Artisti mund të jetë larg vendit të ekspozitës së tij, por megjithatë komunikimi me audiencën është i mundur. Ndryshe nga artistë të tjerë, izraeliti Nir Alon bën instalacione fare ekonomike: artikuj të përditshmërisë të hedhur në rrugë vishen me mesazhe. Një e tillë është edhe një karrige që përbën instalacionin e vetëm të ekspozitës “I’m home, but far away”, e cila u hap të premten pasdite në mjediset e “Paper Gallery”. Nëpërmjet saj, artisti 57-vjeçar izraelit evokon një copëz historie familjare në Prishtinën e para Luftës së Dytë Botërore ku jetuan prindërit e tij para se të zhvendoseshin në Izrael
Një karrige e thjeshtë mund të mos thotë asgjë. Shumë-shumë, dritat e neonta të vendosura në katër këmbët e saj mund ta bëjnë më të dukshme. Por, historia e saj është më shumë te një përjetim i paprovuar: te një shtëpi në Prishtinë që më nuk ekziston, e të një bote tashmë të zhdukur.
Me prindër që para Luftës së Dytë Botërore banonin në Prishtinë, artisti dhe skultori izraelit Nir Alon i ka dhënë një dimension komunikues një copëze historie familjare.
Ekspozita e tij personale “I’m home, but far away”, e kuruar nga “Paper Gallery” dhe e mbajtur po në mjediset e saj, shpaloset si një kumt i zëshëm për historinë e prindërve të artistit të njohur që jetuan në Kosovën e para 70 e kusur vjetëve.
I lindur më 1964, artisti Alon jeton e vepron në Hamburg të Gjermanisë me një vistër ekspozitash në Jerusalem, Tel Aviv si dhe në qytete të ndryshme gjermane.
Meqë rrethanat me pandeminë ia pamundësuan artistit izraelit të ishte i pranishëm në hapje të ekspozitës, miqtë e tij në Prishtinë kanë folur për veprën e ekspozitës, që qëndron mes thjeshtësisë e heshtjes në pritje të vizitorëve.
Artisti Gazmend Ejupi – i cili është drejtor i “Paper Gallery” – ka thënë se e gjithë karriera e artistit izraelit është ndërtuar me rrëfimet që i kishin përcjellë të dy prindërit e tij për jetën e dikurshme në Prishtinë.
“Ata i kishin rrëfyer atij për enterierin e shtëpisë, për mobilet e për ushqimin”, ka thënë Ejupi.
Sipas tij, artisti Alon gjithherë ka rrëmihur në pyetjet se çfarë i duhet punës së tij që të jetë sa më afër publikut. Madje, ai sikur ka një praktikë fort interesante: Është artist që nuk ka atelie e nuk mban një “sketchbook”.
“Zakonisht, Aloni merr gjërat që i gjen nëpër rrugë”, ka treguar Ejupi.
Duke folur për ekspozitën e porsahapur, drejtori i Paper Gallery ka vlerësuar se instalacioni i izraelitit seç ka diçka që i përket teatrit.
“Është shumë dramatike, me pritshmëritë që të ketë shpjegime, por që në fakt nuk ka. Megjithatë, rrëfimi pas veprës është shumë interesant”, ka vijuar Ejupi.
Sado që instalacioni mbizotërohet nga thjeshtësia, përgatitjet për të nuk kishin qenë të pakta: fillimisht ishte provuar të bëheshin ca vizatime në mur për të hequr dorë më pas nga kjo, ndërkohë që karriget ishin zëvendësuar disa herë.
“Në instalacionet e Alonit, qasja me publikun, komunikimi dhe përvoja kanë më së shumti rëndësi. Secili kur del nga kjo hapësirë do ta tregojë një storie. Nuk ka nevojë më shumë”, ka thënë mes të tjerash Ejupi.
Ndryshe, ekspozita “I’m home, but far away” do të qëndrojë e hapur për tre muaj në mjediset e Paper Gallery.
Përveç historisë familjare, Kosova është mjaft familjare për artistin izraelit. Në mars të vitit 2019, ai kishte mbajtur punëtorinë “Çfarë vendi i mrekullueshëm – Potenciali artistik i mbetjeve”, si dhe një instalacion për studentët e UBT-së.
Ndërkohë, siç kanë bërë me dije në “Paper Gallery”, në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, ai po mendon ta bëjë edhe një tjetër ekspozitë në Kosovë.
Artisti 57-vjeçar Nir Alon ka studiuar nga 1988 deri më 1992 në Bezalel Academy of Art and Design në Jerusalem. Më 1996 ai fitoi çmimin për artistë të rinj të akorduar nga Ministria izraelite për Arsim dhe Kulturë.
Dy vjet më vonë ai mori pjesë në një ekspozitë në Hamburg. Me këtë qytet do të lidhej për pjesën tjetër të jetës, fillimisht përmes një burse, e më pas edhe si artist mysafir.
Alon ka mbajtur ekspozita vetjake në Jerusalem, Tel Aviv, Schwerin, Bonn, Mannheim, Frankfurt dhe Hamburg. Parapëlqimi i tij është për të zhvilluar skulptura nga artikuj të hedhur të përditshmërisë si: orendi, valixhe, llamba, drita e kabllo. Instalacionet e tij renditen në vendin e ekspozitës dhe si referencë ndaj saj që e përfton efektin urgjent me mjetet më ekonomike.
Veprat e Alonit janë në koleksione private e publike në Gjermani, Izrael, Itali dhe Shtetet e Bashkuara.