Kulturë

Nis transformimi i NEWBORN-it me synimin për një tjetër imazh të luftës

Temperaturat kanë shënuar minus 7 gradë celsius mesditën e së dielës. Përkundër të ftohtit, disa vullnetarë kanë qëndruar afër NEWBORN-it që tashmë i është lyer baza me ngjyrë krem. Ata kanë mirëpritur qytetarët dhe i kanë udhëzuar sesi të linin gjurmët e duarve në monument. Në mesin e disa prej tyre që tashmë kanë lënë gjurmë është edhe këngëtarja Donika Rushiti.

Me t’ia dhënë dorëzat, vullnetari Art Latifi e ka pyetur se me cilën ngjyrë dëshironte ta ngjyroste dorën. Rushiti kishte tri opsione para vetes: ngjyrën e gjelbër të mbyllët, kafe të hapur dhe kafe të mbyllët. “Të gjelbër”, ka thënë ajo. “Të kombinohet me shallin”, ia ka kthyer Latifi. E një vullnetar tjetër ka shtuar se ngjyrën e gjelbër po e përzgjedhin shumica e qytetarëve. Këngëtarja nga Ferizaj është një nga dhjetëra personat që të dielën, me të nisur aksioni, la shenjën e dorës në monument. Qëllimi është që obelisku NEWBORN të ketë pamjen e uniformës së ushtrisë, të krijuar nga duart e vetë qytetarëve. Ani pse ngjyrat e ushtrisë janë parë si thirrje për imazhin e UÇK-së, qytetarët këtë e shohin përtej saj.

Rushiti pasi që ka lënë shenjën e dorës së djathtë , ka thënë se i kishte pëlqyer shumë ideja dhe prandaj kishte ardhur. E ka konsideruar veprimin e saj si shenjë që tregon mirënjohje ndaj të gjithë atyre që luftuan, kontribuuan e madje edhe dhanë jetën për liri. Veprimin e saj e ka parë si diçka shumë të vogël karshi mesazhit që do të përçojë monumenti.

Image

“Është diçka interesante dhe shumë e mirë. Sigurisht, kontributi im këtu ishte shumë i vogël në krahasim me njerëzit që kanë dhënë kontribut për lirinë e vendit. Kjo është ndoshta një pikë ujë në oqean”, ka thënë ajo. Ka treguar se posa kishte mësuar nga ideatori i monumentit, Fisnik Ismaili, se çfarë do të përçonte imazhi i sivjetmë e kishte ndarë mendjen që të dilte.

Për KOHËN, të shtunën kur shpalosi konceptin e dizajnit, Fisnik Ismaili ka thënë se imazhi i sivjetmë i monumentit është menduar si kundërshtim i imazhit negativ të UÇK-së në skenën ndërkombëtare.

“Normalisht që prej fillimit të Gjykatës Speciale, prej fillimit të cenimit të ushtrisë, si ushtri çlirimtare, e cila nisi të identifikohet si ushtri, kushtimisht po them terroriste, dhe që ka nisur të krijojë një imazh të tillë, ne jemi duke e kundërshtuar jo mjaftueshëm këtë imazh që po i jepet e po i cenohet luftës çlirimtare. Ne duhet ta tregojmë vullnetin tonë, përkrahjen tonë, e cila nuk ndërlidhet me individë të caktuar. Ndërlidhet me një luftë të tërë të një ushtrie të tërë”, ka thënë ai.

Monumenti, ani pse ka ndryshuar pamje disa herë, vetëm tri herë u është mundësuar qytetarëve që të lënë shenjat e tyre, konform dizajnit të menduar. Për herë të parë u ishte lejuar në vitin 2008, më 17 shkurt, kur u bë inaugurimi i obeliskut që menjëherë ishte shndërruar në brend të shtetit të ri. Edhe në shkurt të vitit 2015, Fisnik Ismaili i kishte ftuar qytetarët që ta ngjyrosnin si të donin. Asokohe, ndër të tjera, E-ja u bë e zezë, e këtë autori e kishte lidhur me eksodin, Evropën, ekonominë e EULEX-in. Hera e tretë, ishte në vitin 2019, kur ngjyrosja u ishte lënë plotësisht në dorë të rinjve sipas dëshirës së tyre. Edhe këtë vit qytetarët janë të lirë të lënë shenjat e tyre, ani pse duhet ndjekur konceptin e menduar. Kjo nuk është diçka e rastësishme.

Ideatori i NEWBORNIT-it, Fisnik Ismaili, ka shkruar në rrjete sociale se sivjet duhet të gjithë të bëhen bashkë përsëri për t’i treguar botës, sikur në ditën kur u shpall pavarësia, e kur të gjithë lanë nga një shenjë, “se jemi të njëzëshëm për sakrificën dhe flijimin e të gjithë atyre që dhanë jetën që ne të jetojmë në paqe”. I inauguruar para 13 vjetëve, NEWBORN-i më 2015 u shpall monument.

Image

“Në një kohë kur po na cenohen dinjiteti dhe lufta e pastër si asnjëherë më parë, është momenti i fundit që të bëhemi të gjithë bashkë dhe t’i tregojmë botës se paqen e prumë të gjithë ne, me shumë sakrificë”, ka shtuar Ismaili. Ka thënë se ishte lufta ajo që i ndryshoi të gjitha, që qytetarët të jetojmë të lirë. “E paguam dikur me çmim të shtrenjtë, prandaj sot e konsiderojmë të shenjtë”, ka shkruar ai.

NEWBORN disa herë ishte në vëmendje të mediave ndërkombëtare. Sigurisht, promovimi më i mirë iu bë përmes këngëtares Rita Ora, e cila mbi të realizoi disa pjesë të vidoklipit “Shine Ya light” të lansuar në vitin 2012. “Edhe këtë vit besoj që mediat ndërkombëtare do të shkruajnë për NEWBORN-in”, ka thënë Bujar Bllatofci. Ai për herë të parë ka dalë si vullnetar për të ndihmuar në ngjyrosjen e monumentit.

“Ky monument ka një vend të veçantë për të gjithë ne, pasi që lidhet me pavarësinë e vendit”, ka thënë ai. Ka shtuar se ka dalë në mënyrë që monumenti të marrë ngjyrën dhe simbolikën që e meriton. “Jam bashkuar në mënyrë që të merr ngjyrat e ushtrisë sonë, në mënyrë që ne me i dalë në mbrojtje ushtrisë së vendit tonë”, ka thënë ai.

Art Latifi, 24-vjeçar, që po ashtu është vullnetar, ka thënë se imazhi i ri i monumentit do të komunikojë edhe me botën.

“Është goxha një kauzë kuptimplotë . Siç po e shihni këto duart tregojnë një lloj uniteti që na ka munguar gjatë dhe për këtë kam vendosur që të vij dhe kontribuoj sot këtu”, ka thënë ai. Sipas tij, imazhi i sivjetmë tejkalon kauzën që ka vendosur ideatori.

“Edhe sivjet e ka kap edhe një kauzë edhe globale, pasi që ky unitet që po reflektohet sot, përveç sfidës që kemi pasur ne si shqiptarë flet edhe për sfidën me pandeminë me të cilën është përballur e gjithë bota, tregon se të gjithë jemi të barabartë dhe së bashku kështu që besoj që do të merr edhe vëmendjen ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Procesi i ngjyrosjes do të vazhdojë edhe të hënën e të martën.

Vitin e kaluar ngjyrosja e “Newbornit” ishte një homazh për viktimat e abuzimit seksuale gjatë konflikteve anembanë botës. Në 10-vjetorin e pavarësisë, monumentit në vend të shkronjës “B” i ishte vënë numri “1”, që bashkë me shkronjën “O” formonin numrin 10, që lidhej me dekadën e parë të pavarësisë. Ngjyrosja më 2017 ia kishte dhënë pamjen e një muri dhe rrëzimi i dy shkronjave krijonte thirrjen “No Walls” (Pa mure). Për katër vjet NEWBORN-i kishte pamjen fillestare me shkronja të verdha. Më 2013-n, në pesëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, për herë të parë ndërroi pamjen kur do të ngjyrosej me flamuj të shteteve që deri atëherë e kishin njohur shtetin. Më 2014-n u “vesh” me uniformë ushtarake. E në vitin 2016 telat me gjemba i jepnin pamje të vrazhdë qiellit të kaltër.

Image