Kulturë

“Një komb, një ABC” nëpër rrugën e shkronjave shqipe

Ekspozita “Një komb, një ABC”, homazh për 115-vjetorin e Kongresit të Manastirit, shpalos hapat e kombit shqiptar drejt standardizimit të alfabetit të shqipes. Realizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, shpalos rrugëtimin e 32 delegatëve të udhëhequr nga Mit’hat Frashëri, teksa nisën detyrën drejt një alfabeti të njësuar

Në ditën e 115-vjetorit të Kongresit historik të Manastirit, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë kanë shpalosur ekspozitën e titulluar “Një komb, një ABC”. Kjo ekspozitë shërben si një nderim për rëndësinë e thellë të Kongresit dhe hedh dritë mbi rrugëtimin sfidues drejt standardizimit të alfabetit të shqipes. Kongresi i Manastirit, i mbajtur mbi një shekull më parë, qëndron si një moment kryesor në historinë shqiptare. Objektivi i saj parësor ishte adresimi i nevojës për një alfabet të njësuar të shqipes, që pasqyron unitetin gjuhësor dhe kulturor të popullit shqiptar.

Bislim Bislimi, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ka thënë se Kongresi shënon një nga datat më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve.

“Kongresi i Manastirit përveçqë vuri themelet e unifikimit të gjuhës së shkruar shqipe për të gjitha hapësirat shqiptare, pas vitesh e dekadash përpjekjeje të Rilindjes sonë Kombëtare për ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve por shënon edhe një nga faqet më të ndritshme jo vetëm për gjuhën, kulturën apo shkencën, por edhe për përparimin e gjithmbarshëm të kombit tonë”, ka thënë Bislimi.

Image
“Një komb, një ABC” rrëmben frymën e bashkëpunimit dhe të vendosmërisë që karakterizoi Kongresin, duke theksuar vizionin e përbashkët për të nxitur një identitet gjuhësor që do të bashkonte kombin shqiptar, dokumente domethënëse dhe imazhe nga Kongresi

Besimi i tij në rëndësinë e ekspozitës “Një komb, një ABC” pasqyron angazhimin për të nderuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe përpjekjet për standardizimin e alfabetit të shqipes.

“Ekspozita e sotme mban titullin ‘Një komb, një ABC’ dhe në këtë rast përmes punës së punonjësve profesionalë arkivorë në shfaqjen e materialeve të përzgjedhura që janë foto dhe dokumente të Kongresit të Manastirit e që nxjerrin në pah standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Unë besoj që edhe ne po bëjmë mirë që përmes institucioneve tona arkivore po e shënojmë këtë ngjarje”, ka përfunduar Bislimi.

Ekspozita e hapur në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar në Prishtinë i mundëson vizitorit një rrugëtim nëpër kohë, duke paraqitur një koleksion dokumentesh domethënëse dhe imazhe nga Kongresi. Dokumentet e ekspozuara japin një vështrim të shkurtër në sfidat me të cilat janë përballur delegatët teksa kanë punuar për të krijuar një alfabet të standardizuar të shqipes.

Edhe drejtori i arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, me fjalimin e tij ka bërë një udhëtim nëpër kohë. Ka shkuar deri në netonin e 1443-tës dhe ngritjes së flamurit në Krujë dhe ngjarjeve të tjera ku u vendos fati i kombit shqiptar, përfshirë edhe Kongresin e alfabetit.

“Është kënaqësi që ne gjendemi si çdo vit në të gjitha trojet shqiptare bashkërisht për të festuar ditët e rëndësishme të nëntorit tonë, nëntorit të shqiptarëve. Nëntorit i cili kulmon që në vitin e largët 1443 me ardhjen e Skënderbeut dhe ngritjen e flamurit në Krujë, me pavarësinë e Shqipërisë e cila u shpall nga Preveza deri në Pazar të Ri, me ditën e çlirimit të Republikës së Shqipërisë, por mbi të gjitha me elemente të veçanta të identitetit tonë kombëtar, ku kulmi është Kongresi i Manastirit, por pastaj si rrjedhojë e saj edhe kongreset e tjera”, ka thënë Bido.

Ekspozita rrëmben frymën e bashkëpunimit dhe vendosmërisë që karakterizoi Kongresin, duke theksuar vizionin e përbashkët për të nxitur një identitet gjuhësor që do të bashkonte kombin shqiptar. Këto eksponate shërbejnë si dëshmi e përkushtimit të pjesëmarrësve në Kongresin e Manastirit, duke theksuar angazhimin e tyre për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe. Sipas Bidos, shënimi i kësaj date shkon përtej veç një feste për Ditën e Alfabetit.

“Ne nuk festojmë sot me Kongresin e Manastirit që dje ishim në Shkup e pardje në Manastir dhe njëherazi në Tiranë. Ne nuk e festojmë vetëm vendosjen e një alfabeti. Ne festojmë sot formësimin e identitetit tonë kombëtar. Kongresi i Manastirit na mundësoi të jemi një, na bashkoi e na formoi”, ka thënë Bido.

“Një komb, një ABC” eksploron gjithashtu kontekstin më të gjerë kulturor e historik. Udhëtimi i përshkruar në ekspozitë shërben si një kujtesë për trashëgiminë e qëndrueshme të Kongresit të Manastirit dhe rolin e tij në formësimin e peizazhit gjuhësor të kombit shqiptar. Duke bashkuar dokumente dhe fotografi të rëndësishme, ekspozita jo vetëm që nderon të kaluarën, por edhe edukon dhe frymëzon brezat e ardhshëm për rëndësinë e Kongresit ku u vendos për alfabetin e gjuhës shqipe.

Pranvera Dibra, zëvendësambasadore e Shqipërisë në Kosovë, ndër të tjera ka vënë theksin mbi rëndësinë e rikujtimit të historisë së shqiptarëve.

“Është historia që na bashkon dhe arkivat janë dëshmi e historisë. Jemi një komb dhe titulli ishte i qëlluar, ‘Një komb, një ABC’. Duhet ta ruajmë gjuhën shqipe me shumë dashuri duke ua transmetuar edhe fëmijëve tanë dhe atyre që nuk jetojnë në tokat tona”, ka thënë Dibra.

Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, e mbajtur prej 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Data 22 nëntor përbën tashmë një ditë përkujtimore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit. Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh pa llogaritur nënvariantet.

Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzet e tri qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetë e dy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues. Ndër delegatët më të shquar qenë: Gjergj Fishta, Mid'hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani.