Kulturë

Nuhi Vinca – studiuesi i lirikës popullore me dashurinë e poetit

Nuhi Vinca

Nuhi Vinca (11 nëntor të vitit 1931 – 9 korrik 2024)

Në krejt krijimtarinë e tij në folklor e në letërsi, vokacionet e tij si studiues e poet qenë disi të pandashme. Nuhi Vinca – i cili vdiq në moshën 92-vjeçare – edhe si studiues i lirikës shqiptare i qasej asaj me ndjeshmërinë dhe dashurinë e poetit. “Figurën prej poeti e folkloristi të Nuhi Vincës e kompleton figura e tij prej studiuesi të folklorit, specifikisht studiuesi të lirikës popullore, të cilën ai e mblodhi dhe e studioi me subtilitetin e poetit e me dashurinë e birit për të amën”, ka thënë studiuesja Arbnora Dushi. Bashkëpunëtori e miku i tij Mehmet Halimi e ka cilësuar Nuhi Vincën si intelektual i cili kishte përdorur penën si “armën” e tij

Emri i tij do të endej fort për mbi shtatë dekada veprimtari të bujshme letrare e studimore që fillon me artin e letrave, por nga ato që nuk ngelnin vetëm te përmbushja shpirtërore e tij si autor dhe e lexuesit të tij. Dhe ajo shkonte vizavijë me luftën e tij politike kundër regjimeve despotike. 

Ky do të ishte jetëshkrimi i shkurtër i Nuhi Vincës, figurë e çmuar e studimeve të folklorit në këto anë, poet e përkthyes. Vinca vdiq të martën në moshën 92-vjeçare. Kumti u shpërnda një ditë më pas dhe jo të paktë qenë ata që e çmuan trashëgiminë që ka lënë pas. Instituti Albanologjik i Prishtinës, ku ai dha kontribut të çmueshëm, të enjten (sot) do të mbajë mbledhje komemorative në orën 10:00, dy orë para se t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Prishtinës. 

Nuhi Vinca u lind më 11 nëntor të vitit 1931 në Veleshtë të Strugës, ku kreu shkollën fillore, të mesmen në Shkup, ndërsa studimet për gjuhë dhe letërsi i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1969. Po në këtë fakultet kreu edhe studimet pasuniversitare dhe mbrojti disertacionin e doktoratës më 1986.

Sipas biografisë në “Fjalorin enciklopedik të Kosovës” botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, profesor Vinca punoi si mësues dhe mësimdhënës në Strugë, në Kaçanik dhe në Ferizaj. 

“Më 1977 u bë punëtor shkencor në Degën e Folkloristikës në Institutin Albanologjik të Prishtinës deri më 1991. Ka mbledhur materiale të vlefshme folklorike si në vendlindjen e tij, ashtu edhe në shumë vise të tjera në Kosovë dhe në Maqedoni”, shkruhet në biografi. 

Po aty shkruhet se ai mori pjesë me kumtesa në shumë tubime shkencore. Nga folkloristika ka botuar veprat monografike: “Lirika popullore shqiptare e dashurisë” (1989), “Lirika popullore shqiptare e dashurisë në regjionin e Strugës” (1992) dhe përmbledhjen e artikujve studimorë “Mbi poetikën e folklorit shqiptar (1996), pastaj “Fabula të zgjedhura” (2001), “Antologji e lirikës popullore shqiptare gjithëkombëtare (2004) e të tjera. Botoi edhe një sërë përmbledhjesh me vjersha dhe poema për të rritur dhe fëmijë (“Dallgë jugu”, 1967). Përktheu në gjuhën shqipe disa vepra të letërsisë maqedonase, polake, kroate, serbe e të tjera. Por lista e librave që mbajnë emrin e tij është e gjatë. 

Shkrimet e Vincës ishin rrëmbyer nga magjia e artit poetik qysh në fillimet e tij kur do të botonte shkrime për fëmijë e të rritur në revistën “Pionieri’, në faqet për fëmijë të “Rilindjes”, si dhe në revistat “Gëzimi” e “Fatosi”. Por jehona e atyre shkrimeve do të shkonte dhe përtej vendlindjes së tij e në tërë trevat shqiptare. Kontributin do ta niste duke punuar në arsimin fillor,  pastaj do të angazhohej dhe në Gjimnazin e Strugës që nga dita e parë e hapjes (1 shtator 1960) si profesor i parë i atij gjimnazi për nëntë vjet, ku më pas do të largohej nga pushteti despotik i kohës në Maqedoni. Kështu do të niste kalvari i përndjekjes politike të Vincës, do të cenohej nga e drejta e lëvizjes e deri te ushtrimi i profesionit. Por veprimtaria e tij strehim do të gjente matanë kufirit, në Kosovë, me ftesën e kolegëve të tij. 

Kështu Vinca do të niste veprimtarinë e tij edhe në Kosovë si mësimdhënës në disa qytete.

Prej qëmtimit të poetikës deri te mbledhje e folklorit

I tërë ky opus krijues dhe ndërthurja e veprimtarisë së tij letrare e shkencore me atdhedashurinë ishin të parat që janë risjellë në vëmendje me të marrë lajmin për vdekjen e tij. Atë fillimisht e kishte konfirmuar e bija, aktorja Ilire Vinca.

“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë që babai jonë, prof. dr. Nuhi Vinca, u nda nga jeta me datë 9 korrik 2024”, kishte shkruar ajo. 

E mes të tjerash në vëmendje rikthehet dhe kontributi i tij si punonjës shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Vinca filloi punën në Institutin Albanologjik të Prishtinës më 1977, ku botoi 12 vepra diskursive të veçanta, nga të cilat tri janë monografi shkencore e tri antologji. 

Arbnora Dushi, udhëheqëse e Departamentit të Folklorit të IAP-it, e ka vlerësuar Nuhi Vincën veçanërisht në kontributin e tij të çmuar si studiues i lirikës popullore. 

“Autor i më shumë se dhjetë veprave letrare me krijime poetike, Vinca u shqua edhe për mbledhjen e krijimeve gojore lirike në terren, që rezultuan me një numër blejsh të botuar, por jo vetëm kaq. Figurën prej poeti e folkloristi të Nuhi Vincës e kompleton figura e tij prej studiuesi të folklorit, specifikisht studiuesi të lirikës popullore, të cilën ai e mblodhi dhe e studioi me subtilitetin e poetit e me dashurinë e birit për të amën, nga e cila e mori burimin dhe frymëzimin”, ka thënë Dushi për KOHËN. 

Sipas saj, kjo ndjeshmëri dhe dashuri e tij për folklorin dhe lirikën popullore, në veçanti, është vërejtur në secilin zhanër që e mblodhi, ku u mundua të gjejë dhe të nxjerrë në pah çdo fije poetike të atyre krijimeve. 

“Korpusin e veprave të tij diskursive Vinca e ka përmbyllur me monografinë ‘Poetika e lirikës popullore shqiptare’ (2007), të cilën Instituti Albanologjik e ka ribotuar me rastin e 90-vjetorit të jetës së tij. Kontributi i studiuesit Nuhi Vinca është i çmuar falë veprave poetike e folkloristike që i ka lënë pas”, ka thënë Dushi. 

Në veprimtarinë e tij shkencore veç të tjerash dallohen studimet e tij albanologjike, në veçanti ato të folkloristikës. Një vlerësim të këtij spektri të veprimtarisë së Vincës i kishte bërë dhe gjuhëtari dhe studiuesi Hysen Matoshi në një përvjetor të veçantë të Vincës në vitin 2021. 

“Një dimension tjetër me interes për punën kërkimore dhe studimore të Nuhi Vincës ndërlidhet me hulumtimet në terren që kishin për objektiv vjeljen e lëndës folklorike, pa u kufizuar vetëm në trevën e Strugës, duke përfshirë treva të ndryshme shqiptare. Në rrafshin e kontributit shkencor monografia ‘Lirika popullore e dashurisë’, e realizuar si temë doktorate dhe si projekt shkencor në kuadër të planit të punës të Institutit Albanologjik, përbën kryeveprën e prof. dr. Nuhi Vincës. Në dijeninë time kjo qasje është njëkohësisht studimi më shterues që i është bërë lirikës popullore shqiptare me temën e dashurisë”, kishte thënë e shkruar Matoshi. 

Sipas tij, interesimet e pastajme studimore të Nuhi Vincës janë të lidhura, po ashtu, me lirikën popullore, me poetikën e saj, me vlera të dalluara artistike të saj. 

“Sikundër edhe me aspekte krahasimtare të lirikës popullore shqiptare kundruall atyre të popujve ballkanas etj.”, kishte thënë Matoshi në fjalën e mbajtur në tryezën shkencore për nder të 90-vjetorit të lindjes së Nuhi Vincës, në nëntor të vitit 2021. 

“Këngë të ndryshme popullore” (në pesë pjesë) 1982, “Lirika popullore shqiptare e dashurisë” (monografi) 1989, “Lirika popullore shqiptare në regjionin e Strugës” (monografi) 1992, “Mbi poetikën e folklorit shqiptar” (studime dhe artikuj) 1996, “Antologji e lirikës popullore shqiptare të dashurisë” (antologji) 2001, “Antologji e lirikës popullore shqiptare” (antologji) 2004, “Poetika e lirikës gojore strugane” (studim monografik) 2006, “Poetika e lirikës popullore shqiptare” (studim monografik) 2007, “Vështrime për krijimtarinë gojore e të shkruar” (vështrime shkencore) 2013, si dhe “Për lirikën gojore erotike si teori dhe ballkanike në veçanti” në vitin 2020, janë disa nga veprat e tij shkencore në shërbim të folkloristikës shqiptare. Ndërkaq në biografinë e tij shkruhet se ai ka të përkthyera për lexuesit shqiptarë romane, poema e poezi, tregime nga letërsia kroate, serbe, polake, maqedonase e të tjera. Krijimtaria e këtij shkrimtari dhe studiuesi ka qenë objekt shqyrtimi nga ana e studiuesve të letërsisë dhe shkencës si nga akademik Rexhep Qosja, Esad Mekuli, Shefqet Pllana, Zini Sako, Petro Janura, Hasan Mekuli, Vehap Shita, Ali Podrimja, e shumë të tjerë.

Poet me shije të hollë artistike e estetike

Lajmi për vdekjen e Nuhi Vincës e ka rikthyer bashkëpunëtorin e mikun e tij Mehmet Halimi disa vjet pas, kur ka kujtuar kontributin e tij qysh në fillet e angazhimeve. E ka cilësuar si intelektual i cili kishte përdorur penën si “armën” e tij. Mes pasionit për librin e arsimin si profesion e mision, Vinca kishte arritur të edukonte breza të tërë. Ka kujtuar edhe fillimet e punës së Vincës në Institutin Albanologjik të Prishtinës. 

“Në vlugun e veprimtarisë së tij Nuhiu kurrë nuk u bezdis, nuk u rropat kur ai u detyrua ta linte Veleshtën, vendlindjen e tij të bukur dhe të gjente prehje të vëllezërit e tij në Kosovë. Fillimisht nisi punën në Kaçanik e në Ferizaj e pastaj në Prishtinë në IAP, ku përkundër vërejtjeve nga Qeveria maqedonase që mos ta pranojnë ai u mirëprit si vëlla, mik e dashamir, por mbi të gjitha si punonjës e si krijues produktiv i cili e arsyetoi besimin tonë me punë e vepra, e freskoi, e pasuroi Institutin me vepra poetike e folklorike. Ai e gjeti veten të sigurt e të lirë në hulumtim në gjirin e Institutit Albanologjik. Për profesor Vincën kam shumë kujtime, me të kam punuar 30 vjet, Nuhiun e nderova, e çmova si shok e mik besnik, një burrë të fjalës e të besës, në radhë të parë e çmoj si poet me shije të hollë artistike e estetike, i cili shkruan për tjerrje të mendimit e të mençurisë”, ka thënë Halimi në një prononcim për KOHËN. 

Sipas tij “vizioni i mendimit të tij ka qenë kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit e me subjektin ku ai shpalos aftësitë e një intelektuali me vlera e virtyte të larta”. E ka quajtur Vincën dhe si misionar të arsimit kombëtar, i cili përhapi kulturën e njohuri shkencore në mbarë kombin. 

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në një postim në Facebook ka shkruar se “vepra e tij do të lërë gjurmë në kulturën dhe shkencën tonë”.

“Profesor Nuhi Vinca ka shtrirë kërkimet e tij letrare-artistike e shkencore nëpër shtigjet më impresive të jetës, të dramave dhe të problemeve nga më të ndryshme. Por dashurinë njerëzore e ka gjurmuar mbase më shumë se shumë krijues e shkencëtarë, duke u përqendruar në dy shtigje – horizontalisht dhe vertikalisht, madje duke strukturuar anët më të imëta deri te ato më serioze në letërsi dhe shkencë. Publikoi më shumë se njëzet vepra letrare dhe gati po aq shkencore, që dëshmojnë pasionin e krijuesit dhe të studiuesit të zellshëm, pa të cilin sot ngeli kultura jonë, duke kujtuar e respektuar përherë kujtimin e tij”, shkruhet në postimin e LSHK-së. 

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës në vitin 2021 e kishte nderuar Vincën dhe veprën e tij me çmimin letrar “Esad Mekuli”. Por ky çmim që përcillet nëpërmjet emrit të doajenit të letërsisë së Kosovës, për Vincën do të merrte edhe një kuptim të veçantë e simbolik. 

Nuhi Vinca botoi librin e tij të parë në vitin 1964 “Këngë pune dhe pushimi”. Libri ishte pritur mirë dhe ai do të ftohej pikërisht nga Esad Mekuli që t’i sillte shkrimet e tij në Prishtinë për t’i botuar. Kështu në vitin 1967 në vitrinat e librarive në Prishtinë doli dhe libri me poezi “Dallgë jugu” nga Nuhi Vinca. 

Dhe dallga e tij në studime të folkloristikës e në poezi s’u ndal deri në të fundit frymë.