Lagos, 5 nëntor – Artisti i lindur në Britani dhe i rritur në Nigeri ka bërë me dije planet e një programi për t’i mbledhur piktorët, skulptorët dhe krijuesit e tjerë që të jetojnë e punojnë bashkërisht në kryeqendrën e shtetit afrikano-perëndimor, Lagos.
Yinka Shonibare – i nominuar për çmimin “Turner” vepra gjigante e të cilit “Nelson’s Ship in a Bottle” qëndron në një strukturë të ngritur në sheshin “Trafalgar” të Londrës – ka thënë se dëshiron që artistët gjithandej botës të aplikojnë për vendet e para në skemën e rezidencës, që pritet të fillojë më 2021.
“Udhëtimi ka qenë gjithnjë me afrikanë që shkonin në Perëndim dhe unë mendoj se ne kemi nevojë për të kundërtën”, ka thënë të dielën Shonibare, në mbrëmjen me mysafirin e tij në “Artist, Space, Foundation” që do të drejtojë projektin dhe do të ndihmojë financimin e pjesëmarrësve afrikanë.
“Është e rëndësishme që kulturat afrikane po kuptohen siç duhet në kontekstin e Afrikës dhe që njerëzit po vijnë këtu për të mësuar”, ka thënë për “Reuters” artisti nga Londra.
Sipas kësaj skeme, katër grupe me nga tre artistë do të kalojnë tre muaj për çdo vit në vende të ndryshme në Lagos dhe në një fermë në qytetin Ijebu rreth 100 kilometra tutje. Puna rreth ndërtimit tashmë ka filluar, ka thënë Shonibare.
Lansimi ka përkuar me ”Art X”, një festival i përvitshëm artistik në Lagos, që tërheq artistë nga e gjithë Afrika.
Ekspertët thonë se ka pasur një interes në rritje për veprat bashkëkohore afrikane.
“Çmimet janë rritur ndërmjet 70 deri në 100 për qind prejse kemi filluar me ankande 10 vjet më parë. Dhe në fund të tregut ka edhe më shumë se kaq”, ka thënë Giles Peppiatt, drejtor i artit bashkëkohor afrikan në shtëpinë londineze të ankandeve ”Bonhams”.
Çmimi prej 1.6 milionë dollarësh i vendosur vitin e kaluar për pikturën e vitit 1974 “Tutu” nga artisti nigerian, Ben Enwonwy, as nuk ishte menduar pesë vjet më parë, ka shtuar ai /Reuters.