Kulturë

“Një jetë kushtuar artit” në lojë me hapësirën e shenjat e traditës

Me 30 vepra shpërfaqen pikat kulmore të krijimtarisë së tij. Por Agron Mulliqi është gjithherë i pakënaqur. E aty e gjen motivin. “Një jetë kushtuar artit” vjen si lojë ngjyrash e qasjesh. Diku “Hyjnesha në fron” frymëzon e bëhet sebep për trajta të reja moderniste, e në anën tjetër enterierët shënojnë kohën e izolimit gjatë pandemisë

“Një jetë kushtuar artit”, vjen si titull krejt i thjeshtë por që përthekon krejt frymën e rrugëtimin artistik të Agron Mulliqit. Kësisoj e ka titulluar ekspozitën e hapur të hënën pasdite në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, e që në një formë i jep formë krijimtarisë së artistit 60-vjeçar. Ani pse ai ka sjellë një cikël të ri, atë të krijuar gjatë kohës së pandemisë, veprat ruajnë identitetin, stilin, vijën e përmbajtjen. Tok përbëjnë një reflektim të artistit nga Gjakova përballë realitetit. Diku përvidhet edhe tradita e diku shpërfaqen perspektiva të ndryshme për një situatë të pazakontë.

Mulliqi ka ardhur me 30 vepra, jo pak prej të cilave të realizuara gjatë kohës së pandemisë, e pjesa tjetër janë vepra të punuara gjatë vitit 2018. Në katin e parë ka ekspozuar vepra të cilat “Hyjneshën në fron” e kanë si frymëzim. Por nuk e punon atë me tush në formë reale. Thjesht, frymëzohet nga artefakti më shumë se 5 mijë vjet i vjetër për të nxjerrë variacione të ndryshme. Pikërisht “Variacione” e ka titulluar këtë cikël. Me tush në letër artefaktit neolitik i jep forma të ndryshme. Fytyrat e vajzave, zogjtë, breshkat, fluturat, vazoja, plisi, e shumë forma të tjera i kombinon me “Hyjneshën në fron”. Një modernizim i trashëgimisë nëpërmjet artit.

“Jam duke e modernizuar ‘Hyjneshën’ që të jetë më e kapshme për gjeneratat e reja”, ka thënë ai. E krahas këtij cikli, renditet ai i portreteve. As ato nuk janë realiste.

Mulliqi është fjalëpak për veprat e tij. Ka thënë se është ndërdija ajo që i jep direksionet se çfarë të punojë. Ka dëshirë që njerëzit të flasin për artin e tij. Mjaftohet me pikturim. Sipas tij, vetë pikturat flasin më pas për të në këtë ekspozitë të cilën, siç ka thënë ai, pranoi ta hapte pasi që erdhi si ftesë nga Shtëpia e Evropës.

{gallery}

Pavarësisht se kur janë realizuar, në veprat e Agron Mulliqit përherë gjëllin diçka e re. Kjo, sepse vetë ai thotë se krijimtaria e tij është eksperiment në vazhdimësi…

“Pasi që nuk kemi vizë për Evropë po ekspozojmë në Shtëpinë e Evropës”, ka thënë ai duke buzëqeshur.

Në katin e dytë ekspozohen veprat të cilat i ka realizuar gjatë kohës së pandemisë. Ngjyrat e tyre janë më neutrale. Në to artisti, që kohën më të madhe e kalon në atelienë e tij në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, nuk ka kapur ndonjë element autokton. Pikturat janë më shumë një lojë me hapësirën. Ani pse duken mjaft abstrakte, e postmoderne, nga afër dallohen si dhoma e hapësira të ndryshme të brendshme. Shpërfaqin ditët e izolimit pandemik, kur ambientet shtëpiake ishin hapësira e vetme.

“Megjithëse ne piktorët edhe ashtu jemi të vetmuar në atelie, pandemia nuk ka luajtur shumë rol, vetëm se kam pasur mungesë të shoqërisë”, ka thënë artisti. Ka shtuar se për dikë kjo periudhë ka qenë një motivacion e më shumë kohë.

“Dikush ka arritur që me qenë i motivuar dhe me punu. Unë kam punuar një numër goxha të mirë, mirëpo po pres një mundësi që ta ekspozoj këtë cikël si të plotë”, ka thënë ai për veprat e realizuara gjatë karantinës, e të cilat sipas artistit janë rreth 40 sosh. Vetëm katër janë ekspozuar në këtë ekspozitë.

“Jam më shumë tip eksperimental dhe jam për momentin duke eksperimentuar”, ka shtuar artisti.

Krahas veprave të realizuara gjatë kohës së pandemisë qëndrojnë edhe katër vepra nga cikli “Etno”. Duken si skica shqiponjash, apo elemente të qilimave e artizanaleve të tjera tradicionale. Por realisht në vepra fshihen pjesëza të trashëgimisë kulturore që vijnë në një tjetër rrafsh.

Agron Mulliqi, nëpërmjet pikturave shumëngjyrëshe “riciklon” pjesë të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.

I rrethuar nga pikturat postmoderne, Mulliqi ka thënë se zbërthimin ia lë publikut. Njëri prej interpretimeve mund të jetë se ato e kthejnë kohën prapa nëpërmjet brushës dhe ngjyrave. Duken edhe sikur riprodhime të elementeve tradicionale në një tjetër kohë.

“Zakonisht artisti e ka atë mënyrën e tij të shprehjes, por ndryshon në ide dhe koncept pasi që dallohet dora e çdo krijuesi sidomos këta të penelit, të pëlhurës, brushës… Dallohen cikli, vija, ngjyrat që i ka përdorur edhe më herët. Zakonisht unë nuk jam i kënaqur më punën time dhe kjo me ndihmon që të motivohem”, ka thënë ai.

Agron Mulliqi përfundoi studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë në klasën e axhës së tij, prof. Muslim Mulliqi, që ishte ndër artistët e parë të artit pamor në Kosovë. Shprehja artistike e Agron Mulliqit bazohet në teknikën vaj në pëlhurë, megjithëse në disa faza përdor edhe teknikat e grafikës. Pikturat e tij veçohen për përdorim të motiveve tradicionale etnike dhe simbolikës. Rol kryesor në pikturat e tij kanë portretizimi, mjedisi urban dhe trashëgimia etnologjike. Gjatë viteve të fundit ka pasur disa ekspozita si në Muzeun e Kosovës, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës e në “Hanin e Dy Robertëve”. Shtëpia e Evropës do të jetë nikoqire e “Një jetë kushtuar artit” deri më 13 gusht.