I lindur në vitin e largët 335 të erës sonë, një ilir me emrin Niketë hyri në histori për diçka më shumë se një jetë dedikuar fesë. Në të gjallë të tij, peshkopi që shërbeu në Remesianë (Bela Palanka e sotme në Serbi), promovoi muzikën e shenjtë kishtare, si dhe kompozoi himne liturgjike, mes të cilave edhe të njohurin “Te Deum”. Emrin e tij e mban Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore, i cili ndahet përvitshëm nga MKRS-ja për krijuesin e dalluar që ka lënë gjurmë të thellë në fushën e muzikës. Të hënën, ky institucion ka shpallur thirrjen publike për propozime e nominime për çmimet vjetore në muzikë
Kompozitorë, muzikologë, pedagogë muzikorë e interpretë të muzikës artistike do të kenë mundësi të jenë të nominuarit për çmimin më të rëndësishëm që ndajnë institucionet në fushën e muzikës. Ministria e Kulturës të hënën ka shpallur thirrjen publike për çmimin kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani”, si dhe çmimet e tjera muzikore për vitin 2020.
Me këtë rast, institucionet relevante të muzikës mund të nominojnë propozimet e tyre për çmimin që i jepet krijuesit të dalluar, i cili “me krijimtarinë e vet ka lënë gjurmë të thella në fushën e muzikës”.
Kështu, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Filarmonia, Baleti i Kosovës, fakultetet e Arteve në universitete publike dhe ato private gjithandej vendit, si dhe shoqatat profesionale të krijuesve muzikorë janë ato që, sipas Rregullores së MKRS-së për çmimin në fjalë, kanë “tagrin” e të bërit propozim-nominime.
Në të vërtetë, sipas Rregullores nr. 10/2015, çmimi kombëtar për veprimtari jetësore “Niketë Dardani” u jepet personaliteteve të shquara në fushën e muzikës për “sukseset, të arriturat profesionale, ngritjen e vlerave dhe kontributit të veçantë në avancimin e muzikës artistike”.
E në konkursin e hapur nga MKRS, tek çmimet vjetore për muzikë e për veprën muzikore origjinale, të kompozuar gjatë vitit 2020, përfshihen: Çmimi për vepër vokale-instrumentale dhe muzikore skenike me kohëzgjatje prej së paku 30 minuta (operë, oratorium, kantatë, balet dhe forma të tjera vokale-instrumentale); Çmimi për vepër orkestrale-simfonike dhe koncertale në kohëzgjatje prej jo më pak se 20 minuta (simfoni, koncert dhe forma të tjera orkestrale simfonike); Çmimi për vepër kamertale (vepër për orkestër kamertale ose ansambël kamertal, kuintet, kuartet dhe trio); Çmimi për vepër korale (vepër korale me ose pa shoqërim instrumental dhe oktet), si dhe Çmimi për vepër solistike dhe duo (vepër për instrument-zë, ose pa shoqërim instrumenti, si dhe vepër për dy instrumente apo zëra të njëjtë ose të ndryshëm).
Gjithnjë sipas Rregullores për konkursin që qëndron i hapur 30 ditë, ministri i Kulturës mban të drejtën e emërimit të jurisë profesionale në përbërje prej 3 anëtarëve.
Vitin e kaluar kur u ndanë çmimet vjetore në muzikë, juria treanëtarëshe kishte pasur në përbërje: akademik Vasil Tole (kryetar), Rafet Rudin (kompozitor) dhe Baki Jasharin (dirigjent).
Ndarja e çmimeve ishte bërë më 21 qershor – që përkonte me Ditën Botërore të Muzikës – që njihet ndryshe edhe si “Fête de la Musique” (Festivali i Muzikës).
Sipas vendimit të jurisë, kompozitorit Vinçenc Gjini iu akordua çmimi për vepër jetësore “Niketë Dardani” me motivacionin e profesionistit muzikor të shumanshëm dhe kontributit gjysmëshekullor në fushën e muzikës.
Tutje, Çmimi për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore skenike i është ndarë kompozitorit Valton Beqiri për veprën “Rrugëtimi”, me motivacionin “si vepër madhore kombëtare e cila trajton motivin e qëndresës përmes larmisë muzikore të etnosit shqiptar”; Çmimi për vepër orkestrale-simfonike i ishte akorduar kompozitorit Kreshnik Aliçkaj për veprën “Koncert” për kitarë dhe orkestër, “për marrëdhënien dinamike të vazhdueshme dhe bashkëvepruese mes instrumentit solistik dhe orkestrës”; Çmimi për vepër kamertale i ndahet kompozitorit Drinor Zymberi për veprën “Trance” për orkestër harqesh për kompaktësinë dhe gjetjen kompozicionale; ai për vepër korale i ishte ndarë kompozitorit Hajrullah Syla për veprën “Ubi Caritas” për kor miks për këndvështrimin origjinal të kompozimit, si dhe çmimi i fundit, për vepër solistike dhe duo, i ishte akorduar kompozitorit Mendi Mengjiqi për veprën “Discantus” për kontrabas solo për risjelljen e vlerave të “discantusit” në kohën moderne përmes ruajtës së kontekstit formal.