I shquar me qasje të re ndaj muzikës, njashtu siç e ka edhe emrin, “Nouvel Ensemble Contemporain” tok me 15 studentë nga Kosova në koncertin në kuadër të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë, kanë thurur magjinë e muzikës, fuqinë e saj. Ky është edhe misioni i ansamblit prestigjioz zviceran. “Kjo është ajo çfarë ka fuqi të bëjë muzika”, ka thënë udhëheqësi i ansamblit, Antoine Françoise
“Nouvel Ensemble Contemporain” ose shkurt NEC, e ka dëshmuar në radhë të parë emrin e mbi të gjitha pakufishmërinë e muzikës. Ansamblit prestigjioz zviceran, rezident i edicionit të tretë të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë, i janë bashkuar 15 studentë nga Kosova, në udhëtimin muzikor që ka lidhur rrëfimin për kahet e për muzikën e re. Kanë qenë pesë vepra në program, e shumë më shumë stile, kapërcime e teknika interpretimi. I gjithë konceptimi – në koncertin e së enjtes mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit – ka nisur në veprën e cila sjell pabarazi në tinguj dhe ka përfunduar me veprën e fundit që përcjell gjallëri e dramacitet në të njëjtën kohë. Nën udhëheqjen e Antoine Françoise, koncerti ka zbërthyer esencën e muzikës së re dhe bashkëpunimi i muzikantëve të rinj vendorë, ka qenë mundësi e mirë për hapjen e kapitujve të rinj në muzikë. Pesëmbëdhjetëshja, për një javë – sa kanë zgjatur sivjet aktivitetet e Garës së Kompozitorëve të Ballkanit që ka përfunduar të premten mbrëma me shpalljen e fituesit të “Rrëqebullit të Argjendtë”, Yll Daklani me “Wet Dreams” – ka qenë pjesëmarrëse e “DAMcademy – Shkolla për Muzikën e Re”.
“Earth Ears” e kompozitores Pauline Oliveros e hapi mbrëmjen. Gjithsej 27 artistë rrethuan publikun. Tingujt vijnë nga secila anë dhe karakteristikat e tyre bëjnë gjithë ambientin të ngjante pazakonshëm. Dikush me duar, të tjerë më zë e telin e instrumentit, kanë kontribuuar në krijimin e “Veshëve të tokës”. Sado që minimal të jetë tingulli që lëshon secili nga anëtarët e këtij formacioni, çdo muzikant ka peshën e vet në përthekimin e veprës. Bashkimi i të gjithëve, ndonëse në dëgjim të parë tingëllon në çakordim, ka për finale një vepër të kompletuar.
Publiku bashkë me muzikantët udhëtoi edhe me veprat e Nemanja Radivojeviq, Benoit Moreau, Nina Senk e Eric Wubbels. Pjesëtaret e ansamblit kanë qenë emrat kryesorë të mbrëmjes, pas veprës së parë në të cilën u paraqitën studentët nga Kosova. Me një koncert si ky, Atelia është shndërruar në një “galeri” muzike me ngjyra shumë.
“Në ditën e parë na kanë parë duke na pyetur se kush jemi ne dhe ditët në vazhdim na kanë dëgjuar dhe i kemi provuar bashkë instrumentet. Në pesë ditë, dy platforma të ndryshme janë bërë një. Kjo është ajo çfarë ka fuqi të bëjë muzika. Kështu që jam shumë i lumtur të jemi këtu me muzikën dhe të shoh kënaqësinë që ajo u jep njerëzve këtu. Shpresoj që kjo të ndihmojë që kjo lloj muzike të jetojë edhe këtu. Por kur shoh të rinjtë jam goxha i sigurt se do të jetojë”, ka thënë dirigjenti Antoine Françoise.
Ardhja në Kosovë ka qenë një ndryshim edhe për të. Pos punës ekipore të ansamblit, kësaj here ata punuan edhe me studentët nga Kosova, duke u dhënë atyre një tjetër perspektivë për muzikën, e duke u mundësuar të performojnë bashkë me ta. Gjithë këtë Françoise e ka përmbledhur me fjalën: “kënaqësi”.
“Ata janë të mrekullueshëm. Kur kam ardhur në fillim këtu, u kam thënë se nëse keni një ide më të mirë se timen, realizoni idetë tuaja dhe jo të miat. Dhe qysh atëherë, ata çdo ditë kanë një ide të re që e sugjerojnë dhe dëshirojnë ta provojnë e ta mësojnë. Edhe kjo që ndodhi sonte mendoj se ishte shumë më e mirë se sa e kam menduar”, ka thënë Françoise.
Ka thënë se repertori i koncertit ka qenë ai që e kanë të preferuar në ansambël.
“Disa pjesë janë të kompozuara për ne, disa të tjera janë të tilla që mendojmë se është interesante t’i sjellim para publikut, sepse janë të stileve të ndryshme dhe sjellin një anë më eksperimentale”, ka shtuar ai për programin që përcolli mbrëmjen.
I dashur pos për dirigjentin, programi ishte edhe për anëtarët e tjerë të ansamblit.
“Programi i sotëm ka filluar me një pjesë të kompozitores Pauline Oliveros që të bën të punosh më shumë me të dëgjuarit dhe meditimin. Është shumë interesant, sepse secili tingull i vogël të sjell deri te muzika. Është shumë meditive. Secili merr pjesë në të me secilin tingull, duke e bërë atë shumë të rëndësishme për veprën. Pas saj, luajtëm katër pjesë të ndryshme nga kompozitorët që i kemi në repertorin tonë. Shumë të ndryshme”, ka thënë flautistja Susanne Peters, që Gara e Kompozitorëve sivjet i ka dhënë po ashtu përgjegjësinë e anëtares së Jurisë.
Krejt punën në Kosovë dhe përgjegjësinë e të qenit pjesë e jurisë ka thënë se ia ka lehtësuar mikpritja.
“Jam ndier shumë e mirëseardhur. Të gjithë janë shumë të dashur. Studentët janë shumë entuziastë, të emocionuar dhe kuriozë për çdo gjë. Të gjithë të presin mirë dhe mund të flasësh çdo gjë me të gjithë që takohesh, qoftë edhe për herë të parë”, ka thënë Peters.
Ndarja e skenës bashkë me Antoine Françoise, Susanne Peters e shumë emra të tillë qe një mundësi e mirë për studentët. Përfitimet nga ky bashkim u shtrinë në dëshminë e potencialit dhe marrjes së aftësive të reja.
“‘DAMcademy’ ka qenë një eksperiencë shumë e mirë dhe e veçantë. Kemi pasur rastin të performojmë me artistë të kalibrit botëror, siç janë këta që u prezantuan sot. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë. Ishte me të vërtetë një sfidë e veçantë, shkaku që ka qenë hera e parë që kemi performuar në një mënyrë të tillë. Por e veçanta ka qenë që puna ekipore ka qenë shumë e mirë”, ka thënë baritoni Rigon Begolli, student në “DAMcademy”.
Ajo që në shqip do të thotë Ansambël i Ri Bashkëkohor (NEC) porosit dhe realizon vepra të reja të cilat pasurojnë repertorin e tyre dhe shtojnë kryevepra në repertorin modern e bashkëkohor. “Nouvel Ensemble Contemporain” bashkëpunon në projekte që ndërthurin muzikën, vallëzimin, teatrin, letërsinë, fotografinë, kinemanë, videon e arte të tjera.
“Nuk heziton të thyejë kufijtë e zhanreve muzikore duke bashkëpunuar me muzikantë të të gjitha horizonteve, nga baroku në elektronikën moderne, nëpërmjet muzikës folklorike”, shkruhet në prezantimin e grupit zviceran “Nouvel Ensamble Contemporain”.
Koncerti i këtij ansambli ka qenë ngjarja e dytë që ka sjellë edicioni i tretë i Garës së Kompozitorëve të Ballkanit. Të shtunën e kaluar nisi me koncertin ku Natyra Elezi në piano dhe Danile la Luz në elektronikë sollën veprën “Second Structure” të Frederic Rzewskit. Të mërkurën e kësaj jave përuroi edhe përmbledhjen dhe regjistrimin e veprave finaliste të dy edicioneve të kaluara, shoqëruar edhe me rishfaqjen e dokumentarit nga edicioni i parë i Garës, përderisa Zanë Abazi në flaut kishte sjellë veprën “TAH (they are here) të Bardh Dubovcit e Sussane Peters, “Mixordia 4 ‘transmitting’” të Tomislav Oliver. E para ka qenë fituese e Çmimit të publikut në edicionin e kaluar të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit. Ajo e kroatit kishte fituar Çmimin kryesor.