Kulturë

Nisin takimet e grupit punues për planin e menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës

Grupi punues për zhvillimin e studimit të fizibilitetit dhe planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës ka nisur të mbaje takime. Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, plani i menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës synon të definojë mënyrat e konservimit, ruajtjes, zhvillimit dhe promovimit të Qendrës Historike të Prishtinës, e cila përcaktohet si zonë me vlerë të trashëgimisë, në mënyrë që të transmetohet tek brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

“Po ashtu të analizojë dhe kuptojë nëpërmjet përfshirjes së akterëve dhe hisedarëve të ndryshëm, forcat e ndryshimit dhe ndryshimet që ndodhin në aspektin kulturor, mjedisor dhe socio-ekonomik në mënyrë që të mundësohet mbrojtja, përmirësimi dhe zhvillimi i koordinuar dhe i përbashkët, të identifikojë qëllimet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata në lidhje me ruajtjen dhe zhvillimin e zonës, si dhe strategjitë dhe veprimet ‘inovative’ për arritjen e tyre”, shkruhet në njoftim. Anëtarët e grupit punues janë takuar të martën.

Grupi punues që udhëheq këtë proces përbëhet nga institucionet vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, organizatave të shoqërisë civile të profilizuara në trashëgimi kulturore dhe planifikim hapësinor, programit0 të UN-Habitatit në Kosovë dhe institucioneve tjera.

“Ky projekt i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe i mbështetur nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë, synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor për zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës”, shkruhet në njoftim. Ministria e Kulturës po ashtu është duke punuar në Planin menaxhues të parkut arkeologjik “Ulpiana”. Ky plan do të duhej të ishte punë e kryer të paktën prej vitit 2017, pasi në vjeshtën e vitit 2016 një pjesë e lokalit arkeologjik qe shpallur park arkeologjik. Pavarësisht një drafti të përgatitur procesi nuk kishte ecur përpara. Në pjesën e dytë të kësaj jave një grup i ri punues do të mbajë punimet për ta finalizuar planin.