“The face of the other” është titulli i veprës së kompozitores Anda Kryeziu, e cila paralajmëron një zbërthim kompleks të njeriut të së sotmes. Ka të bëjë edhe me identitetin, diskriminimin, algoritme a Inteligjencë Artificiale. Aty është njeriu i të sotmes. “Prek tematikat e identitetit dhe diskriminimit racor, gjinor dhe heteronormativ, sidomos në ambientet digjitale dhe algoritmike”, ka thënë Kryeziu për veprën e saj, e cila do ta ketë premierën botërore në festivalin “Musik21 Niedersachsen” në Helmstedt të Gjermanisë
Veprat muzikore janë historikisht burime emocionesh, përjetimesh. Kompozitorët edhe qindra vjet pas vazhdojnë të rrëfejnë ndërsa veprat e tyre luhen. Në një formë i përgjigjen të sotmes, janë universale. Në kohë moderne, universale janë edhe veprat e kompozitores Anda Kryeziu, që po bën karrierë nëpër qytetet e emrave historikë në fushën e saj. Çështjet e identitetit dhe të diskriminimit racor e gjinor eksplorohen midis tingujsh në veprat e Kryeziut e një e ngjashme – “The face of the other” ka premierën botërore në festivalin “Musik21 Niedersachsen” në Helmstedt të Gjermanisë, që sivjet mbahet prej 7 deri më 10 nëntor.
Vepra e saj, siç e përshkruan vetë autorja e cila po zgjeron horizontet e saj në fushën e kompozimit, merr formë në peizazhe algoritmike. E artikulon identitetin e njeriun. Koncepti duket se shkon në dy ekstreme. Duke marrë kahe për te Inteligjenca Artificiale e duke u kthyer më pas në një aspekt më të prekshëm: atë të qenies së njeriut. E kjo qasje përkthehet si subjekt i paragjykimeve e diskriminimit.
“…akt i maskimit— si mbrojtje në një botë nën vëzhgim të vazhdueshëm”, është një pjesëz kuptimplotë me të cilën përshkruhet vepra e cila jehonën e parë do ta ketë në festivalin gjerman të muzikës.
Vepra e kompozitores Anda Kryeziu, e cila jeton e vepron në Gjermani, është vepër bashkëkohore muzikore, por edhe skenike.
“Është një vepër me format të gjerë dhe imersiv, me stacione të ndryshme të instaluara në një ndërtesë. Është e shkruar për ansambël ‘mix’, me instrumente akustike, por edhe elektronike. Gjatë veprës ka pjesë performative, por edhe instalative. Është me elemente të ndryshme të ndërthurura, si për shembull: tingull, instalacion i dritave, i videove e të tjera”, ka thënë autorja e veprës në një përgjigje për KOHËN.
Sipas shpjegimit të saj, pos anës muzikore, skenografia është pjesë artistike e veprës po ashtu. Për këtë pjesë është skenografja Susanne Brendel, me të cilën, siç ka treguar Kryeziu, ka bashkëpunuar për shumë vjet. Brendel është edhe kostumografe e artiste e fokusuar më tepër në mediumin e videos dhe në film të muzikës bashkëkohore. Siç shkruan festivali për të, fokusi i punës së saj është vënia në skenë e vendeve dhe burimeve ekzistuese, si dhe krijimi i situatave të larmishme.
Vepra “The face of the other” e Kryeziut është vepër e komisionuar nga ansambli muzikor gjerman “E-MEX”, nga i cili do të interpretohet në Musik21 Niedersachsen” që e nisi rrugëtimin më 2008.
“Është një ndër ansamblet me traditë të gjatë në Gjermaninë Perëndimore. Koncepti i veprës është i imi, përmban muzikë dhe tekste të mia, të ndërthurura në vepra multimediale dhe instalative. Tema e kësaj vepre prek tematikat e identitetit dhe diskriminimit racor, gjinor dhe heteronormativ, sidomos në ambientet digjitale dhe algoritmike”, ka bërë të ditur autorja e veprës nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.
Veprën e Kryeziut më 9 nëntor do ta luajnë Evelin Degen në flaut, Matthias Geuting në organo, Burkart Zeller në violonçel, Michael Pattmann në perkusione dhe Martin von der Heydt në piano elektrike. Këta janë edhe emrat që e përbëjnë ansamblin “E-MEX” të specializuar në muzikë bashkëkohore.
Ansambli është në skenat botërore tash e 25 vjet. Në prezantimin e tij shkruhet se ideja e punës së ansamblit është të punohet ngushtë në shkëmbim të drejtpërdrejtë personal me kompozitorët dhe të paraqesë pozicionet e muzikës bashkëkohore, me këtë rast duke prezantuar edhe premierat botërore të veprave.
“Gjithmonë kërkohen yjësitë e pazakonta dhe frymëzuese me muzikantë të jazzit, artistë të zërit dhe videove, valltarë, aktorë, argëtues, si dhe muzikë nga epoka dhe stile krejtësisht të ndryshme, të cilat krijojnë perspektiva të zgjeruara në formate të reja koncertesh dhe frymëzojnë një audiencë në rritje të vazhdueshme”, shkruhet në prezantimin e ansamblit “E-MEX”.
Është bërë e ditur se veprën “The face of the other” do ta luajnë këtë janar edhe në qytetin e Kölnit.
Kryeziu është aktive në skenën muzikore duke performuar edhe vetë veprat e saj. Më 26 tetor ajo ka luajtur veprën e saj elektro-akustike “Generate blush”, si dhe video-instalacionin “Default Image” në “Felicia Festival Magdeburg - Künstliche Intelligenz und Musik” në qytetin gjerman Magdeburg.
“Në ‘Felicia Festival’ kam performuar vetë kompozimin tim, me instrumente digjitale/akustike dhe me zërin tim. Është vepër eksperimentale elektro-akustike. Gjithashtu këtu e kam shfaqur një videoinstalacion, që e kam krijuar, që gjithashtu shoqërohet me muzikën që e kam kompozuar unë”, ka thënë Anda Kryeziu, kompozitorja e lindur në Gjakovë, që synon skenën muzikore ndërkombëtare.
Edhe për këto dy vepra, Kryeziu thotë se “shtjellojnë tema të diskriminimit dhe të pabarazisë racore, gjinore, që perceptohen nga databazat e Inteligjencës Artificiale”.
E lindur më 1993, Kryeziu do të ndiqte shkollën e muzikës që në hapat e parë në rrugën e edukimit. Shkollën fillore e kreu në Gjakovë, ndërsa atë të mesmen në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.
Në moshën 17-vjeçare ishte zhvendosur në Zvicër për studime në universitetin e shkencave dhe arteve “Hochschule Luzern” në degën e pianos. Studimet për kompozim i ka ndjekur në “Universität der Künste” në Berlin, ku edhe jeton.
Krijimet e saj përfshijnë veprën për orkestër “Tessellations” të shkruar më 2019, operën “Persona” e shfaqur premierë vitin e kaluar, vepra për solistë, për duo, trio, kuartet e ato për sekstet, vepra për ansambël të përzier, e ato që përfshijnë edhe elektronikë e multimedia. Ka punuar edhe muzikë për teatër, muzikë akusmatike dhe instalacione.
Për veprën e saj “Infuse: Playtime” në mars të këtij viti ka marrë Çmimin e qytetit të Stuttgartit për kompozim që i hap rrugë si kompozitore e re drejt sukseseve e depërtimit në skenën muzikore. Vepra për ansambël instrumentesh është vlerësuar nga juria për “intimitetin dhe brishtësinë e tingujve”.
Ngjarja me traditë dhe e cila vlerësohet të jetë njëra prej adresave nëpër të cilën kanë kaluar emra të shquar të fushës së kompozimit, sivjet e ka ndarë çmimin në tresh. Çmimi i 69-të ishte ndarë midis kompozitores kosovare Kryeziu, asaj kroate Sara Glojnariq dhe kompozitorit gjerman Thomas Stiegler. Por Kryeziu ka marrë edhe të tjera çmime po kaq të vlefshme.
Është shprehur e lumtur për pjesëmarrjen në këto festivale dhe për mundësinë për t’i shfaqur veprat e saj të formateve të ndryshme aty.
“Për momentin jam duke punuar në prapavijën e dy projekteve që do t’i shfaq në dy vjetët e ardhshëm në Austri, Francë dhe Kanada. Anash jam duke punuar në albumin tim të zhanrit eksperimental elektronik, të cilin do ta lansoj në vitin 2025. Dhe gjithashtu jam duke dhënë orë të kompozimit si profesoreshë e ftuar pjesërisht në universitetin ‘Hanns Eisler’ në Berlin, si dhe në Universitetin e Muzikës në Kopenhagë”, ka thënë ajo.
Angazhimet e Kryeziut po vazhdojnë derisa e promovon veten si kompozitore, por edhe si interpretuese. Ajo premton të tjera rrëfime muzikore në rrugëtimin e saj.