Kulturë

“Nisesos” me art pushton “Rrugën B” pa hapësira publike e galeri

Furrë buke, mishtore, markete, lulishte, butik, dyqan këpucësh e sallon ondulimi janë shndërruar në galeri. Nuk ka të bëjë me një pushtim brutal, por projekti që e bën këtë, “Nisesos”, është një kontrapunkt ndaj kapitalizmit që ia ka dhënë formën “Rrugës B”, ku s’ka vend për hapësira publike njashtu sikurse për art

Muralet në “Rrugën B” tashmë nuk janë të vetmet vepra arti në këtë hapësirë. Dymbëdhjetë lokale biznesore janë zbukuruar me vepra artistike si pjesë e ekspozitës “Rruga B”, e para me projektin “Nisesos”. Furrë buke, mishtore, markete, lulishte, butik, dyqan këpucësh e sallon ondulimi janë shndërruar në galeri.

“Nisesos” që bashkon dy fjalët shqipe, nuk e fton publikun në galeri, e çon artin aty ku është ai, qoftë edhe si kalimtar rasti. Ani pse me ndërhyrje të vogla artistike, synon të tërheqë syrin e konsumatorëve dhe ta bëjë artin medoemos pjesë të jetës së tyre. Ka një zanafillë dhe ajo është kryekëput reagim.

Ideja e kësaj ekspozite bashkë me krejt projektin “Nisesos” thyen konceptin e rrugës qendrore dhe periferike, ashtu siç ngjan në realitet me “Rrugën B”. Ajo sot është qendër e frekuentuar, por pos lokaleve objekteve të banimit e të tjera si këto, nuk ka hapësira arti. Prandaj veprat artistike të tre artistëve nuk qëndrojnë të varura në muret e një hapësire të vetme, por janë shpërndarë nëpër lokale të ndryshme private, me titullin e një ekspozite të vetme, “Rruga B”. Shërben, pos për të kënaqur të gjithë ata që i shohin e për t’i promovuar punët e artistëve, edhe si një revoltë ndaj mungesës së hapësirave publike në këtë pjesë që dita-ditës po shndërrohet në “qendër”.

Numri maksimal i veprave të vendosura në një galeri është dy.

Rron Qena, Blerim Racaj e Fatlum Doçi janë bashkuar dhe u kanë dhënë këtyre hapësirave krejt të ndryshme e të zakonshme artin dhe ngjyrat e veprave të tyre. Bashkë me to reflektojnë ndikimin dhe atë se çfarë dhe si është shndërruar “Rruga B” ndër vite. Pasqyrojnë ndjenjat që ai vend iu fal teksa shpenzojnë kohën e tyre aty.

Tre artistët janë thirrje për rrugëtim në tri kohë të ndryshme, si një mënyrë për ta kuptuar qartë krejt idenë dhe konceptin që projekti ka në qendër. Rron Qena sjell me pikturat e tij livadhin që ishte dikur “Rruga B” kur ai ishte fëmijë. Pos “Rrugës B” me veprat vaj në pëlhurë i çon vizitorët te një periudhë të rëndësishme për të, fëmijëria. Blerim Racaj në ekspozitë pasqyron të tashmen e të dy bashkë vënë në pah kontrastin e krijuar ndër vite. Racaj me aparat fotografik portretizon këtë pjesë të qytetit të mbytur me ndërtime. Mysafir i “Rrugës B” është Fatlum Doçi nga Shqipëria, i cili pasuron ekspozitën me një pikëpamje të jashtme. Me veprat e tij u mundëson vizitorëve të kuptojnë një anë tjetër që vjen nga një njeri që nuk është i lidhur emocionalisht me vendin që është kryetemë.

“Ideja e këtij projekti ka qenë që t’u dedikohet lagjeve dhe zonave periferike, në mënyrë që nuk ka qenë një projekt artistik dhe shumë disiplinor, ta bëjë të mundur pak edhe decentralizimin e kulturës dhe të artit. Të paktën kjo është dëshira. Projekti u dedikohet lagjeve periferike qofshin këto zonat të humbura urbane ose qendrat e reja të kapitalizmit që e konkurrojnë vetë qendrën. Në njëfarë forme projekti thërret artistë, hulumtues të fushave të ndryshme të cilët bëjnë hulumtim dhe japin kontributin e tyre për zonën. Të pasurojnë dijen mbi këto zona që nuk ka shumë interes dhe jo vetëm dije”, ka thënë Blerta Hoçia, kuratore e kësaj ekspozite. “Vetë fjala ‘Nis e sos’ është fjalë e vjetër shqiptare. Edhe pse ndoshta nuk kuptohet kur dikush e lexon, abstragohet pak”, ka shpjeguar ajo emrin e projektit që synon të dalë edhe jashtë Kosovës e të prekë Tiranën me art.

Hulumtimi gjashtëmujor deri te ekspozita nisi fillimisht nga lidhja e kuratores me vendin. Ani pse është nga Shqipëria, në “Rrugën B” jeton tash e sa kohë.

“Jam banore e zonës prej shumë kohe dhe gjithmonë më është dukur interesante ajo se si konceptohet nga ata që nuk janë banorë të kësaj pjese, sidomos nga qendra. Mund të themi që ‘Rruga B’ është e famshme. Mendoj që meritonte një edicion të ‘Nisesos’ dhe kështu lindi”. Për këtë edicion u ftuan artistët që të punojnë me veprat e tyre, arkitektë dhe antropologë”, ka thënë Hoçia.

Ka thënë se “Rruga B” nuk është vetëm rruga. Aty biznesi është mbizotërues sikurse hapësira private.

“Jo vetëm që të bie në sy, por edhe të përplaset në fytyrë që mungon hapësira publike. Si rrjedhojë edhe ekspozita ishte e natyrshme që të shtrihej pikërisht në hapësira private, aty ku edhe jeta e komunitetit zhvillohet, në pamundësitë e hapësirave publike. Edhe ekspozita është e shpërndarë në këto pika që janë biznese, për shembull furra e bukës, mishtorja, aty ku njerëzit e kalojnë përditshmërinë”, ka thënë ajo.

Image

E titulluar me emrin e rrugës të cilën e ka në fokus, ekspozita nuk ka angazhuar vetëm artistë. Për të përmbledhur një projekt që pos veprave artistike ka edhe informacione shtesë, janë angazhuar ndër të tjerë edhe antropologë.

“Një përfundim që e kemi nxjerrë është që kjo lagje është e ndërtuar me një rastësi, me një lloj kapitalizmi të egër. Të gjitha gjërat janë ndërtuar veç në bazë të asaj se a mund të ndërtohen, pa u lënë shumë hapësirë fëmijëve, pa lënë shumë hapësira që të bëjmë art. Kjo ka qenë edhe ideja e kësaj ekspozite, që t’i japim edhe kësaj lagjeje edhe njëfarë mundësie edhe një hapësirë sado të vogël që të mund të bëjnë art”, ka thënë Shpat Shkodra, që në të u angazhua si antropolog.

Projekti do të nxjerrë edhe rezultatet e anketës me banorët e kësaj zone që ka në theks edhe mungesën e asaj që kërkon “Nisesos”: hapësirat publike e atyre për art. “Nisesos” synon ta çojë artin edhe në vende të tjera.

“Bashkërisht me Shpatin e kemi shkruar një punim, ese, në të cilin i kemi mbledhur rrëfimet e banorëve të ndryshëm të ‘Rrugës B’ dhe banorëve që jetojnë te ‘Bregu i Diellit’ dhe jetojnë për një kohë të gjatë aty. Ata pak a shumë e shpjegojnë idenë se si kjo zonë e qytetit ka ndryshuar ndër vite. Jemi munduar që ta interpretojmë në një mënyrë që e kuptojnë të gjithë. Shkrimi është i thjeshtë, por janë vetëm disa tregime të ndryshme që i kemi lidhur mes vete”, ka thënë Era Qena, antropologia tjetër e projektit.

Se ky projekt do të ketë impakt pozitiv në vend e beson antropologu Shkodra. Nëse jo në ndërtim, beson se mund të ndikojë në mënyrën e perceptimit të gjërave dhe të vendeve.

“Kjo më së paku mund të jetë një lloj sinjalizuesi. Vetë ideja që të kemi një vend ku mund të bësh art dhe ta mendosh një market si një galeri është goxha interesante për mendimin tim. Mund të jetë diçka që veç i bie në mend dikujt ta vazhdojë edhe më shumë t’i shohë këto vende si publike, si private, me një sy pak më kritik, më të ndjeshëm dhe pak më proaktiv”, ka thënë ai.

Të gjithë ata që pasditen e së martës ia kanë dedikuar ekspozitës, patën rastin të shëtisnin rrugëve e dyqaneve të kësaj hapësire, për të udhëtuar nëpër ekspozitë. Në mesin e tyre ka qenë edhe muzikanti e grafisti i shquar, Gani Jakupi.

“Po më duket shumë mirë. Është si mishërim i ambientit të Prishtinës, për shkak se me kërku të bësh diçka aty ku të tjerët nuk e kanë bërë është si iniciativë shumë e mirë, pavarësisht rezultatit dhe vlerës së veprave të cilat nuk është nevoja as t’i përmendim. Është një punë që e kanë pasur këtë ide dhe e kanë realizuar, dhe është një mund që është goxha meritor”, ka thënë Jakupi.

Ekspozita “Rruga B” do të qëndrojë e hapur deri në fund të qershorit, përderisa projekti “Nisesos” synon të vazhdojë hulumtimin në mënyrë artistike edhe nëpër vende të tjera. Projekti i radhës ka piketuar një hapësirë midis Prishtinës e Ferizajt, përderisa shpejt do të zhvillohet edhe në Tiranë.