Kulturë

Një adresë harmonizon rrëfimin për “Akordet e Kosovës”

Rrëfimi për “Akordet e Kosovës” është i shpërndarë nëpër faqe të vjetruara gazetash, në arkiva personale a në kujtime. Dy studentët e antropologjisë, Tringa Sefedini dhe Enis Bytyqi, i kanë bashkuar dëshmitë në një ueb-faqe. Është dokumentim jo vetëm i një ngjarjeje me peshë, që nisi rrugëtimin këtu e 60 vjet më parë, por edhe ruajtje e kujtesës kolektive

Historia e muzikës moderne shqipe është e paimagjinueshme pa festivalin “Akordet e Kosovës”, e me synimet për ta dokumentuar në një vend krejt historikun e kësaj ngjarjeje, Tringa Sefedini dhe Enis Bytyqi kanë mbledhur dokumente, rrëfime, materiale arkivore e shumëçka tjetër. Në ueb-faqen festakordet.com, e cila është lansuar të mërkurën pasdite në Qendrën për Praktika Narrative në Prishtinë, vizitorët mund të gjejnë materiale të shumta të këtij festivali. Ueb-faqja është e ndarë në pesë pjesë: historiku, netët, matineja për fëmijë, shpërblimet, librat dhe për ne. Aty shfletohen kapitujt e “Akordeve...” fotografi apo video. Në mesin e tyre edhe pjesëmarrës, dikur fëmijë, si avokati Arianit Koci ku shihet duke shikuar nga kamera, apo incizimi i vëllezërve Ardit e Astrit Stafai duke kënduar në mbrëmjen e organizuar për fëmijë, e shumë personazhe të tjera.

Teksa kapërcehet nga njëri sektor te tjetri, vizitori mund të dëgjojë edhe interpretime si ai i Nexhmije Pagarushës e Ismet Bogujevci “Kur ta falë një tufë gërshetë”, Liliana Çavollit “E porosis at’ zog” e të tjera. Në një tjetër vjen edhe atmosfera në publik, teksa gazetari Mitalip Qoqa ndalon dhe interviston nga publiku Liliana Osmanin.

Në një kapitull të ri, “Nata me muzikë argëtuese” mund të dëgjohen këngë si ajo “Mbi re” po ashtu nga Pagarusha, “S’e kam lehtë” të Vera Oruçajt, teksa e tëra kjo është e dokumentuar me fotografi nga interpretimet e shumta të këngëtarëve e shkrime të “Rilindjes”. Po aty janë edhe Bashkim Paçuku dhe okteti “Kosovarët” duke performuar këngën “Njëzet vjet të Festivalit”.

Te pjesa “Shpërblimet” e cila hapet me citatin e këngëtares Sevim Baki – “Gjithë vitin i kemi dëgju kangët që kanë fitu në Akorde” – shpalosen edhe fotografi të “Okarinës së artë”, shpërblimi kryesor që ndahej që prej vitit 1970.

“Ky shpërblim i veçantë i dedikohej kompozitorit që tregonte krijimtari origjinale dhe vizion artistik në kompozimin e tij. ‘Okarina e Artë’ përfaqësonte vlerësimin e publikut. Për këtë shpërblim votohej në pauza të Festivalit. Në biletat e tyre, publiku e shkruante emrin e këngës më të pëlqyer për ta, dhe i vendosnin biletat brenda kutive të votimit në korridor. Në fund të Festivalit shpallej fituesi/ja e ‘Okarinës së artë’”, shkruan anash fotografive të ndryshme të “Okarinave të arta”.

“Akordet e Kosovës” qe njëri prej festivaleve më të shquara në Kosovë. Fillin e një rrugëtimi që nisi në vitin 1963. Dy autorët e ueb-faqes kanë ndarë disa detaje prej hulumtimit të tyre. Janë ndalur edhe te edicioni i parë i hapur prej kompozitorit të shquar Rexho Mulliqi.

Image
Ueb-faqja festakordet.com është adresa e cila kthen prapa në kohë, në dëshmitë e rrëfimet për “Akordet e Kosovës”

“’Kjo ngjarje e parë dhe unike ndër ne asht’ rezultat i përpjekjeve të njerëzve të rij të Krahinës sonë dhe e kontributit të tyre për zhvillimin e muzikës origjinale të të gjitha zhanreve në këtë lami”, shkruhet në ueb faqen, Festakordet.

Heqja e autonomisë së Kosovës në vitin 1974 goditi edhe Festivalin. Vitet ‘90 qenë kohë sfidash edhe për “Akordet...” përkundër tentativave për ta mbajtur në nivel, përderisa sipas historikut, përpjekja për ta mbajtur më 1995 dështoi, ani pse nëpër arkiva ka edhe një poster të tij. S’ka emër të njohur muzike që nuk ka marrë pjesë në atë festival. Përveç në shqip, në Festival këndohej edhe në serbisht e turqisht, dhe ishte rregull që për çdo vit një çmim të shkonte për kombësitë e tjera. Edhe prezantimi i tij bëhej në këto tri gjuhë.

Dyshja, studentë të antropologjisë, ofrojnë një kthim në kohë nëpërmjet fotografive, rrëfimeve e kujtimeve. Aty janë dëshmitë për pjesëmarrësit, fituesit, prezantuesit, stafin. Arkivi pasurohet edhe me shtatë librat e shtatë edicioneve. Zakonisht pas përfundimi të Festivalit botoheshin librat ku, në detaje, tregohej për edicionin e caktuar. Nëpër librat e dokumentuar mund të shihen detaje të shumta përfshirë dhe partiturat e këngëve konkurruese bashkë me tekstin.

Bashkautori i këtij projekti, Enis Bytyqi, ka treguar se bazë për ta përmbledhur rrëfimin për “Akordet e Kosovës” kanë qenë arkivat.

“Kemi intervistuar njerëz për informatat që na janë dashur. Më pas kemi bërë një studim të shtypit, të gazetës ‘Rilindja’, gazetës ‘Tan’ në gjuhën turke dhe ‘Jedinstvo’ në gjuhën serbe. Mandej kemi hulumtuar edhe material arkivor nga arkivat personale, arkivave që kemi mundur të gjejmë nëpër faqe të internetit dhe kështu është ndërtuar komplet përmbajtja e ueb-faqes”, ka thënë Bytyqi

Bashkëpunëtorja e tij, Tringa Sefedini, ka treguar për pengesat dhe sfidat me të cilat ishin përballur gjatë periudhës së mbledhjes se materialeve. Ka bërë të ditur se shumë nga informatat e shpërndara nëpër internet nuk kanë qenë të sakta.

“Sfida kryesore e projektit ka qenë me i gjetë materialet, sepse sado që në internet ka pasur shkrime mbi ‘Akordet’, nuk kanë qenë të sakta ose kanë qenë të izoluara e për neve ka qenë shumë e rëndësishme me ba një databazë dhe t’u japim kontekst atyre shkrimeve të izoluara. Sfida tjetër ka qenë se si ta gjejmë intervistuesin e parë, dhe vetëm ajo na ka marrë kohë, sepse ai më pas i ka njoftuar shokët dhe shoqet e asaj kohe. Gjithsecili ka ardhur shumë i përgatitur në intervista dhe na ka ndihmuar shumë në procesin e hulumtimit”, ka thënë Sefedini.

Ajo ka treguar se si Festivali nuk ishte mbajtur asnjëherë në të njëjtën datë dhe teksa kishin kërkuar materiale në gazetën “Rilindja”, u ishte dashur të kontrollonin secilën gazetë derisa të binin në ndonjë fotografi a lajm që tregonte datën se kur ishte mbajtur Festivali atë vit.

Adresa e “Akordeve të Kosovës” vjen në kohën kur Radiotelevizioni i Prishtinës tashmë kishte lansuar datat e Festivalit të Këngës në RTK. Sipas asaj çka është bërë e ditur deri më tani, Festivali pritet të mbahet në tetor. E një lajm të tillë e ka pritur mirë edhe Enis Bytyqi, i cili ka theksuar rëndësinë e një festivali të tillë siç ishte dikur “Akordet...”.

“Kur e kam lexuar Rregulloren ka qenë fiks në këtë periudhë sa kemi qenë duke punuar në këtë projekt. Normalisht më ka ardhur mirë që është duke u krijuar një festival për vendin tonë, sepse me të vërtetë kemi pasur nevojë për një festival të tillë në skenën tonë, për një afirmim të krijuesve. Ideja është që ndoshta, që unë jam shumë i ngjeshur me idenë nostalgjike për ‘Akordet...’ duke u bazuar që kam qenë shumë i impenjuar në burime të ndryshme, në foto, video në të gjitha, më ka penguar fakti që s’është titulluar ‘Akordet...’, por normalisht kjo është vetëm diçka personale e imja. Jam shumë entuziast ta shoh festivalin dhe shpresoj që del diçka e mirë, bëhet një ngjarje e mirë që normalisht për gjenerata që vijnë më vonë ta bëjnë një projekt të tillë për këtë festival, siç e kemi bërë ne për ‘Akordet’”, është shprehur ai.

Punën e këtyre dy të rinjve e ka konsideruar si tejet të rëndësishme edhe antropologia sociale Rozafa Berisha.

“Rëndësia e këtij projekti është shumë e madhe, meqenëse na e prezanton një trashëgimi kolektive, që u përket të gjithëve dhe e cila siç jemi mësuar me e pa, nuk është trashëgimi e kulturës materiale, por jomateriale, është kënga, muzika, sigurisht edhe materialja involvohet, por është e tjetër natyre. Në fakt, nëse e shfleton këtë ueb jo vetëm që njoftohesh me këtë festival, por funksionon edhe si një dritare e prodhimeve kulturore, muzikës, këngës, por edhe reflekton kontekstin politik të kohës”, ka thënë Berisha.

Me shumë nostalgji për Festivalin ka folur gazetarja Minire Fetahu, së cilës i kishte rënë ta përcillte live këtë festival. Krijimi i kësaj ueb-faqeje, sipas saj, do të shërbejë në jetësimin e Festivalit.

“Mendoj se këta dy të rinj kanë bërë një punë të mrekullueshme. Sepse anglezët thotë që një vepër që nuk e shkruan, nuk mund të ekzistojë. Ky festival ka ekzistuar, por puna e tyre ka shumë rëndësi, sepse kjo përcillet te gjeneratat e tjera, te të rinjtë që nuk e dinë se çfarë ka ndodhur gjatë asaj periudhe. A ka pasur festival, si ka shkuar festivali, a ka pasur këngë dhe orkestrime të bukura, këta ua kanë bërë të mundur të gjithëve të hyjnë në ueb-faqe dhe ta shohin se çka ka ndodhur në atë kohë”, ka thënë ajo.

Pavarësisht punës së madhe që është bërë deri më tani, dy autorët e ueb-faqes presin ta pasurojnë atë edhe me më shumë informacione. “Akordet e Kosovës” fsheh histori të bujshme. E shpalosja e saj tashmë ka nisur.