Kulturë

Një libër për 7700 librat që dokumentojnë luftën e Kosovës në 43 shtete

libri

“Lufta e Kosovës 1997-1999: Një bibliografi e përzgjedhur” është i pari i cili vjen i shkruar për librat e tjerë që trajtojnë luftën e Kosovës, me synimin që të shërbejë si ndihmesë për profile të ndryshme hulumtimi, nga qasja shkencore deri te kineastët (Foto: Zyra e Kryeministrit)

Dy autorë kanë gjurmuar nëpër 45 biblioteka të 43 shteteve në kërkim të titujve për luftën e Kosovës. Kanë identifikuar 7700 tituj për t’i prezantuar në një libër të vetëm. Në kuadër të aktiviteteve për 25-vjetorin e çlirimit, të premten është përuruar libri “Lufta e Kosovës 1997-1999: "Një bibliografi e përzgjedhur” i autorëve Durim Abdullahu e Davjola Ndoja i cili ndër të tjera, është cilësuar si thirrje që këta tituj të sillen edhe në vendin për të cilin janë shkruar

Janë 7700 libra në 28 gjuhë të ndryshme që janë shkruar për luftën e Kosovës, titujt dhe të dhënat e të cilëve vijnë në një libër të vetëm prej gati një mijë faqesh.

“Lufta e Kosovës 1997-1999: Një bibliografi e përzgjedhur” i autorëve Durim Abdullahu nga Kosova dhe Davjola Ndoja nga Shqipëria është përuruar të premten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në kuadër të kremtimeve për 25-vjetorin e çlirimit.

Autorët i kanë identifikuar titujt në 45 biblioteka kombëtare në 43 shtete të ndryshme. Vetëm 600 prej tyre kanë autorë shqiptarë. Është i pari i cili vjen i shkruar për librat e tjerë që trajtojnë luftën e Kosovës, me synimin që të shërbejë si ndihmesë për profile të ndryshme hulumtimi, nga qasja shkencore deri te kineastët.

Për hulumtimin dyvjeçar të dy autorëve, ka folur edhe kryeministri Albin Kurti. Ky botim sipas tij, do të shërbejë si një pikënisje e një hapi më të madh institucional.

“Kësaj pune sigurisht që i përkon emri durim i autorit Abdullahu ndërkohë që jam dhe kureshtar edhe për kuptimin e emrit Davjola të autores Ndoja. Urime të dy autorëve për këtë ndërmarrje të finalizuar me këtë libër të jashtëzakonshëm të paparë për ne. Dhe besoj fuqishëm sikur në këtë rast kur një studiues nga Prishtina dhe një nga Tirana i bëjnë forcat bashkë, rezultati i natyrshëm janë veprat të tilla të mëdha e të dobishme për shoqërinë e shtetin për kombin dhe të ardhmen”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, ky botim do të shërbejë drejt ndryshimit të politikave rreth këtyre botimeve dhe pasurimit të fondit të Bibliotekës Kombëtare.

“Tani duhet të nisim të mendojmë se si mund t’i blejmë këta libra dhe t’i sjellim këtu në Kosovë aty ku ka ndodhur lufta për të cilën shkruajnë këta libra të cilëve ua kanë dedikuar librin e tyre Abdullahu dhe Ndoja. Për ne si popull i Kosovës dhe për institucionet e Republikës është tepër e rëndësishme ta kemi dhe ta njohim çdo libër, dhe ta mbledhim çdo zë për luftën në Kosovë”, ka shtuar Kurti.

Bashkautori i librit, historiani Durim Abdullahu ka treguar se vetëm në vitin 1998 ishin botuar 205 libra për Kosovën, ndërkaq një vit më vonë në ishin botuar 900 sosh. Në këtë bibliografi gjenden kronika lufte të realizuara nga gazetarë ndërkombëtarë, memoare lufte e aso nga personalitete politike dhe ushtarake, libra me rrëfime të të mbijetuarve të luftës, dëshmi për masakrat, botime biografike për dëshmorët e luftës. Aty janë të listuara edhe procese të ndryshme gjyqësore për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë, si dhe të tilla që i janë dedikuar shkatërrimit të trashëgimisë kulturore përgjatë viteve të luftës.

“Kur i merrni t’i lexoni këta libra, e kuptoni se lufta e Kosovës është zhvilluar edhe në New York, Washington, Londër, Berlin, Paris, Romë, Tiranë, Shkup, Moskë, Beograd, Ankara, Tel Aviv, e madje dhe në Kinë sepse në luftën e Kosovës nuk ishin të përfshirë vetëm shqiptarët në njërën anë dhe serbët në anën tjetër, por edhe të paktën 19 shtete anëtare të NATO-s që 78 ditë rresht e bombarduan Jugosllavinë sikurse dhe Rusia që ndërmjetësonte mes Millosheviqit dhe vendeve të G8-s si dhe Kina po ashtu, bombardimi aksidental i ambasadës të së cilës u bë skandal ndërkombëtar”, ka thënë ai. Ka shtuar se libri shpërfaq se çfarë kanë shkruar për luftën e Kosovës, si autorët shqiptarë ashtu edhe ata serbë, e veçanërisht autorët ndërkombëtarë, që janë shumicë. Ka ndarë edhe pjesë na motivet e tij të para si fëmijë kur ai kishte filluar të mbledhtë gazetat gjatë kohës së luftës. Ky libër sipas tij, vjen si rezultat i atij pasioni të dikurshëm, ka treguar se që prej vitit 2019 ka filluar të blejë pothuajse çdo libër të shkruar rreth luftës së Kosovës. Gjysma e këtij korpusi të përbërë nga 300 librash, pas përurimit të librit u prezantua dhe në një ekspozitë në hollin e Bibliotekës.

Sipas autores tjetër të kësaj bibliografie, studiueses Davjola Ndoja, e cila ka ekspertizë në fushën e holokaustit dhe komunizmit, qasja ka pasur kritere bazë mbi të cilat është kryer faza hulumtuese e këtij projekti. Kishin vendosur që në këtë bibliografi të përfshiheshin vetëm veprat e botuara në format libri, duke lënë anash titujt artistikë, tezat master dhe doktoratat e papublikuara si dhe artikujt e ndryshëm nëpër adresa elektronike. Ndërkaq, titujt në këtë bibliografi të thukët kategorizohen në pesë periudha kohore: titujt e botuar nga fillimi i shekullit XX, titujt e botuar gjatë periudhës së Luftës se Ftohtë 1945-1991, gjatë luftërave në Jugosllavi 1991-1996, gjatë luftës në Kosovë 1997-1999, dhe titujt e botuar pas luftës, mes viteve 2000-2024.

Ndoja në fjalimin e saj në promovim ka përmendur edhe një konstatim të cilin e kishin evidentuar gjatë hulumtimit. Ka dhënë mesazhe të qarta në adresë të institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Ne sytë tanë si autorë është krejt i qartë angazhimi qoftë shtetëror apo edhe personal i personave të caktuar për t’i depozituar këta tituj në çdo cep të botës çka është fatkeqësisht e pakrahasueshme me praninë fare të pakët dhe ndonjëherë inekzistente të titujve në shqip në po këto biblioteka”, ka thënë ajo. Ka hapur një paranteze për dy aspekte të rëndësishme në lidhje me politikat e librit shqip.

“Së pari është ai i nevojës për një vëmendje dhe mbështetje më të madhe me anë të politikave zyrtare që duhen ndërmarrë për një shpërndarje jo vetëm në territoret shqipfolëse por dhe ndërkombëtarisht të titujve të botuar për luftën e Kosovës në gjuhën shqipe dhe po aq i përkthimit të këtyre titujve për luftën e Kosovës nga autor të huaj. Aspekti i dytë vjen nga qasja ime si përkthyes është ai i nevojës së menjëhershme që kemi për politikat dhe mbështetjen e përkthimit të librit shqip në gjuhët kryesore por dhe anasjelltas”, ka thënë ajo.

Librin “Lufta...” e ka vlerësuar si të jashtëzakonshëm dhe shumë të dobishëm për bibliotekistët edhe zëvendësuesja e drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Bukurije Haliti.

“Botim i kësaj bibliografie përbën një arritje të lakmuar për luftën e fundit në Kosovë. Mbaj mend, e t’jua kujtoj që BBK-ja prej kur Kosova është e lirë është duke u pasuruar me koleksione me interes albanologjik e me interes për kulturën e historisë së Kosovës. Afër mendsh se një botim bibliografik i tillë nga Abdullahu e Ndoja përbën një mundësi më vete që të mund të sigurojë që këta tituj të bëhen pjesë e koleksionit të BBK-së, duke e plotësuar një boshllëk të madh të botimeve për luftën e Kosovës”, ka thënë Haliti.