Për zhbllokimin e databazës prej 210 mijë eurosh e promovuar më 2014 dhe jofunksionale tash më shumë se një vit duhet rreth një muaj punë. Kompania e kontraktuar nga Ministria e Kulturës zotohet se ajo do të jetë më e sigurt, por ata që merren me trashëgimi kulturore kanë tërhequr vërejtjen se “Trashegimia.org” duhet të reformohet pasi që është tejkaluar me formatin që ka. Njëri prej njohësve të kësaj fushe madje thotë se puna në një databazë të tillë kurrë s’mund të përfundojë pasi ajo duhet të plotësohet e të freskohet në vazhdimësi
Duhet së paku një muaj për ta kthyer në “jetë” databazën online të monumenteve. Pas më shumë se një viti qëkur nuk ishte në dispozicion për publikun, në “Trashegimia.org” është duke punuar një kompani që synon që për rreth katër javë ta përfundojë ndërhyrjen. Synohet që t’i rritet siguria kundër sulmeve potenciale kibernetike.
Por në nivelin siç ka qenë, sa u përket informacioneve online për monumente por edhe si format, për ata që merren aktivisht me trashëgimi kulturore databaza është goxha e mangët.
Prej nëntorit të vitit 2020, ueb-faqja qe e paqasshme për publikun. Pas një viti Ministria e Kulturës i ishte kthyer investimit që kushtoi 210 mijë euro. Nëpërmjet procedurës së prokurimit qe përcaktuar se me 2 mijë e 832 euro mund të funksionalizohet databaza. Është zgjedhur që kompania “Tretek Sh.P.K” ta bëjë ndërhyrjen. Me këtë kompani është nënshkruar kontrata, e cila është në fuqi prej 23 dhjetorit të vitit të kaluar. Në kontratë shkruhet se marrëveshja përfundon pas tre muajsh.
Në emër të kompanisë që ka marrë përsipër punën është nënshkruar Lirim Sylejmani. Ai para një jave kishte thënë se duhet të pajisen me kodin burimor në mënyrë që të ndërhyjnë në ueb-faqe. Këtë kod e kanë marrë këtë javë.
“Me sa kemi parë, për rreth një muaj mund ta kryejmë punën. Ueb-faqja është punuar me një sistem që është përdorur më herët. Do të shikojmë mundësinë që të përdorim një sistem më të ri që është edhe më i sigurt”, ka thënë ai të martën.
Para një jave në Ministrinë e Kulturës kishin thënë se shkaqet e mosfunksionimit kanë qenë çështjet teknike të ndërlidhura me sigurinë e saj.
“Pas raportit të pranuar (raport i pranuar nga MAP-ASHI) në konsultim me menaxhmentin është proceduar kërkesa për inicim të procedurës. Tani është kontraktuar kompania dhe pritet që së shpejti uebi të jetë funksional”, kishte thënë Zana Fetiu, këshilltare politike e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Agjencia e Shoqërisë së Informacionit që vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nëpërmjet një raporti dërguar MKRS-së kishte bërë të ditur se niveli i sigurisë së kësaj ueb-faqeje ishte jo i duhuri.
Në këtë databazë online kanë qenë të qasshme imazhet dhe përshkrimet për 322 asete të trashëgimisë arkitekturore, 55 të trashëgimisë arkeologjike dhe 27 të trashëgimisë së luajtshme. Janë gjithsej 404 monumente nga mbi 1600 që janë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme dhe atë të përhershme. Ministria e Kulturës planifikon që ta pasurojë platformën prej ku publiku mund të ketë qasje online në të dhënat e shtetit për asetet e trashëgimisë kulturore.
“Sigurisht se numri i aseteve që do të prezantohen në ueb do të shtohet dukshëm”, kishte thënë Fetiu para një jave.
Por shtimi i të dhënave nuk del të jetë e vetmja mangësi sipas atyre që merren me trashëgimi kulturore në baza ditore.
Sali Shoshi, i cili është drejtues ekzekutiv i fondacionit “CHwB Kosova” – organizatë kjo që ka qenë e përfshirë në këtë projekt – ka thënë se aktualisht ekziston një iniciativë për një databazë të mençur ku janë të angazhuar si organizatë bashkë me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Ideja është të rritet efikasiteti midis MKRS-së dhe Ministrisë së Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe institucioneve të tjera të trashëgimisë kulturore. Është duke u bërë dokumenti ligjor e pastaj do të bëhet edhe dokumenti teknik. Kjo do të jetë databazë e brendshme për menaxhimin e informatave dhe reagimin në terren”, ka thënë ai.
Sa i përket databazës për publikun “Trashëgimia.org” ka thënë se duhet bërë një reformim në raport me komunikimin me publikun. Sipas tij, do të ishte e rrugës që MKRS-ja ta bëjë një njësi permanente që është në komunikim me publikun ku ky e merr rolin kryesor në trashëgimi kulturore sa i përket edhe vendimmarrjes.
“Konventat ndërkombëtare komunitetin e kanë vendosur në qendër të trashëgimisë e shtetet janë në shërbim të tyre”, ka thënë ai. Ka shtuar se publiku ka memorien kolektive, brengat e interesin për asetet e trashëgimisë kulturore.
“Këtë lloj komunikimi ishte dashur ta rimendonin. MKRS-ja ishte dashur ta bënte këtë komunikim. Pra jo veç që publikut t’i servohen të dhëna për një monument, por publiku të jetë pjesëmarrës në vlerësim e prioritizim të trashëgimisë kulturore. Mënyra se si komunikohet deri tash është komplet e tejkaluar”, ka thënë ai.
Arsim Canolli, profesori universitar i antropologjisë, ka thënë se databaza ekzistuese e trashëgimisë kulturore të Kosovës ka qenë gjithmonë e mangët. Sipas tij, shumë prej monumenteve që mbrohen nuk kanë përshkrime të duhura e disa prej elementeve të trashëgimisë kulturore shpirtërore në atë databazë s’kanë as përshkrime bazike.
“Databaza është evidencë e dokumentimit të vlerave të ‘aseteve’, siç quhet te ne, të trashëgimisë kulturore, një fajll i madh plot evidenca të mbledhura e të interpretuara në mënyrë rigoroze shkencore. MKRS-së i mungon një e tillë, sepse asnjëherë s’ka investuar sa duhet në këtë drejtim”, ka thënë ai. Sipas Canollit, për ta zgjidhur këtë problem i nevojitet bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, gjegjësisht me Fakultetin Filozofik, Fakultetin e Filologjisë, të Arkitekturës, Institutin Albanologjik e institucione të tjera shkencore që merren me dokumentimin, studimin dhe interpretimin e gjerë të trashëgimisë kulturore, prej gjuhës shqipe e deri te parqet arkeologjike.
“Ka shumë probleme edhe në aspektin e qasjes: arkitektura ka evidenca vetëm për tipologjinë e ndërtimit, statistika specifike, por asgjë nga aspekti i vlerave shoqërore; e njëjta ndodh edhe me arkeologjinë e shpirtëroren e të tjerat kategori. Për shembull, nëse në parkun arkeologjik ‘Ulpiana’ mbahet një manifestim, një përvjetor, apo një promovim, evidencat për këtë duhet të vendosen në dosjen specifike të këtij parku në databazë, pasi që mbrohet nga shteti dhe ky duhet të dijë se çfarë ndodh aty. Edhe evidencat nga vizitat e turistëve duhet të mblidhen dhe të jenë aty”, ka thënë ai.
Sipas tij, databaza nuk mbaron kurrë, sepse ajo është një dokument që evoluon. Ka thënë se çdoherë mund të ketë fakte të reja mbi monumentet e trashëgimisë kulturore, ndryshojnë gjërat, në bazë të tyre edhe interpretimet.
“Andaj, as puna në të nuk mbaron kurrë. Por, databaza duhet të jetë pasqyrë e gjendjes së mbrojtjes, ruajtjes, interpretimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore. Ajo duhet të plotësohet në mënyrë konstante”, ka thënë Canolli.
Historia e projektit “Trashëgimia.org” ka pasur shumë kapituj ende pa qenë funksionale.
Kishte qenë dhjetori i 2008-s kur ish-ministri i Kulturës, Valton Beqiri, bashkë me ambasadorin e atëhershëm të Britanisë së Madhe në Prishtinë, Andy Sparks, kishin regjistruar “Hyjneshën në fron” si eksponatin që do t’i paraprinte digjitalizimit të të dhënave për objektet dhe eksponatet e tjera të trashëgimisë kulturore. Prej atëherë asgjë nuk kishte lëvizur nga vendi deri në vitin 2014. Bile situata midis MKRS-së dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe kishte shkuar deri në pikën ku në mars të vitit 2013 ambasadori i atëhershëm, Ian Cliff, kishte thënë se për vonesën e implementimit të projektit do t’i kërkonte llogari vetë ministrit të Kulturës, që asokohe ishte Memli Krasniqi.
Rezultatet e projektit të financuar me 200 mijë euro nga Ambasada e Britanisë së Madhe nuk ishin parë deri më 15 korrik të vitit 2014.
Databaza në inaugurim numëronte vetëm 265 asete, “Hyjnesha...”, që u regjistrua e para, nuk ishte aty. Përfshiheshin 185 arkitektonike, 52 lokalitete arkeologjike dhe 30 të luajtshme. Gabimet ishin të shumta në të tria gjuhët, shqip, anglisht e serbisht.
Pjesa e parë e projektit ishte zbatuar nga fondacioni kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Kosova). Për lansimin e saj, me 10 mijë euro kishte kontribuar edhe Ministria e Kulturës.
Të dhënat për objektet në këtë databazë janë ndarë në tri kategori: trashëgimia arkitekturale, trashëgimia arkeologjike dhe trashëgimia e luajtshme. Informatat janë kategorizuar sipas shtatë rajoneve: ai i Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Gjilanit, Ferizajt dhe Mitrovicës.