Katër prej pesë artistëve në “Një vend pa mure” – që është hapur të premten mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës – lidhjen me Kosovën e kanë shpirtërore. Aty janë rrënjët e tyre familjare, por nëpërmjet gjuhës universale të artit, ato i përkthejnë kujtimet, shenjat e që një vizitë e shumëçka tjetër. Me kurator Shkëlqim Qestajn, artistet Djellza Azemi, Anjesa Dellova, Anita Muçolli, jpp (Xheneta Imeri) dhe francezja Kelly Tissot, ndajnë me publikun këndvështrimet për hapësirën a për vendin
Legjenda të murimit të gruas, gjëma burrash, shtretër morgësh, shkallë nga Kalaja e Prizrenit, speca ajvari të Krushës, udhëtime drejt “fundit të botës”, kafaze kafshësh e shumëçka tjetër ka zënë vend në Galerisë Kombëtare të Kosovës me “Një vend pa mure”.
Diaspora kësaj here ka sjellë me vete vepra të ndryshme arti, teksa me anë të simbolikave ka dëshmuar lidhjen me vendin e prejardhjes. Nga pesë artistet e kësaj ekspozite, katër janë shqiptare, të lindura e që jetojnë jashtë trevave shqipfolëse.
Në hyrje të sallës ku janë ekspozuar veprat e pesë artisteve – Djellza Azemi, Anjesa Dellova, Anita Muçolli, jpp (Xheneta Imeri) dhe francezja Kelly Tissot – vepra “Wallpaper” është shenja e parë që konfirmon hyrjen në të. Tapiceria që ka veshur katër muret e veçuara të sallës: një pikturë ku mund të shihet një shtëpi me dy pisha përpara dhe shkronjat e alfabetit përreth kornizës, është shumëfishuar në qindra piktura të vogla, identike.
“Se ka gjithmonë vende për t’i dashtë/ Të tjera për me dashtë njani-tjetrin/ Të tjera për me i lexu sekretet e dikujt me za/ E qindra të tjera për të qarë me gëzim a vaj”, janë vargjet me të cilat Shkëlqim Qestaj nis tekstin kuratorial. Sikurse edhe katër artistet shqiptare edhe Shkëlqimi jeton në Zvicër dhe Kosovën e viziton jo fort shpesh. Përveçse kurator, Qestaj është edhe ideatori i kësaj ekspozite dhe ai që ka bërë bashkë pesë artistet. Nëpërmjet vargjeve ai sikur zbërthen kuptimet e veprave sepse secila prej tyre tregon diçka: një vend të dashur, një përjetim nga jeta personale, udhëtim, bisedë, një qëndrim e shumëçka tjetër. Më shumë se gjithçka ekspozita ofron pikëpamje të ndryshme të mënyrës se si disa objekte, situata, rituale apo diçka elementare, shihen nga sytë e artistëve.
“Pa mure, sepse arti është universal. Është shumë figurative. Ka të bëjë me hapësirën dhe atë se si e mendon vendin kur je artist. Si e sheh shkallën në një Kala në Prizren apo qysh e sheh një kafaz që e ke parë në Francë, një video në Prizren. Pra, si e sheh një vend kur je artist. Si e sheh atë hapësirë dhe si e punon atë”, ka thënë kuratori Shkëlqim Qestaj, i cili studion artet pamore në L'école cantonale d'art de Lausanne (ECAL) në Lozanë.

Përveç rëndësisë artistike, ekspozita “Një vend pa mure” ka pasur edhe një peshë tjetër për Qestajn. Kjo është hera e parë që si arsye të ardhjes në Kosovë e ka artin.
“Nuk vij shumë shpesh në Kosovë, sepse jam lindur e jam rritur jashtë Kosove. Ka qenë shumë punë e madhe që të vij në Kosovë. Prindërit e mi e kanë lënë Kosovën tash e 35 vjet, e fakti që unë kam ardhur përsëri në Kosovë dhe kam hapur një ekspozitë me katër shqiptare ka qenë diçka shumë e rëndësishme, sepse kultura e Kosovës është kultura ime. Jam rritur me kulturë shqiptare”, ka thënë ai mes emocioneve të shumta meqenëse kjo ishte hera e parë që ai po fliste për artin në shqip.
Për veprat e saj, Anjesa Dellova ka zënë njërin prej mureve ndarëse të Galerisë. Pikturat që zënë një të tretën e faqes, pasqyrojnë gjëmën e burrave. Në të parën me titull “O HO HO HO HO”, shihen tre burra që kapin veshët e shkulin flokët. Në të dytën “Ë HË HË HË HË HË” janë pikturuar katër burra duke rrahur gjoksin ndërsa në të tretën, “A HO HO HO” tre burra që kapin hundën. Triptiku vaj në pëlhurë dominohet prej së kuqes dhe nuancave të saj.
“Jam duke punuar një tematikë që ka shumë domethënie me këtë vend. Nuk jam vetëm duke paraqitur diçka, por i kam marrë gjëmat që i bëjnë burrat për të reflektuar diçka mbi këtë temë dhe me pikturu rreth këtyre gjesteve të dhimbjes, që japin një formë të saj. E kjo më ka interesuar rreth punimit. Në përgjithësi më intereson se si e përfytyrojmë fytyrën e tjetrit, edhe të kafshës, por edhe këtë ndjeshmërinë e fytyrës. Por ideja nuk është vetëm për të vizatuar fytyra, ta bëjmë një portret. Ideja është me shku më larg, me kuptu dhe m’i kap përjetimet e fytyrës”, ka shpjeguar Dellova, që jeton në Lozanë. Ka thënë se kur pikturon i pëlqen të kursejë ngjyrat, e më shumë të luaj me vrazhdësinë e brushave.
Anita Muçolli idenë e thur me materiale më të forta që ngjallin një lloj ftohtësie. Katër veprat e saj janë marrin formë prej metalit në kombinim me xhamin, ndërsa vetëm njëra prej tyre, vjen ndryshe. Bëhet fjalë për një zog tejet realist, i cili qëndron në tavan, mbi hapësirën ku gjenden veprat e saj.
“Puna imë është fokusuar në atmosfera higjienike, sterile. Atmosfera që paraqiten pak si spitale, laboratorë ose veterinare. Unë punoj me metal që një vit. Po më duket një material shumë interesant, sepse po e krijon atë atmosferë që unë po kam qejf me e kriju”, ka thënë ajo.
Në njërën prej tyre mund të shihen ca si lloj raftesh, të vendosura njëri mbi tjetrin. Që të gjitha të zbrazët.
“Këto pjesë janë si kafaze që përdoren për eksperimente me shtazë, me lepuj. Në anglisht quhet ‘pyrogen test’ dhe është një test që bëhet për shembull kur ka vaksina të reja, se a mundet ta provokojë ndonjë alergji, apo infeksion. Domethënë ata ia japin së pari lepurit për ta parë se si reagon lepuri e pastaj e kontrollojnë atë. Përmes saj kam dashur ta realizoj lidhjen që e kemi ne si njerëz modernë me diskriminimin ose maltretimin e kafshëve”, ka thënë Muçolli.
Legjenda e Rozafës, Kalaja e Prizrenit e Gratë e Krushës përbëjnë triptikun e asaj që ka motivuar Djellza Azemin. Që të tria janë të lidhura për mur. Pa të ato s’kanë kuptim.
“Për dy veprat e mia, kjo me duar dhe ajo me një spec, jam frymëzuar nga legjenda e Rozafatit që është nëna që e mbyllim në mur. Këtu janë duart e mia dhe ideja ka qenë që të jetë brenda murit. Kur afroheni mund të shihni se nëpër vrimat e dërrasës janë ca pasqyra si diçka për t’i befasuar vizitorët”, ka shpjeguar ajo veprën “Unittled”, ku dy duart duket sikur kërkojnë të dalin prej muri.
Përkrah tyre, janë shkallët. Dërrasa e parë e saj është e çarë dhe ngjitja e tyre nuk çon kund pos përballë murit.
“Verën e kaluar kam qenë në Kalanë e Prizrenit, për herë të parë dhe i kam parë ca shkallë kështu të thyera dhe më është dukur interesant sepse janë dukur të vjetra sa Kalaja. Kam dashur të paraqes si një kohë që kalon dhe që ka mbetur jashtë për një kohë të gjatë dhe që koha ka reaguar në të: në ngjyrën që është bërë e vjetër, shkalla e parë e thyer e të tjera”, ka thënë Azemi.
Artistja që jeton e punon në Gjenevë, Xheneta Imeri, apo siç njihet, jpp, në “Një vend pa mure”, godet me video e provokon me titullin “bout-de-monde”. Rrëfen për një histori personale të artistes.
“Emri i videos është ‘bout du monde’ që i bie ‘fundi i botës’ dhe këtë emër ka një stadium në Gjenevë ku unë kam ushtruar me babin tim: ku kemi folur, ku kemi diskutuar dhe kemi mësuar shumë gjëra: për vrapim, për jetë, për emocione e të tjera. Në këtë video kam dashur të flas për rrugën që babai im e ka bërë nga Maqedonia në Zvicër dhe si ka ardhur deri në Zvicër dhe se si e ka pasur të vështirë për t’u pajisur me nënshtetësi dhe se si vrapimi e ka ndihmuar për t’i fituar ato”, ka shpjeguar Imeri.
Artisti e profesori universitar Mehmet Behluli ka thënë se është kënaqësi që këta artistë të rinj me rrënjë nga Kosova, vijnë me këtë ekspozitë bashkëkohore.
“Ekspozita më duket shumë atraktive, shumë interesante, e cila është gjithherë në rrjedhat e artit bashkëkohor por mua më vjen veçmas mirë që artistët e rinj këtu, pasi mundësitë për të udhëtuar i kanë të vogla, të shohin se si edhe këta tanët kanë një korrespodencë, gjuhë të ngjashme artistike e cila sot është globale falë komunikimit bashkëkohor e teknologjive të reja”, ka thënë Behluli.
“Një vend pa mure”, ka hapur dyert e artistëve të diasporës në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe aty do të jetë deri më 25 prill.