Punimet për ndërtimin e Qendrës Kulturore Hebraike kanë filluar të dielën në Prizren, me ç’rast pjesëtarë të komunitetit, diplomatë e zyrtarë institucionesh kanë pohuar se në këtë mënyrë pasurohet mozaiku shumëkulturor i qytetit të vjetër. Vlera e projektit që financohet nga MKRS-ja për restaurimin e kësaj ndërtese është afro 550 mijë euro
Punimet restauruese në ndërtesën e Qendrës Kulturore Hebraike në Prizren kanë filluar. Pjesëtarët e këtij komuniteti fetar, bashkë me diplomatë nga Izraeli dhe shtetet e tjera, sikurse edhe zyrtarë të institucioneve vendore të dielën kanë vlerësuar këtë moment, duke theksuar se në këtë mënyrë konfirmohet edhe një herë miqësia e kamotshme e shqiptarëve dhe e hebrenjve. Sipas tyre, kjo qendër do të vihet në shërbim të komunitetit hebraik, por edhe të të gjithë qytetarëve dhe vizitorëve të huaj. Në të krahas sinagogës do të ketë hapësirë muzeale, galeri, bibliotekë e hapësira të tjera përcjellëse.
Nisja e punimeve drejt krijimit të qendrës shumë-funksionale për Bashkësinë Hebraike në Prizren është cilësuar si moment i ndjeshëm dhe me peshë të madhe nga kreu i kësaj bashkësie, Votim Demiri, i cili ka përkujtuar deportimin e familjeve hebraike nga kjo lagje gjatë Luftës së Dytë Botërore.
shpirti i hebrenjve gjithmonë ka qenë pjesë e mozaikut të shoqërisë kosovare. Jam i sigurt që edhe në vazhdim do të jetë kështu", ka thënë ai.
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka vlerësuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për respektimin e komunitetit hebraik të Kosovës, si dhe historinë e bashkëjetesës së tyre në këtë vend. “Përkushtimi i tyre dhe përpjekjet për krijimin e qendrës ku mund të prezantohet historia, por edhe të vëzhgohet në vazhdimësi është e një rëndësie të veçantë. Dhe shërben si një shembull se si duhet kujtuar dhe përqafuar e kaluara, duke i dhënë shpresë të ardhmes”, ka deklaruar ajo.
Ndërkaq ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pohuar se kjo qendër që është e para e këtij lloji në Kosovë sa i përket kombinimit të funksioneve, paraqet një konfirmim të qëndrimit të shoqërisë dhe Qeverisë së Kosovës për miqësinë me Izraelin e popullin hebraik, që i rrëzon propagandat e pasakta në këtë drejtim.
është edhe një konfirmim i miqësisë mes dy popujve, popullit shqiptar dhe popullit hebraik, të cilët kanë një histori, e cila në fakt tregon shumë edhe për atë që po ndodh sot. Pra, sot po e shënojmë miqësinë shqiptaro-hebraike, por në të njëjtën kohë edhe bashkëpunimin shumë të mirë tashmë zyrtar mes Kosovës dhe Izraelit”, është shprehur ai.
Kulturore Hebraike dhe Sinagoga do të ndërtohen në Rrugën e Bujtinave, përkatësisht te “Qafa e Kishës”. Ajo është pjesë e trashëgimisë së traditës së lashtë mikpritëse prizrenase, meqë në të shkuarën ka funksionuar si bujtinë ose hotel. Gjatë kohës ka ndryshuar destinimi i saj, ku bazuar në shënimet e QRTK-së në Prizren aty është hapur edhe kinemaja.
Pas periudhës së Luftës së Dytë Botërore ndërtesa vazhdoi të shfrytëzohet si kinema, kurse funksioni i hotelit u shua. Krahas kinemasë, sipas të dhënave të QRTK-së, ka shërbyer edhe si hapësirë ndihmëse për plotësim të nevojave të Shkollës së Mesme të Muzikës, dhe klubit futbollistik Liria. Gjatë viteve ’80 dhe ‘90 ka shërbyer si qendër për pensionistë. Kurse pas periudhës së vitit 1999 ndërtesa ka pasur funksione të ndryshme duke shërbyer si restorant dhe hotel.
Kuvendi i Prizrenit në fund të vitit 2016 kishte marrë vendim për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të kësaj ndërtese për nevojat e Bashkësisë Hebraike të Kosovës, me qëllim të rinovimit dhe shndërrimit të saj në objekt fetar. Në gusht të vitit 2017, pjesa lindore e ndërtesës ishte shembur, si pasojë e depërtimit të ujërave nga rrjeti i kanalizimit. Gjendja aktuale e objektit është e dobët, si rezultat i shembjes. Vlera e projektit që financohet nga MKRS-ja e që zbatohet nga QRTK-ja në Prizren për restaurimin e kësaj ndërtese është afro 550 mijë euro.