Kulturë

“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, temë bashkëbisedimi me mërgimtarët në Hamburg

“Së bashku do të flasim për librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse” të Ag Apollonit dhe gjithashtu për letërsinë në përgjithësi”, është njoftimi i shkurtër që ka lëshuar klubi i librit “ODA” në rrjetet e tyre sociale

Prishtinë, 23 janar – Pashka dhe Ferdonija. Dy nëna, dy dhimbje të së njëjtës tragjedi. Ato kishin mbetur si titrat në fund të një filmi që ishte kryer në fund të shekullit të kaluar. Njëra ndali hapin përgjithmonë në një livadh midis varreve dhe shtëpisë. Tjetra rri në shtëpi dhe pret qe njëzet vjet.

Historia e luftës me pasojat e saj që vazhdojnë në paqe përbën kurrizin e romanit më të ri të shkrimtarit Ag Apolloni “Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Për këtë libër, të shtunën do të diskutohet edhe në klubin e librit “ODA” në Hamburg. Takimi do të mbahet në formatin hibrid me prani virtuale dhe fizike të pjesëmarrësve në Luisenhof në Hamburg-Farmsen. Diskutimi do të nisë nga ora 17:00 dhe të gjithë pjesëmarrësit fillimisht duhet të regjistrohen.

“Së bashku do të flasim për librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse” të Ag Apollonit dhe gjithashtu për letërsinë në përgjithësi. Mbrëmja do të moderohet nga Hysni Ndreu - albanolog dhe studiues i letërsisë nga Tirana. Ju presim me padurim”, është njoftimi i shkurtër që ka lëshuar klubi i librit “ODA” në rrjetet e tyre sociale.

Distanca kohore prej dy dekadash, nga e përgjakshmja luftë e fundit në Kosovë, kishte qenë një nga ngacmimet e Apollonit për t’iu rrekur në një mënyrë tjetër historisë së luftës me pafund rrëfimet e saj.

Si dokuroman që nuk rrëshqet në fiksion, “Një fije shprese, një fije shkrepëse” qysh në titull vjen si një tribut për dy gra që shpalosin tragjedinë e luftës së fundit.

Gjysma e parë e titullit që evokon shpresën ka si bosht historinë e nënës nga Gjakova, Ferdonije Qerkezi, që humbi gjatë luftës katër djemtë dhe bashkëshortin. Me shpresë e pritje i shtyn ditët qe njëzet vjet se mos do të mësojë për fatin e më të shtrenjtëve të saj.

“Ditët ndërrohen dhe përsëriten, vetëm e shtuna mbetet e njëjtë. Ajo nuk kalon. Ka njëzet vjet që është ndalur. Ju mund të shkoni edhe në ditë pune te shtëpia e Ferdonijes, por, sapo të hyni brenda, jeni në të shtunën e saj. Një ditë e saj është më e fortë se çdo ditë e juaja. Ajo i gëlltit ditët e tjera, i transformon në një të shtunë të zezë”.

E gjysma tjetër e titullit që evokon një fije shkrepëse ngrihet mbi tragjizmin e nënës tjetër gjakovare, Pashke Markaj, që ia vuri flakën vetes kur më 24 maj 2003 iu kthyen trupat e pajetë të dy djemve të saj, Gjovalini dhe Milani.

“Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj. Ajo u fut në zjarr për t’i nxjerrë ata nga harrimi”, shkruhet në një nga faqet e romanit.

“Secila prej këtyre dy nënave përfaqëson tragjedinë e luftës së fundit”, kishte thënë Apolloni për KOHËN me rastin e promovimit të librit më 12 nëntor të 2020-s, duke shtuar se për romanin është një kronikë e luftës dhe e paqes në Kosovë.

Romani, ndër të tjera, përfshin një vizitë të tre shokëve, njëri prej të cilëve, Apolloni, në shtëpinë e nënës Ferdonije. Në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë shqiptare janë përfshirë edhe përvojat personale të tre shokëve në raport me luftën.

Linjave të rrëfimit u shtohen edhe faqe të tëra që flasin për dhunën e Serbisë, për dëbimet dhe djegiet, spastrimet, ndërhyrjen e NATO-s, të pagjeturit e për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.

Romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është botuar nga shtëpia botuese “Bard Books”.