Kulturë

“Një gotë për Istref Begollin”, kolosin që dridhte skenën

Rëndom figurat e artit dhe kulturës kujtohen me ngjarje që përkojnë me aktivitetin e tyre. Por krejt ndryshe është kujtuar doajeni i skenës dhe i filmit, me ngjarjen që shpalos një copëz të festës së tij. E tillë ka qenë edhe vetë ngjarja përkujtimore. Nga një dolli është ngritur për të e kontributin e tij në artin skenik

Ambientet e teatrit do t’i mbushte me prezencën e tij deri në ditët e fundit të jetës. Kolegët me të cilët nisi rrugëtimin e kujtojnë si aktor të pashembullt, unik e karizmatik në skenë. I kanë çmuar vlerat prej profesionisti e njeriu. Festat i kremtonte me një gotë verë a teke raki. Simbolika e kësaj pjese të jetës së aktorit Istref Begolli është bërë shkas të kujtohet me një ceremoni modeste, në 90-vjetorin e lindjes së tij e 20-vjetorin e vdekjes. “Një gotë për Istreg Begollin” ka rikthyer momentet e dekadave më parë të bashkëpunëtorëve.

Rëndom figurat e artit dhe kulturës kujtohen me ngjarje që përkojnë me aktivitetin e tyre. Por krejt ndryshe është kujtuar doajeni i skenës dhe i filmit, me ngjarjen që shpalos një copëz të festës së tij. E tillë ka qenë edhe vetë ngjarja përkujtimore. Nga një dolli është ngritur për të e kontributin e tij në artin skenik. Para të pranishmëve është paralajmëruar edhe monografia kushtuar Begollit si dhe është premtuar se Teatri Kombëtar i Kosovës e Ministria e Kulturës do të organizojnë të tilla ngjarje për kolosët e teatrit.

Në platenë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, pikërisht para hapësirës së asaj që tashmë është kthyer në Amfiteatër të Teatrit Kombëtar janë mbledhur bashkëpunëtorë, miq e familjarë. E kanë vlerësuar si të pazëvendësueshëm e të pashembullt ata që kanë pasur fatin ta njohin, për të tjerët si frymëzues drejt skenës së teatrit e të filmit. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kushtrim Sheremeti, ndonëse kishte fatin takonte shkurt aktorin, e ruan ende kujtimin e atij momenti.

“E mbaj mend shumë mirë një tregim që ma ka treguar axha Istref. E ka përfunduar ‘Makbethin’ në skenën e Teatrit Kombëtar dhe i ka ardhur lajmi që i ka lindur djalë. Është gëzuar shumë dhe ka ftuar të gjithë të pimë nga një. Por në ndërkohë, ka marrë në telefon spitalin dhe ka marrë vesh që i ka lindur djalë. Ka marrë vesh që në fakt i ka lindur vajzë dhe është gëzuar pesë herë më shumë dhe ka vendosur ta kallë prej atmosferës teatrin”, ka treguar Sheremeti derisa ka bërë të ditur se Teatri e ka nisur me Istref Begollin t’i kujtojë figurat themeluese të institucionit. Aktivitetet i ka premtuar edhe në emër të Ministrisë së Kulturës.

Protagonistja e atij gëzimi të aktorit të ndjerë, vajza e tij Alba Begolli ka qenë e pranishme të premten në ngjarjen “Një gotë për Istref Begolin”. “Jam më se e emocionuar dhe pos t’ju falënderohen sinqerisht nuk kam çfarë tjetër”, u është drejtuar Begolli shkurt të pranishmëve.

Ka vlerësuar se figura si Begolli e kanë bërë teatrin me reputacion në rajon. “Ka qenë një aktor i jashtëzakonshëm, me një aurë të jashtëzakonshme dhe njëri prej të cilit ke mundur të mësosh shumë. Pavarësisht se ka ndërruar jetë shumë herët, në fillet e karrierës sime, megjithatë, kam pasur fatin e madh t’i kem disa kujtime të vogla me të”, ka thënë Sheremeti.

Aktorja Drita Krasniqi e ka kujtuar për rolet e shumta së bashku. I është referuar si prej artistëve më të mëdhenj të trevave shqipfolëse.

“Istrefi është unik, siç janë edhe disa aktorë të asaj gjenerate. Ka qenë kënaqësi e madhe të punoj me të. Ka qenë edhe në eksterier shumë impozant, e ka pasur karizmin. Nuk ka pasur nevojë as të flasë, vetë rrezatimi i tij e ka mbajtur publikun të koncentruar në të. Atë nuk mund ta blesh, as ta ushtrosh, ashtu lind njeriu”, ka kujtuar Krasniqi.

Bashkëpunëtorja e tij, aktorja Safete Rugova, ka numëruar gjithashtu role të shumta me Begollin. Por, më shumë se aq e ka konsideruar tejet të kujdesshëm dhe të disiplinuar në prapaskenë.

“Për 40 vjet sa kam qenë në Teatër nuk kam parë aktor më të disiplinuar se Istrefi. Vinte i pari në teatër, e kontrollonte gardërobën se a ia kanë sjellë rrobat e personazhit. Pastaj hynte në skenë dhe e kontrollonte në të gjitha anët nga do të ecte”, është shprehur aktorja Rugova derisa ka ndarë kujtimet me të pranishmit në shfaqjet të cilat kanë luajtur.

“Po e kujtoj shfaqjen ‘Hamleti’. Skenografia ishte shumë e madhe, Istrefi meqë luante mbretin fantazmë duhej të ngjitej deri në katin e tretë, por meqë ishte pak vesvese, mos të them frikacak, gjithherë e luste të hipte skenografin të parin”, ka kujtuar ajo.

Image

Karl Fon Mori, në “Cubat” e Shilerit, Plaku i Parë në “Erveheja” të Ahmet Qirezit, Dyl Mehmeti në “Fosilet” të Azem Shkrelit, Prifti në “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, Murtaja në “Shtetrrethimi” të Albert Camus, Jago në “Othello” të Shakespeareit, Makbethi në “Makbeth” po të Shakespeareit, Kabili në “Sfinga e gjallë” të Rexhep Qosjes, Isak Babeli në “Komfiteori” të Schneiderit, Agamemnoni në “Ifigjenia në Aulidë” të Euripidit, Kadmos në “Bakhet” të Euripidit, Ahmet Nuredini në “Dervishi dhe vdekja” të Mesha Selimoviqit, Plaku në “Shpend Sokoli i Sokol Shpendit” të Ymer Shkrelit e të tjerë, janë vetëm disa nga personazhet e shumtë që Begolli u dha shpirt në skenë.

Krijimtaria e tërësishme e Istref Begollit numëron mbi 150 role në film dhe në teatër, shumica role kryesore. .

Kujtimet me Istref Begollin i ka ndarë edhe aktori Bislim Muçaj.

“Kur Istrefi ishte në këtë jetë, ishte aktori numër një. Jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Kam pasur fatin të punoj me të në filma, në shfaqje teatrale. Kam qenë krejt i ri. Ka pasur shumë projekte ku kemi qenë së bashku. Unë kam qenë gjeneratë më e re dhe ai gjenerata më parë, por aktorë të rinj e të vjetër nuk ka, ka ‘aktorë’ dhe aktorë. Kur Istref Begolli ka hyrë në skenë, është dridhur skena. Ka qenë edhe i pashëm”, ka kujtuar Muçaj.

Istref Begolli u lind më 7 maj të vitit 1933 në Pejë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Prej moshës 16-vjeçare filloi të punojë si aktor i rregullt i atij që dikur njihej si Teatrit Popullor Krahinor deri në vitin 1961. Që nga ajo kohë e deri në vitin 1963 punoi në Teatrin Jugosllav të Dramës, në Beograd. Pas tre vjetëve pune atje u rikthye në ish-Teatrin Popullor Krahinor ku punoi deri më 1968 gjer më 1990, ku edhe pensionohet si aktor i këtij teatri.

Për nder të 90-vjetorit të lindjes së ikonës së teatrit Istref Begolli, është bërë e ditur se Ministria e Kulturës, teatri “Istref Begolli” në Pejë dhe Qendra Kinematografike e Kosovës sivjet do të realizojnë monografinë kushtuar tij.