Kulturë

Ngjyrat e kulturës në shtetin 15-vjeçar

Në 15 vjetët e shtetit, edhe zhvillimi i artit në Kosovë ka ndërruar shumë ngjyra. Institucionet e kulturës kanë avancuar, shumë hapa para ka bërë skena e pavarur kulturore. Projektet e mëdha shtetërore vazhdimisht kanë ngecur

Bashkë më Pavarësinë, Kosovës iu shtua edhe një monument. Megjithëse asokohe nuk e kishte këtë status, destinimi dihej qartë. NEWBORN-i është monumenti i Pavarësisë së Kosovës. Me autor Fisnik Ismailin, në dekadën e fundit, çdo vit ndërron ngjyrat e përçon mesazhe.

E në 15 vjetët e shtetit, edhe zhvillimi i artit në Kosovë ka ndërruar shumë ngjyra. Institucionet e kulturës kanë avancuar, shumë hapa para ka bërë skena e pavarur kulturore. Projektet e mëdha shtetërore vazhdimisht kanë ngecur. Sa herë flitet për sukseset në art e kulturë, filmi përmendet krejt në fillim.

Hovi i filmit

U deshën pesë muaj pas shpalljes së Pavarësisë që talentet nga Kosova të merrnin vëmendje botërore. Filmi “Heshtja e Lornës”, ku në rolin kryesor luan aktorja nga Kosova me famë botërore, Arta Dobroshi, i çoi atë dhe aktorin tjetër kosovar, Alban Ukaj, në njërin prej festivaleve më të njohura të filmit, në atë të Cannes. “Heshtja...” mori Çmimin për skenarin më të mirë, shkruar nga vëllezërit Jean-Pierre Dardenne e Luc Dardenne. Dobroshi u bë “Shooting Star” në Berlinale më 2013 e Ukaj u rikthye në Cannes më 2022 prapë me një film të vëllezërve Dardenne. Aktorët Ilire Vinca e Çun Lajçi ishin të parët nga Kosova që parakaluan në tepihun e kuq të Festivalit Berlinale. Filmi “Falja e gjakut”, ku ata luajtën, u shpërblye me dy çmime në festivalin prestigjioz.

Pa dyshim suksesi më i madh ishte nominimi i filmit “Shok” për çmimin “Oscar” në vitin 2016. Rrëfimi i shkurtër për një copëz të luftës në Kosovë bëri që shteti më i ri i Evropës të jetë i njohur edhe në hartën globale të kinematografisë. Filmi “Home” në shkurt të vitit 2017 ia solli Kosovës trofeun e çmimit BAFTA.

Filmat e Kosovës nisën të merrnin pjesë në festivale prestigjioze e edhe të merrnin çmime qysh më herët. Më 2012, “Kthimi” i Blerta Zeqirit fitoi Çmimin e jurisë në Festivalin e Sundance. Vitin 2016, Kosova e nisi me filmin “Babai” të Visar Morinës në Berlinale. E më 2020 i njëjti regjisor u kthye po në Berlinale me “Exil”.

Në vitet e fundit, kinematografia ka pasur tjetër hov. Kritika ndërkombëtare i ka përshkruar sukseset si valë të re në filmin e një vendi të vogël. “Në mes” i Samir Karahodës ishte në konkurrencë zyrtare në Berlinale më 2019, duke bërë që për herë të parë Kosova të paraqitet në këtë festival duke synuar çmim. I njëjti regjisor me “Pa vend” në vitin 2021 u bë pjesë e garës zyrtare në Festivalin e Cannes. Me këtë dokumentar mori Çmimin e jurisë në Sundance më 2022 dhe u fut në garë për “Oscarin” evropian.

“Kolegët të cilët kanë studiuar filmin në vende të ndryshme të botës e kanë sjellë një energji e frymë të re, pa anashkaluar edhe ata që kanë studiuar këtu. Viteve të fundit fotografia e filmit kosovar ka ndërruar në arenën ndërkombëtare. Më 2021 kemi qenë pjesëmarrës në festivalet më të mëdha të botës. Është një rezultat që duhet të vlerësohet nga institucionet, duke marrë parasysh përkrahjen e vogël që kemi pasur”, thotë regjisori Samir Karahoda. Sipas tij, shumë vende të botës me më shumë buxhet e lakmojnë Kosovën për sukseset që ka pasur.

“Tash problem është se si mund të mbajmë atë sukses. Të kemi vazhdimësi ndoshta është mjeshtri tjetër, por edhe përgjegjësi në të njëjtën kohë”, thotë ai.

Sundance ishte disa herë nikoqir i filmave të Kosovës. “Zgjoi” i Blerta Bashollit u bë fitues i trefishtë në vitin 2021, duke marrë Çmimin e madh të jurisë, atë për regji dhe të publikut. Ky film nuk u ndal me kaq. Ishte në rrethin e ngushtë të filmave që do të nominoheshin për “Oscar” në vitin 2022. Nuk ia doli po la nam duke u shfaqur nëpër kinema gjithandej globit. Po me film të gjatë debutues suksese të mëdha arriti edhe regjisorja Kaltrina Krasniqi. “Vera andrron detin” u dha premierë botërore në Festivalin e Filmit në Venecie më 2021. Po atë vit fitoi edhe Çmimin e jurisë në Festivalin e Tokios, duke iu hapur rrugët që të jepej nëpër shumë kinema të botës. Lista e filmave të Kosovës që jepen nëpër festivale ndërkombëtare është e gjatë. Sfidë mbetet që të mbahet ky nivel artistik dhe e njëjta prani në botën e filmit.

Akordimi i muzikës

Krahas filmit, muzika mbetet një tjetër fushë ku sukseset nuk kanë munguar. Një vit pas shpalljes së Pavarësisë, shteti ka tentuar të nisë ndërtimin e teatrit të operës dhe baletit. Pas gurit themeltar ka dështuar duke shpenzuar mbi një milion euro. Kjo është histori që vazhdon e ndërrohen lokacione. Tash, Qeveria e synon prapë këtë projekt.

Por pavarësisht kësaj, institucioni kryesor muzikor i shtetit, Filharmonia e Kosovës, ka bërë hapa para. Ka shkuar deri në nivelin sa ka mbajtur koncerte në qendra botërore. Në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ka çuar mesazhe paqeje në Paris. Për më shumë se një orë, në objektin ikonik në “Saint-Louis-des-Invalides” të Parisit, publiku ka dëgjuar veprën “Njeriu me armë: Meshë për paqe” të Karl Jenkinsit. Sfidë e institucionit mbetet hapësira e përhershme për ushtrime dhe salla koncertale. Në muzikë klasike historitë e sukseset janë të shumta. Tenori Ramë Lahaj është bërë emër botëror i operave prej Sydneyt deri në Bolshoi e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Koleget e tij si Elbenita Kajtazi, Marigona Qerkezi e Besa Llugiqi kanë depërtuar suksesshëm.

Qe maji i 2012-s kur me “Suus”, Rrona Nishliu e Kosovës pushtoi “Eurovisionin” si përfaqësuese e Shqipërisë tek u rendit e pesta dhe prej atëherë, ky është rangimi i lartë i shtetit shqiptar. Aktual është Kori i Pejës “Siparantum”. Është një rrëfim unik në arenën ndërkombëtare. Në maj të këtij vitit 2022 ishte në garë në dy kategori të Festivalit Evropian të Muzikës për të Rinj në Belgjikë. Korit nga Peja i është ndarë Çmimi i parë në kategorinë “F” dhe atë “G”. Kësisoj, në të dyja kategoritë ku ka garuar formacioni ka triumfuar. Në edicionin e 70-të të “Europian Music Festival for Young People” prej 29 prillit deri më 2 maj të atij viti kanë marrë pjesë 50 kore nga vende të ndryshme të botës. Këtë muaj iu rikthye interpretimit me Filharmoninë e Berlinit.

Themelim Opere, dështim projekti dhe yjet

Shteti me krejt telashet ia ka dalë që më 2021 ta themelojë Operën e Kosovës e një vit më vonë ta japë shfaqjen “La Traviata”. Megjithëse institucioni ka vetëm staf administrativ, synimet janë që programi të jetë i rregullt.

Prishtina, pos yjeve të muzikës klasike, është nikoqire edhe e atyre të popit. Ardhja e Rita Orës më 2012 në Prishtinë e realizimi i videospotit “Shine your light” ishin ngjarje më vete. Sikurse edhe koncerti i Dua Lipës më 2016. E prej vitit 2018 festivali “Sunny Hill”, i themeluar nga Dua Lipa dhe menaxheri i saj, njëkohësisht i ati, Dukagjin Lipa, e bëjnë kryeqytetin të frymojë si qendër evropiane.

Prej shpalljes së Pavarësisë e deri me sot, Baleti Kombëtar i Kosovës është pavarësuar, ka avancuar profesionalisht dhe është bërë trupë konkurrente jo veç në rajon. Ky institucion pos programit të rregullt, lëvizjet nëpër Evropë i ka pasur sikurse asnjë ansambël tjetër. Qytetet austriake, ato gjermane, të Finlandës e deri në Paris ishin nikoqire të Baletit. Performancat në vendet e rajonit para periudhës pandemike qenë bërë rutinë për Baletin.

Sukseset e teatrit dhe shanset e humbura

Teatri në 15 vjet ka shënuar avancim, po ashtu. Institucioni më i lartë teatror në vend, Teatri Kombëtar i Kosovës, një prej periudhave më të mira e kishte pikërisht kohën kur edhe u shpall Pavarësia. Ndërhyrjet politike të bëra në të më vonë e kanë sjellë atë deri në nivel sa me nga dy vjet nuk ka dhënë premiera. Prej vitit 2015 për afro tre vjet e ka marrë veten. E më pas situata prapë ka degraduar. Tash përpëlitet për t’u kthyer në skenë, megjithëse ndërtesa është mbyllur për një rinovim që nuk dihet se kur do të nisë e as kur do të përfundojë.

Teatrot e qyteteve prej vitit 2012 deri në vitet e fundit kanë qenë të lëna pas dore. Gjendja ka ndryshuar për të mirë në shumicën prej tyre. E skena e pavarur teatrore ka bërë hapa para. Shfaqjet e qendrës “Multimedia”, ato të teatrit “Oda” e edhe të “Artpolis” jepen në vende të ndryshme. “Oda” e “Multimedia” ia kanë dalë të arrijnë deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bile edhe të kenë bashkëprodhime sikurse ai i “Balkan Bordello” me “La Mama”.

“Ta shikosh historinë politike të Kosovës për këto 15 vjet më duket si një shekull. Kjo nënkupton se zhvillimet këtu janë bërë shumë më ngadalë se sa që janë dëshira e pasioni im dhe besoj i të tjerëve. Kemi pasur shumë shanse të humbura të trajtimit të kulturës në kuptimin që të jetë e integruar në zhvillim të shtetit e të shoqërisë”, thotë regjisori i Teatrit, Florent Mehmeti. Sipas tij, është nihiliste të thuhet se nuk ka zhvillim. “Kosova ka strukturuar një skenë kulturore për qytetarët e vet”, thotë ai.

Huqjet dhe mësimet

Qasja e shtetit ndaj kulturës për 15 vjet nuk është se ka ndryshuar shumë. Buxhetet janë rritur lehtësisht nga viti në vit. Synimet për të hartuar strategji vazhdimisht kanë mbetur në drafte. Në dy vjetët e fundit Ministria e Kulturës synon një reformë më të madhe. Se si do të rezultojë ajo, mbetet të shihet.

“Ka pasur huqje të mëdha për 15 vjet, por edhe kemi marrë mësime. Shpresoj që politikat publike kulturore të ia njohin peshën që ka kultura në formimin e shtetit në rrafshin social e atë qytetar”, shton Mehmeti.

Shteti prej vitit 2012 përfaqësohet në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias. Atje secilin vit varësisht prej temave preken edhe çështje të ndjeshme të Kosovës, prej të pagjeturve të luftës së fundit e deri tek izolimi. Sa i përket artit pamor, iniciativa për muze të artit bashkëkohor ka mbetur veç nismë edhe këto një dekadë e gjysmë të shtetësisë. Vjet Kosova për herë të parë pas luftës ka blerë mbi 80 vepra arti nga artistët vendorë. Synimet janë që të vazhdohet kësisoj edhe për dy vjet. Më 2022 Prishtina u bë qendër e artit bashkëkohor, duke qenë nikoqire e bienales nomade “Manifesta”, ku janë ekspozuar veprat e mbi 100 artistëve vendorë e të huaj.

Roli në gdhendjen e identitetit

Sipas dramaturgut, Jeton Neziraj, në 15 vjet shtet kultura ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në gdhendjen e identitetit të shtetit të ri. “Ajo ka qenë praktikisht pamja më reprezentuese e këtij vendi, ana më e ndritur e tij, brenda vendit dhe veçanërisht në arenën ndërkombëtare”, thotë ai. E ndërkohë, sipas tij, kultura ka pasur pak vëmendje nga shteti, e edhe më pak mbështetje.

“Potenciali i saj kurrë s’është parë si aset, por më tepër si barrë. Megjithatë, storiet e suksesit kanë qenë dhe janë aty, por ato i kanë krijuar më së shumti dhe më së shpeshti artistët individualisht dhe grupet e pavarura artistike”, thotë Neziraj.

“DokuFesti” në 22 vjetët e tij mbetet kryengjarja kulturore e Kosovës. Ka sjellë emra të mëdhenj botërorë. Ndryshe prej botës së letërsisë, vendi nuk shquhet si destinacion shkrimtarësh me nam. Ismail Kadare, i cili një vit pas Pavarësisë mori çmimin “Rexhai Surroi”, dhe u rikthye në Kosovë më 2016 dhe 2017, mbetet më i madhi shkrimtar që erdhi në Kosovë.

Trashëgimia e trashëgimisë

Por për trashëgiminë artistike të këtij vendi janë bërë hapa të vegjël.

Trashëgimia kulturore vazhdimisht është përballur me ndërhyrje të paligjshme e shpesh ndërtesat janë rrafshuar për t’iu hapur rrugë ndërtimeve të larta. Kronikat për shembjen e monumenteve në Kosovë kanë qenë të shpeshta për 15 vjet. Pas vitit 2012 intensiteti është rritur tek arkeologjia. Deri më 2019 institucionet kanë nxjerrë në pah një pjesë të mirë të trashëgimisë arkeologjike të këtij vendi. Një pjesë e Ulpianës është bërë park arkeologjik e Kalaja e Prizrenit pos restaurimit, është bërë edhe me muze. Dresniku është një tjetër histori.

Por kohëve të fundit krejt këto janë braktisur. S’ka mirëmbajtje e madje as rojë. Kalaja e Novobërdës është shkatërruar me 1 milion euro të Bashkimit Evropian, duke u mbikëqyrur nga UNESCO-ja, e cila edhe kishte kontraktuar një kompani serbe për të bërë konservimin e restaurimin. Ministria e Kulturës aktualisht i ka në prioritet intervenimet emergjente, që janë edhe investimi më jostrategjik në trashëgimi kulturore.

Sali Shoshi, i cili udhëheq me fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHëB Kosova”, thotë se ekziston njëfarë qasjeje e trashëguar qysh nga ish-Jugosllavia, ku në terren institucionet merren vetëm me ndërtesa të përvitshme, duke u kufizuar në një intervenim fizik ku përfundon gjithçka. “Ndërtesa duhet të bëhet bashkë me komunitetin. Aq sa shfrytëzojmë energji e fonde në restaurim, duhet të investojmë në lidhjen midis komunitetit dhe monumentit. Kemi bërë disa ishuj në fshatra e qytete të Kosovës, por asnjë lidhje të atyre ishujve me komunitetin”, thotë Shoshi.

Nëse qasja e shtetit do të ndryshojë, mbetet të shihet. Fushat ku mund të intervenohet me iniciativa private vazhdimisht janë duke përparuar. E ato që varen nga dora e institucioneve zakonisht mbesin sikurse NEWBORN-i në pesë vjetët e parë. Njëngjyrësh.