Kulturë

Një dëshmi, nëse jo për histori, së paku për jetën e përditshme

As në ëndërr nuk më kishte shkuar ndërmend se do të vinte dita të shkruaja një libër si ky. Kisha plane të tjera të shumta, prej të cilave nuk kam hequr dorë, por ato mbetet të presin një kohë tjetër më të mirë. Sepse, nuk i ngjan puna punës, thonë në vendlindjen time. Ka punë që presin dhe ka të tjera që ose bëhen sot, në këtë moment, ose nuk bëhen fare.

Më 14 mars, një ditë pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë, vendosa të mbaja ditar, gjë që e kam bërë herë pas here edhe më parë, transmeton KOHA.

Thashë me vete: të lë një dëshmi, nëse jo për histori, së paku për jetën e përditshme të njerëzve të një kohe, të neve që na ra në hise ta përjetojmë pandeminë Covid-19.

Të lija një dëshmi dhe të shlyeja një borxh ndaj atyre që i vunë gjoksin kësaj sëmundjeje, duke rrezikuar veten, mjekëve në radhë të parë, por edhe infermierëve, laborantëve, ekspertëve të mikrobiologjisë, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, në radhë të parë atyre shëndetësore, por edhe policëve që ditë e natë ishin në krye të detyrës, duke u kujdesur për rendin.

Për pandeminë do të shkruhen libra në të ardhmen (ndoshta tashmë janë shkruar ose po shkruhen). Do të shkruhen libra e do të bëhen shfaqje e filma. Dokumentarë e artistikë. Secili që e ka përjetuar mbylljen dhe izolimin e, larg qoftë, edhe sëmundjen, ka rrëfimin e vet për të.

Ky është rrëfimi im, ashtu siç e kam parë e përjetuar unë këtë situatë: situatën nëpër të cilën kaluam në muajt mars, prill, maj të këtij viti.

Këto janë shënime të mbajtura rregullisht gjatë ditëve të pandemisë, ndërsa qëndroja i mbyllur në shtëpi, në banesën time në Prishtinë. E fillova si diçka të vogël, por ditë pas dite e javë pas jave, erdhi duke u rritur, ashtu siç rritet topi i dëborës kur niset nga maja e bjeshkës për të përfunduar në fund si ortek a rrungajë.