Kulturë

“Ngjyrat dardane” si mozaik prej rrënjëve deri te shtetësia

“17 shkurti” është titulli i pikturës së Shqiprim Fejzullahut, e cila në një kompozicion ngjyrash prej të purpurtës e nuancave të së kaltrës fsheh tri këpucë të vërteta, njëra prej të cilave duket si gjurmë lufte e dy të tjera vazhdojnë hapin. E dukshme është data në horizont: 17 shkurt 2008. Zbërthimet do të mund të ishin të ndryshme, por i përgjigjen kohës kur i është bashkuar ekspozitës: 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Bashkë” është titulli i skulpturës së Selami Kastratit dhe përtej interpretimit të veprës ajo qëndron në ekspozitë edhe si sinonim i ngjarjes që ka bashkuar 30 artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Aty zbërthehen “Ngjyrat dardane”, siç titullohet ekspozita e hapur të enjten mbrëma në “Open Art Gallery” në dalje të Prishtinës. Veprat janë si mozaik që zbërthen rrënjë, mite, traditë, ngjyra kombëtare, portrete heronjsh.

Si përgjigje e drejtpërdrejtë e titullit të ekspozitës është piktura “Profilet dardane” e Isa Alimusajt.

Piktori i njohur ka thënë se kjo ekspozitë është e veçantë për të njësoj sikurse tema dhe festa për të cilën është hapur.

“Kosova këtë javë e feston 16-vjetorin e Pavarësisë dhe artistët duhet të tregohen dhe të japin kontributin e tyre për këtë datë shumë të rëndësishme. Çdo vit kemi pasur ekspozita kolektive për përvjetorin e Pavarësisë. Unë merrem personalisht me profilet dardane dhe 43 vjet kam krijimtari të profileve dardane”, ka thënë Alimusaj. Ka shpalosur detaje për veprën me të cilën prezantohet në ekspozitë.

“Kjo pikturë është nga profilet dardane atëherë me erdhi shumë mirë qe ia kanë dhënë këtë titull, sepse artisti nuk mundet me qenë indiferent prej vendit ku jeton për atë e ndikojnë dhe ngjyrat dhe format, ato paraqiten dhe shprehin identitetin e vet përmes pikturës”, ka shtuar Alimusaj.

“Ngjyrat dardane” merr edhe karakter tjetër me vendimin që një pjesë e të hyrave nga shitja e veprave të ekspozuara t’i jepet familjes së heroit Afrim Bunjaku, policit të vrarë gjatë sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.

Image
“17 shkurti”, Shqiprim Fejzullahu, teknikë e kombinuar

Në kritikën e titulluar “Dardania në optikën e piktorëve”, Naser Shatrolli si kritik ka shkruar se “në përbrendësinë e ngjyrave dardane është formula e brumit të Kosovës”.

“Pjesëmarrja e një liste të zgjeruar artistesh me reputacion vendor dhe regjional janë itinerar kalendarik vjetor, për të dëftuar në këtë ekspozitë me karakter festiv, për atë që kemi sot dhe për atë që nuk e kishim dje”, ka shkruar ai.

Në ekspozitën e organizuar nga “Lidhja Shqiptare Evropiane” kapin vëmendjen edhe “Peizazhi” i piktorit Esat Valla, “Kompozicionet” e Lirije Buliqit, “Gjurmë në male” nga Musa Prelvukaj e shumë piktura të tjera.

Skulpturat, vendosur me kujdes midis pikturave, ia shtojnë dimensionin “Ngjyrave dardane”.

Butrint Morina me skulpturën prej guri të titulluar “Rreth botës” paraqet një strukturë të ngjitur rreth një sfere në formë globi. Duket si një gjurmim në format e zbukurimeve të reliefëve dardane. Busti i Adem Jasharit i punuar në bronz nga Sabri Behramaj është realist dhe i përgjigjet kontekstit historik të ekspozitës e cila mëton të jetësojë kapitujt e historisë prej Dardanisë te Pavarësia e Kosovës.

Kuratori i ekspozitës, Anton Krasniqi, ka thënë se artistët i janë përgjigjur shpejt për t’u bashkuar në “Ngjyrat dardane”.

“Kjo ekspozitë tashmë është tradicionale. Unë si kurator bashkë me Lidhjen Shqiptare Evropiane jemi dakorduar që me këtë ekspozitë të dalim me piktorët më të përzgjedhur të trojeve shqiptare dhe fatmirësisht çdo artist të cilit ia kam drejtuar ftesën e ka pranuar”, ka thënë Krasniqi.

Naser Shatrolli në një fjalë rasti si autor i tekstit kuratorial ka vlerësuar ekspozitën dhe pjesëmarrjen e artistëve.

“Është një kolorit i fuqishëm artistik, i krijuar në stilin bashkëkohor, artikulohet në kontekstin e një partiture moderne pastaj kemi edhe skulpturën si një gamë të gjerë të artistëve tanë që janë nga të gjitha brezat”, ka thënë Shatrolli.

Piktori nga Maqedonia e Veriut, Safet Spahiu pjesëmarrës në ekspozitë, atë e sheh si festë të denjë të 16-vjetorit. “Poetika e purpurt”, është vepra e tij.

“Kjo ekspozitë ka vlera, janë të prezantuara shqiptarët nga të gjitha trevat, unë marr pjesë me punimin tim që është këtu. Është një prerje diagonale ku e gjithë ngjarja ndodh lart dhe pjesa më e qetë është pjesa e purpurt. Është një atmosferë shumë e mirë, e cila të krijon një emocion ndryshe sidomos kur është festa e Pavarësisë”, ka thënë Spahiu.

Burim Myftiu, fotograf i njohur ndërkombëtarisht, i pranishëm në ekspozitë, e cilësoi atë si një përmbledhje të mrekullueshme të artit vendor.

“Galeria ‘OpenArt’ është një tjetër konak i artit në Kosovë dhe ajo që është më shumë mbresëlënëse është etja e artistëve e krijuesve tanë, e cila po zbehet në Evropë, por tek ne po gufon. Artistët shqiptarë tani janë shumë aktualë nëpër Evropë dhe botë duke u bazuar në entuziazmin, energjinë dhe epshin për art dhe prosperitet”, ka thënë Myftiu.