Janë dy histori që kanë një emërtues të përbashkët: krimet që nuk kursejnë as fëmijët. Njëri u pushkatua nga serbët në fillim të shekullit XX, tjetri mbijetoi në fillim të atij shekulli. Një këngë e moçme do ta ndiqte gjatë Besnik Mustafajn, romani nuk shkruhej dot përderisa rrëfimi i dhjetëvjeçarit që i mbijetoi masakrës më 1999, “i kërkonte” të shkruante. “Një roman i pamundur” bëhet i mundur si larje borxhi e si vepër e denoncimit
Dy tragjedi në dy skajet e shekullit XX janë subjekt i librit më të ri të autorit Besnik Mustafaj. Në fokus: dy fëmijë që përjetojnë dy masakra në kohë të ndryshme. Njëri nuk i shpëton, e tjetri që i mbijeton bëhet shkas që të dyja historitë të përmblidhen në libër.
“Një roman i pamundur”, i Mustafajt është përmbledhje e copëzave të rrëfimeve që tek autori kishin ardhur në kohë krejtësisht të ndryshme, por që kishin lënë gjurmë të thella tek ai. Këto dy histori ndonëse në distancë kohore me njëra-tjetrën, tek autori pasqyrohen si dy histori të lidhura fort me njëra-tjetrën. Libri manifeston përpjekjen e autorit për një roman të pamundur. Në thelb ka obsesionin e autorit për disa dekada për një projekt-roman. Libri nis të tregojë për fatin i një shqiptari të lindur në çerekun e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe të pushkatuar natën nga serbët fare pak kohë pas shpalljes së Shqipërisë shtet të pavarur. Ishte pushkatuar së bashku me disa shqiptarë të tjerë myslimanë. Me vete kishte pasur edhe fëmijën dymbëdhjetë a trembëdhjetë vjeç. Historia e tij ishte bërë subjekt i një këngë që autori Mustafaj ishte i detyruar të dëgjonte si fëmijë. Gjyshja e tij nuk lejonte zë tjetër kur luhej kjo këngë në radio. Të gjithë familjarët e tjerë e respektonin këtë vendim të gjyshes. Ngjarja që tregohej në këngë kishte ndodhur në vendlindjen e saj, një fshat në kufirin e sotëm të Malit të Zi me Shqipërinë dhe Kosovën. Përshkruhen çastet e fundit të një fëmije (Shog Sokolit), i cili ia thotë shumë bukur këngës. Derisa gërmojnë në varrin e përbashkët, ai nuk ndalet. E babai nuk ia prish momentet e fundit, duke ia fshehur qëllimin e krijimit të gropës. Këtë histori, Mustafaj ishte munduar shpesh ta nxjerrë nga vetja, por asnjëherë të plotë sa për ta bërë një roman. Autori Mustafaj vetë në libër e thotë se nuk ka arritur deri sot ta shkruajë këtë novelë. Nuk është i sigurt nëse ndonjëherë do ta bëjë. Por, për një gjë është sigurt që prej saj nuk kishte hequr dorë tash e një kohë. Është i bindur se as nuk do ta bëjë ndonjëherë. Ky libër për të është edhe si një larje borxhi ndaj gjyshes nga ana e babait. Edhe si një lloj larjeje borxhi ndaj rinisë së tij. Kështu e ka vlerësuar vetë autori Mustafaj librin e tij, “Një roman i pamundur” që është përuruar të martën pasdite në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë.
“Kam dashur të them se e kam shumë seriozisht këtë preokupim si njeri. E kam seriozisht nga ana estetike si shkrimtar. Kam dashur ta laj si borxh ndaj gjyshes sime. Kam dashur të tregoj se si shqiptar dhe malësor jam serioz në qasje”, ka treguar Mustafaj, i njohur edhe si politikan e diplomat. Libri është i shkruar me një gjuhë të thjeshtë që arrin të shpjegojë në detaje më shumë se ngjarjet, edhe perspektivën e ndjeshmërinë e autorit ndaj tyre. Përshkruan edhe pamundësinë e krijimit të romanit nga i cili Mustafaj as s’ishte shkëputur as s’kishte qëndruar në të. Në periudha të ndryshme të rinisë, Mustafajt i ishte dukur se kjo novelë ishte gati të lindë.
“Kur përfundova maturën, fillova të merresha me letërsi dhe kisha shumë dëshirë ta shkruaja këtë histori. Por, në disa etapa të jetës sime reflektoheshin konceptet zyrtare, sepse unë isha pjesë e një sistemi estetik, siç ishte sistem politik, koncepti për ‘heroin’. Një periudhë nuk arrija të shkruaja, sepse nuk gjeja ‘hero’ aty, sepse askush nuk përleshet me ushtrinë serbo-malaziase, nuk nxjerrin thikat e shpatat. Unë tentoja sipas evolucionit tim të gjeja këndvështrime të ndryshme se si ta shkruaj këtë dhe nuk arrija ta shkruaja”, ka thënë Mustafaj në përurimin e librit në Prishtinë.
Ishte lufta e fundit në Kosovë, fundvitet e ’90, ato që e kthyen Mustafajn te sinopsisi i një proze të rinisë që nuk i kishte hyrë në punë në shkrimet e mëtejme. Leximi i një artikulli në të përditshmen shqiptare “Koha Jonë”, më 2 maj 1999 trajtonte fatin e 10-vjeçarit, Dren Ceka nga Gjakova, i cili rastësisht kishte shpëtuar i gjallë në mesin e 21 kufomave, njerëz të masakruar e më pas të djegur në shtëpinë e tyre. Djaloshi i zhvendosur në Tiranë kishte dëshmuar për gazetën tmerrin e përjetuar. Imazhi i tij në gazetë autorin Mustafaj e kishte kthyer te kënga e fundit e Shog Sokolit, te një tragjedi tjetër e ndodhur nëntëdhjetë vjet më parë. Një imazh imagjinar i Mustafajt për një rrëfim të vërtetë u bë bashkë me historinë e një dhjetëvjeçari që mes familjarëve të tjerë, kishte humbur edhe motrën që asokohe do të bëhej dy vjeçe.
“Ndoshta serbët nuk do ta kishin vrarë sikur ta dinin se ajo ato ditë do të mbushte dy vjeç”, kishte thënë në rrëfimin e tij Ceka. Kaq i kishte mjaftuar Mustafajt për t’iu kthyer shkrimit të lenë pezull. Sipas tij, mungesa e urrejtjes nacionaliste në letërsinë shqipe u atribuohet viktimave të cilat edhe në vuajtje kanë pasur brenda një dozë të madhe të humanizmit.
“Fëmija me një instinkt të humanizmit, kërkonte një dritë pozitive edhe te xhelati dhe atëherë u ula dhe e shkrova këtë ‘sprovë’ siç e thotë edhe Agu. Por, duke pasur dyshimet e mia nëse ia kam arritur apo jo. Është një tekst i shkurtër, por i rëndësishëm në atë që kam shkruar jo vetëm se i kam larë një borxh fëmijërisë dhe rinisë sime, por edhe sepse kam treguar se nëse mungon një letërsi me urrejtje nacionaliste në letërsinë shqipe, kjo është edhe meritë e personazheve”, ka thënë tutje Mustafaj të martën në librarinë “Dukagjini”.
Në librin “Një roman i pamundur”, autori tregon se reagime të ndryshme e kishin përcjellë gjatë kohës kur iu është kthyer atyre pas një kohe. Diku edhe kishte shtuar komente, duke u krenuar me veten. Diku duke u ndier i lehtësuar që ato shkrime nuk e kishin arritur lexuesin. Ndërkohë që sinopsisi i tij nuk arrinte të bëhej një novelë dramatike, Mustafaj kishte shkruar novela, poezi, reportazhe për shtypin, romane e kishte përkthyer autorë të ndryshëm nga letërsia e huaj. Prej vitit 2005 deri në vitin 2007 ka qenë ministër i Jashtëm i Shqipërisë, deputet, ambasador i Shqipërisë në Francë prej vitit 1992 deri më 1997.
Kryeredaktori i shtëpisë botuese “Bard Books”, shkrimtari e kritiku, Ag Apolloni, ka vlerësuar se duke folur për pamundësinë e shkrimit të një romani, që shkrimtarit i është kthyer në një obsesion për disa dekada, autori krijon një projekt-roman. Si e tillë, sipas tij, vepra lejon lexime alternative: si protoroman, për ata që në të i shohin shenjat e një romani të ardhshëm; si homazh për romanin, jo që vdiq, por që s’lindi; si metatekst i shkruar mbi romanin e munguar.
“Vepra edhe në titull tregon vështirësinë e rrëfimit të një historie. Momentin kur Besniku ma ka nisur këtë vepër, momentin kur e kam lexuar kam menduar që kjo vepër jo vetëm që duhet të botohet, por edhe duhet të promovohet që të depërtojë te sa më shumë lexues që të njihen me dy histori tragjike”, ka thënë Apolloni.
Ai ka theksuar se vepra duhet të shërbejë jo thjesht si një denoncim por edhe të zgjohet një katarsis ta ata që do ta lexojnë veprën. Sipas tij, vepra duhet të qarkullojë edhe në gjuhën serbe, madje sipas tij, serbët duhet ta kenë një interesim më të madh se shqiptarët për këtë vepër.
“Vepra është neutrale sa i përket trajtimit. Autori e ka mbajtur brenda këtë histori për dekada me radhë dhe nuk ka mundur ta shkruajë për shkak të tensionit politik dhe nacional që përmban vepra. Vetë akti i krimit duket sikur i fajëson ata, por i fajëson vepra e tyre dhe jo vepra e autorit”, ka thënë ai.
Besnik Mustafaj është poet, romancier, eseist dhe përkthyer. Ai deri tani ka botuar veprat “Vera pa kthim”, “Boshi”, “Gjinkallat e vapës”, “Një sagë e vogël”, “Dëmtuar gjatë rrugës” etj. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë shpërblyer me disa çmime. Krijimtaria e tij është vlerësuar nga kritika shqiptare dhe ajo e huaj.