Kulturë

Një yll që shkëlqeu në çdo skenë

Me skeptrin e këngëtares avangardiste që krijoi në një kohë kur as s’mund të ndiqej e të kuptohej tamam, madje as nga kolegët e saj, Violeta Rexhepagiqi-Viki u tërhoq relativisht herët nga skena muzikore. Por guximi për të krijuar që përdalloi “ouvre”-in e saj muzikor, u tejçua i njëjtë edhe në botën e gazetarisë me raportim nga frontet e luftës e me dokumentarë si lëndë për histori. Me modestinë e saj për të qëndruar sa më larg vëmendjes, Rexhepagiqi, deri në vdekjen e saj të parakohshme, ishte e lidhur me miqtë, veçan artistët për të cilët vazhdonte të ishte frymëzim

Si krejt thurima e këngëve të “Vivienit”, edhe kënga e incizuar në një studio të Radiotelevizionit të Prishtinës, këtu e tridhjetë e tre vjet më parë, mban vulën që veç një artiste shijehollë dinte t’ia jepte.

Vetëm 23 vjet moshë, prishtinasja Violeta Rexhepagiqi me “Vjollcat” po jepte emocionet e një dashurie përsosurisht subtile.

“Asnjë fjollë nuk na ra në dorë/ ai liqen në mjegull ne nuk na takoi/ ujë të tij nuk patëm pirë asnjë pikë/ as drenushat tona rrugët tona s’i kanë gjetë, vetëm ne/ lulevjollcat nuk i këputëm jo, nuk i ngucëm dot”, jep teksti i këngës që bën bashkë muzikën pop me melos popullorçe ashtu sikundër edhe përmbajtja që shkëput një dashuri rinore nga urbanja ndër peizazhe të dëlirta liqenore.

Me ripërpunimin e këtij hiti të viteve ‘80, këngëtari Alban Nimani ka zgjedhur ta kujtojë artisten Violeta Rexhepagiqi të premten e 16 prillit, kur është bërë rrafsh një vit prej ndarjes së saj nga jeta.

E shoqëruar edhe me një klip domethënës që paraqet hapat e dy vetave që ecin mbi pllakat e xhamta në platenë mbi “Kurriz”, kënga rikthen nostalgjinë e viteve kur këngëtarja avangardiste po bënte histori për të cilën skena muzikore e vendit qëllonte të ishte e pamjaftueshme.

“Ky është një dedikim për një diamant që ka pasë Kosova, e cila vdiq para një viti”, ka shkruar Nimani në llogarinë e tij në “Facebook”.

Këngëtari, bashkëthemelues i grupit “Asgjë sikur Dielli”, ka bërë me dije që kjo këngë është një demo e realizuar në shtëpi gjatë izolimit të vjetshëm.

Me këtë rast Nimani ka falënderuar edhe Dardan Ibrahimin, Lum Çitakun, Armend Smajlin dhe Tristan Halilajn për realizimin e videos artistike.

“Dedikimi më i bukur shqip i dashurisë”

Nimani ende e ka të freskët keqardhjen kur mësoi lajmin për vdekjen e Violetës: ishte ajo që te bendi “Asgjë sikur Dielli” kishte qenë prore në setlistë.

E atëherë kur të gjithë ishin mbyllur në izolim, ai kishte ndarë mendjen që t’i bënte një dedikim artistes duke zgjedhur këngën që e kishte pasur më së shumti për zemër.

“Mendoj se teksti i kësaj kënge është një ndër dedikimet më të bukura dhe të ndjeshme të dashurisë në shqip”, ka thënë Nimani për KOHËN. “Prandaj edhe versionin tim vendosa që ta bëj më të ndjeshëm, të ngadalshëm dhe më intim, ndoshta edhe për shkak të mërzisë për Violetën”.

Ndërsa institucionet e kulturës nuk e shënuan me ndonjë ngjarje ditëvdekjen e saj – por një shkrimi në ueb-faqen e Ministrisë së Kulturës – Nimani ka thënë se duhet të vlerësohet e mbahet gjallë trashëgimia sado modeste që është.

“Motivim për krijimtari”

Me ripërpunim e krijim këngësh, Viki prej vitesh po vjen e rizbuluar nga artistë të brezit të ri. Një vit para se të vdiste ajo, këngëtari Shpat Deda me rastin e festave të fundvitit kishte interpretuar këngën e saj “Nuk të harroj”.

Përherë frymëzuese për të gjithë, edhe muzikanti Tomor Kuçi e kishte gjetur veten të ngacmuar që të qëmtonte thesaurusin e repertorit muzikor të para tri dekadave. Rikrijimi i hitit tjetër emërmadh “Të dua” ishte zgjedhur si mënyrë artistike për t’i thënë faleminderit këngëtares që theu barriera.

Një vjet më vonë Kuçi ngulmon që trashëgimia e Violetës është tepër e rëndësishme, e tillë që ofron shumëçka për të mësuar. Si muzikant e krijues ai ishte ndier i frymëzuar jo vetëm prej muzikës së Rexhepagiqit, por edhe qëndrimit që përçoi me veprimtarinë e saj.

“Sa herë e kujtoj, ndihem shumë i lumtur që e patëm një njeri të tillë dhe motivohem për të vazhduar krijimet muzikore për veten dhe të tjerët”, thotë Kuçi për KOHËN.

Sado që nuk e kishte njohur personalisht Violetën, si dëgjues i pasionuar i këngëve të bendit “Vivien”, ai ende gjen te muzika e tyre “ndjenja të vërteta e guxim”, një burim përhershmërisht frymëzues.

Po kështu, Kuçi mendon se pop-ikona e muzikës së viteve ’80 duhet të kujtohet me rikrijim këngësh, organizim koncertesh me këngët e saj dhe publikime të ndryshme nëpërmjet të cilave dokumentohet veprimtaria e saj.

“Kjo do të ndihmonte edhe në atë që brezat e rinj të njihen më shumë me muzikën e Violetës, prej së cilës të gjithë mund të mësojnë shumë, jo vetëm për muzikë, por edhe për jetën në përgjithësi”, shton ai.

“E lindur para kohe”

“Sa i çmuar dhe me vlerë është ai popull që përkujton e nuk lejon të harrohet e kaluara e tij krijuese artistike”, thotë gazetarja shumëvjeçare Antigona Qena-Kaçaniku. Në këto fjalë ajo shpreh edhe një lloj keqardhjeje për ata artistë e krijues që, ani pse përbëjnë lëndë mburrjeje, shpesh lihen në harresë.

“Violeta ishte një shpirt artisti me nuancat më të bukura, e lindur shumë para kohe, kishte dukje engjëllore me një karakter të fortë, e gatshme të eksperimentonte në mënyrë rebeluese, shumë para të tjerëve, me veshje avangarde, me flokët e ngjyrosur verdhë, zi e kuq, me makiazh emblematik”, nis ajo bisedën për KOHËN teksa ka konsideratat më të larta për Rexhepagiqin. Artisten që në jetën e saj të shkurtër, por ngjarjeshumë, ishte kompozitore, tekstshkruese, këngëtare, instrumentiste, moderatore e në fund edhe gazetare dhe reportere nga vatrat e luftës.

“Ishte e para femër shqiptare që mori kamerën në dorë dhe xhiroi storiet e saj nga terreni, e po ashtu e para që vetë i montoi ato”, kujton Qena-Kaçaniku punën gazetareske të Rexhepagiqit.

“Më çdo projekt jepej me gjithë qenien e saj dhe krijoi perla muzikore që do t’i bëjnë ballë kohës”, shton pas pak.

Ndërsa biseda rrjedh në shtjellën e vet, Qena-Kaçaniku e quan si përparësi që të rinjtë sot kanë mundësi t’i dëgjojnë këngët e Rexhepagiqit të viteve ’80. Ishte një kohë kur, sipas saj, edhe këngëtarë të nacionaliteteve të tjera zunë ta kopjonin prishtinasen e guximshme.

Sado që ishte tërhequr nga kamerat, dhe paçka se punoi në Radiotelevizionin e Kosovës, thuajse asnjë medium nuk e ftoi atë për ta sfiduar gjenialitetin e saj.

“Kështu shkuan e po shkojnë njerëzit që dikur pasuruan aq shumë, me talentin e punën e tyre, historikun artistik të këtij vendi”, thotë Qena-Kaçaniku teksa zbulon pezmatimin e saj me njerëz që vetëm në raste vdekjesh, brenda një dite të vetme, shfrytëzojnë rastin të deklarohen e promovohen me fjalë miradije për krijuesit që nuk janë më.

“Çdo popull mban shpirtin e vet, në traditën dhe historinë e tij, po ia tjetërsove e harrove të kaluarën, ke vrarë edhe shpirtin e atij popullit”, thotë Qena-Kaçaniku.

“Ajo ishte e gjithanshme”

Gazetari Rilind Gërvalla – që ishte koleg pune me Rexhepagiqin – thotë se Violeta kishte një botëkuptim tjetër për përditshmërinë: dhe paragjykimi që iu bë artit të saj sikur ishte çmimi që duhej të paguante për faktin e të qenit e “jashtëkohshme”.

“Që në vitet ’70 ajo ishte në trend me botën, e lëre më me ish-Jugosllavinë ku ishte ikonë e muzikës si në paraqitjen skenike, si për zhanrin që kultivonte”, thotë Gërvalla për KOHËN.

Megjithatë, muzika e saj vazhdon të jetë pamjaftueshëm e njohur: sipas Gërvalles, fajet këtu i kanë sa Fakulteti i Arteve, po aq edhe mediumet. Sipas tij, profesorët do të duhej t’i inkurajonin studentët që të analizojnë muzikën e Rexhepagiqit, ashtu sikundër edhe tekstet dhe kompozimet e saj.

“Historia e rockut duhet të shkruhet dhe regjistrohet nga mediat. Sot bashkëpunëtorët e saj janë dëshmitarë”, shton Gërvalla teksa shpreh bindjen se këngët e saj mund të bëhen coverë e të këndohen gjithandej në versione të reja.

Dhe dorë për dore me Violetën këngëtare ecën edhe Violeta si gazetare hulumtuese.

“Ajo ishte e gjithanshme”, vlerëson Gërvalla, duke nënkuptuar edhe dokumentarët e saj të realizuar fill pas luftës.

“Ajo kishte dëshirë të madhe të vazhdonte dokumentarin e saj për mbijetesën e një vogëlusheje nga Llapi, kur ishte bombarduar autobusi me familjarët e saj mbi urën e Lluzhanit. Ajo donte të shkruante edhe tekste këngësh”.

Për Gërvallën, shteti është ai që duhet ta çmojë si vlerë Violetën, por jo vetëm duke e dekoruar me ndonjë çmim.

“Institucionet duhet të shpallin konkurs që krijimtaria e saj të botohet. Një rrugë e kryeqytetit do ta nderonte atë me emrin e saj”, ka thënë ai.

Revolucionare në art, e guximshme në gazetari

Kolegia e saj, tash redaktore në RTK, Minire Fetahu, thotë se trashëgimia artistike e Rexhepagiqit është e pranishme tek një shtresë intelektualësh e artistësh, ata që e ndërmendin Vikin si artiste, këngëtare, gazetare e kantautore. Një revolucionare në artin muzikor të kohës me atributet e saj si e patrembur dhe këmbëngulëse. Dhe është edhe gazetaria, sipas Fetahut, fusha ku spikati talenti i saj. E tillë që raportoi nga Rumania, Gjiri Persik, Kroacia, Bosnja e nga vende të tjera.

“Ajo arriti të shkelë në tokat ku bëhej luftë, e të paktë ishin ata që kishin mundësi të depërtonin”, thotë Fetahu.

Kur bëhet fjalë për trashëgiminë artistike të së ndjerës, Fetahu ka bindjen që janë mediat ato që mund të përçojnë veprën e artistit tek gjeneratat e reja. E si Violeta, edhe artistë të tjerë që nuk janë më gjallë të njihen tek të rinjtë.

“Nuk mund ta njohësh artin e huaj pa e njohur atë tëndin”, shton Fetahu.

Biseda sërish kthehet te vlerat që Violeta i solli artit shqiptar, “diçka e veçantë që do t’u rezistojë kohës dhe hapësirës”.

Sipas Fetahut, kënga e saj ka elemente të melosit popullor që më pas u bashkëshkrinë me elemente të muzikës moderne.

“Ajo kishte një stil në hap me kohën, një paraqitje të bukur skenike e veshje unikale. E tillë që do të mbetet ikonë e muzikës jo vetëm në Kosovë. Një yll drite që shkëlqeu në çdo skenë…”.

Fetahu i mëshon nevojës që televizionet dhe mediat e tjera të bëjnë emisione dokumentare, të tilla që do të ishin antidot për harresën e krijimtarisë së saj.

Sipas saj, edhe “Ministria e Kulturës mund të kontribuojë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të artit muzikor përmes një fondi të veçantë”.

E në këtë trashëgimi të lënë pas, në radhë të parë janë këngët që dëgjohen edhe sot.

“Brenda tyre ka një tregim, ngjarje, një histori”, thotë Fetahu teksa ndërmend këngën e interpretuar nga Violeta e Armendi, vëlla e motër, të quajtur “Kënga e fundit”.

“Por prapë janë mediat që kanë rolin kryesor te vlerat. Ato mund të ngrisin lart në qiell, por edhe mund të zhvlerësojnë brenda natës”.

E lindur më 16 shkurt 1965 në Prishtinë, Violeta Rexhepagiqi do t’i niste mësimet në shkollën fillore “Faik Konica” krahas ndjekjes së shkollës së ulët të muzikës.

Më pas do të regjistrohej në drejtimin matematikor në gjimnazin “Xhevdet Doda”, ndërkohë që do të studionte për psikologji në Sarajevë.

Ka interpretuar rreth 40 këngë për fëmijë, ndërsa zëri i saj kishte “ngjyrosur” plot personazhe në radiodrama të ndryshme për fëmijë.

Në vitin 1984, bashkë me vëllanë e saj, Armendin, do të krijonte bendin “Vivien”. Si emër ishte zgjedhur ai i Vivien Leighut, aktores së zemrës për Rexhepagiqin.

Ky grup katëranëtarësh, bashkë me Luan Osmanin (bas kitarist) dhe Petrit Rizën (baterist), do të bënte emër jo vetëm në skenën muzikore në Kosovë. Grupi mori pjesë në emisionet e famshme të asaj kohe “Stereovizija” (Zagreb) e “Hit meseca” (Beograd). Në vitin 1986, si 21- vjeçare, ajo do të merrte pjesë në përzgjedhjen jugosllave të këngës që do ta përfaqësonte Jugosllavinë në “Eurovision”.

E kënduar në shqip, kënga “Nora” do ta rendiste të shtatën në ranglistë.

“Ka qenë shumë e bukur dhe tragjike”, e kujtonte këtë situatë shumë vjet më vonë. “A ka më keq sesa kur dëgjon prej anëtarëve të jurisë që pyesin se a mundet kënga shqipe ta përfaqësojë Jugosllavinë në ‘Eurovision’? Ishte zhgënjim aq i madh dhe ti e di që je ajo”.

Edhe në edicionin e radhës për “Eurovision”, ajo performoi me këngën “Nuk të harroj”, e cila u rangua në vendin e 20-të. Më mirë doli kënga “Fedora”, e shpalosur si pjesë e grupit “Vivien”, që u rangua në vendin e 13-të.

Pas uzurpimit të Radiotelevizionit të Prishtinës në kohën e masave të dhunshme të Serbisë, edhe Rexhepagiqi pati fatin e qindra mijëra shqiptarëve që u flakën në rrugë.

Por së shpejti ajo do të niste punën si korrespondente e “TV Sky News” për t’u angazhuar edhe në agjenci lajmesh si “News Network” e “WTN”.

Profesionin e saj e kishte përshkruar si tejet të vështirë. “Ishte shumë e vështirë, sepse njerëzit asokohe nuk ishin të mësuar që femrat të jenë gazetare”, tregonte Rexhepagiqi për punën e saj në terren.

Në një intervistë të para disa vjetëve, ajo ka evokuar një rast se si i kishte shpëtuar demonstruesit shqiptarë ndërsa ishte duke xhiruar në rrugë.

“Shpesh më ka ndodhur të isha e pranishme edhe në demonstrata. Atyre që ishin aty iu thosha që ta kthenin kokën në anën tjetër, në mënyrë që të mos iu shihej fytyra. Kishte shumë gazetarë që i xhironin fytyrat dhe pastaj policia i burgoste. Duhej të kisha kujdes në këtë profesion që të mos iu sillje të këqija njerëzve”.

Vitet në vijim do ta shpinin atë edhe në fronte të nxehta të luftës. Kështu, në bagazhin e saj gazetaresk janë reportazhe vivide nga Vukovari, Spliti e vende të tjera të luftës, ashtu sikundër edhe intervista me kriminelë lufte si Zheljko Razhnatoviq, i njohur si “Arkan”, ish-diktatorin irakian, Saddam Hussein etj.

Në artikullin “Mozaiku dhe gjurmët që nuk shlyhen”, të botuar në KOHA si fejton në vetën e parë, në tetor të vitit 1994, Rexhepagiqi kishte rrëfyer me ngjyra të gjalla për bombardimin e qytetit të Splitit nga forcat serbe, por edhe përvoja të tjera.

“Ishim të vendosur në hotelin 'Split', atë natë kur nga orët e mesnatës më zgjuan nga gjumi detonimet aq të forta, saqë nga fuqia e tyre e madhe filloi të 'lëvizë’ çdo gjë në dhomë, thuajse është tërmet i shkallës më të lartë të Rihterit. Duke u mbajtur për muri dhe për pjesët e tjera të mobileve, ia dola që t'i afrohem dritares. I tërë mundi im ishte i kotë, sepse terri e kishte mbështjellë Splitin, andaj nuk lejonte dëshmitarë”, kujtonte në atë seri shkrimesh. Gjatë kësaj kohe, ajo kishte intervistuar edhe kriminelin serb Zheljko Razhnatoviq, që njihej me emrin “Arkan”.

Duke rrëfyer vite më vonë, Rexhepagiqi kishte thënë se nuk kishte ditur si të reagonte kur ishte takuar me të.

“Aty tha se me Kosovën do të ndeshemi në fund, Kosova do të ketë luftë kurdo”, kujtonte Violeta fjalët e kriminelit serb.

Përveç punës së saj në RTK, Viki ishte tërhequr nga jeta publike. Me të rrallë ndonjë intervistë për media, artistja dukej sikur po mjaftohej me vetminë. Sepse si e vetmuar edhe kishte mbërritur majat në një kohë që pak e kuptoi…

Botuar në Shtojcën për Kulturë në “KOHA Ditore” vitin e kaluar, në njëvjetorin e vdekjes së Violeta Rexhepagiqit. Ribotohet me rastin e dyvjetorit të vdekjes