ka thënë ai.
Në cilësinë e botueses, Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA, ka thënë se vepra, botimin e së cilës e ka përkrahur rrjeti “Traduki”, ka edhe cilësi dokumentuese. Sipas saj, e kaluara duhet të shkruhet.
“Është shumë interesante se përherë botimet e tilla të rralla na vijnë prej autorëve që nuk janë shqiptarë. Do të thotë librat më të mirë për Kosovën deri tash i kemi pasur prej autorëve të huaj. Edhe ky shkrim i autores do të jetë besoj mjaft atraktiv për lexuesin tonë”, ka thënë Surroi.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde ka treguar se para dy vjetëve ka qenë nikoqir në rezidencën e tij për promovimin në gjermanisht të kësaj vepre dhe ka vlerësuar se është hap i mirë edhe promovimi në shqip. Është përkthyer nga Edlira Bushati.
“Libri eksploron se si protagonisti kthehet në atdheun e tij për të luftuar. Libri flet shumë për luftën e paqen. Më duket interesante se protagonisti ishte doktor i Ambasadës sonë”, ka thënë ai.
Vepra në ballinë ka një pikturë të vetë autores, por të frymëzuar nga skulptura e Ismet Jonuzit. Është prej atyre skulpturave të punuara nga armët e UÇK-së që si vepra kanë mesazh universal mbi luftërat, por duke ruajtur gjithnjë kontekstin vendor. Jonuzi ka marrë nga forcat paqeruajtëse të pasluftës armët e dorëzuara të UÇK-së dhe i ka vënë në shërbim të koncepteve të tij duke u dhënë forma të ndryshme e njëkohësisht duke i bërë të përhershme në vend se të shkriheshin për hekur.
Në 330 faqe, romani shpërfaq histori të ndryshme lufte. Shtyllë mbetet ajo e të riut shqiptar në Gjermani që la pas integrimin në shoqërinë e atjeshme e perspektivën që e priste, për të luftuar në vendin e tij.