Kulturë

“Nga baroku në romantizëm” me virtuozitet, harmoni e mjeshtëri

“Orkestra e Operës së Kosovës” dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës

“Orkestra e Operës së Kosovës” dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës “Nga baroku në romantizëm,” në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit (Foto: Arben Llapashtica)

Është një kapërcim nëpër epoka, stacionet janë vepra të njohura prej “Katër stinëve” te “Flauti magjik”, protagonistë janë emra të shquar skenash botërore, kushtet e skenës së Kosovës po ato tash e çerekshekulli. Por, për mjeshtër si Frédéric Laroque, në rolin e dirigjentit e të violinistit, ato çojnë pak peshë dhe energjia që përcjell shpërndahet edhe tek ata që marrin “urdhrat” prej tij. “Kam ndier shpirt e energji shumë të mirë”, ka thënë ai për muzikantët vendorë pas koncertit “Nga baroku në romantizëm”

Muzika e “Katër stinëve” e Antonio Vivaldit është dëgjuar gjithandej botës. Por, gjithnjë ngelet prej veprave më popullore në kuptimin e gatishmërisë së publikut për ta dëgjuar. Njëjtë ka ndodhur edhe të mërkurën mbrëma në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Orkestra harkore e Filharmonisë së Kosovës është bërë gati për këtë interpretim. Në pano figuron si “Orkestra e Operës së Kosovës” dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, por në realitet Opera është një lloj agjencie që kryen pagesa. Në këtë rast paguan disa prej shpenzimeve të koncertit. 

Kur dirigjenti e violinisti i Orkestrës së Operës së Parisit, Frédéric Laroque, ka dalë para instrumentistëve, sallës i janë plotësuar ngjyrat për të nisur koncerti. Me shami në krahun e majtë për ta mbështetur violinën, Laroque ka dhënë sinjal që koncerti të fillojë. Ka pasur barrën e koncertmjeshtrit dhe atë të dirigjentit njëkohësisht. I lindur më 1964, Laroque është mjeshtër i violinës dhe i dirigjimit. Përvoja e tij dëshmohet në sigurinë që ka në lojë. E kjo energji prek edhe harqet e tjera në formacion. Në violonçel ka qenë edhe Vlorent Xhafaj, instrumentist shqiptar me karrierë të bujshme. 

“Katër stinët”, vepër e shekullit 18, ka tingëlluar goxha në një frymë si në “Pranverë” ashtu edhe në “Verë, “Vjeshtë” dhe “Dimër”. Nëse lihen anash kushtet e sallës – që janë të pashmangshme të përmenden – harqet kanë shkëlqyer. “Katër stinët” e ka efektin e vet duke bërë që telashet të jenë sipërfaqësore karshi lojës. Koncerti “Nga baroku në romantizëm” ka sjellë në Prishtinë edhe fagotistin e njohur Laurent Lefèvre. Bashkë me Orkestrën e Filharmonisë kanë luajtur në “Koncertin për fagot” të Gioachini Rossinit. Është versioni i aranzhuar për orkestër harqesh. Është prej veprave të njohura të italianit që jetoi midis shekujve 18 dhe 19. Loja virtuoze e Lefèvre i ka dhënë të tjera ngjyra interpretimit. 

Kur dirigjenti e violinisti i Orkestrës së Operës së Parisit, Frédéric Laroque, ka dalë para instrumentistëve, sallës i janë plotësuar ngjyrat për të nisur koncerti (Foto: Arben Llapashtica)

Ai ka thënë se është hera e tij e parë në Prishtinë dhe e kishte goxha për kënaqësi të interpretonte me orkestrën vendore. 

“Kam ndier shpirt e energji shumë të mirë. Nuk kishim shumë prova për këtë projekt, por secili muzikant ishte shumë i koncentruar. Dhe kam ndjesi pozitive për projektet e ardhshme”, ka thënë ai. Muzikën e ka përshkruar si gjuhë universale e dallimet midis orkestrave, sipas tij, nuk bien aq shumë në sy. 

“Është puna e njëjtë. Është kënaqësia e njëjtë dhe vështirësitë e njëjta. Në tri ditët e fundit jam ndier si në shtëpi. Qe e rëndësishme të takoja muzikantë shumë të mirë dhe besoj të kemi prapë këtë mundësi”, ka thënë ai. 

Uvertura e “Flauti magjik” të Mozartit qe kalimi në romantizëm. Tash ishte koha që frymorët e perkusionet të bashkohen në skenë. Bëhet fjalë për pjesën orkestrale të fillimit të operës së njohur të austriakut të famshëm. Nën dirigjimin e Laroque, Orkestra i ka sjellë erë opere mbrëmjes paçka se kompaktësia është telash edhe shkaku i akustikës. 

Suita “Carmen” nr. 1 në dy kohë ka qenë pjesa tjetër e koncertit. Bëhet fjalë për një pjesë të muzikës së operës e baletit të njohur me të njëjtin titull. Kjo pjesë ka sjellë po ashtu pak frymë opere e romantizmi para të pranishmëve. Georges Bizet është autor i një prej operave më të njohura që bashkon pasionin, dashurinë e inatet. E suita e luajtur ka karakter festiv. 

“Më duhej të isha shumë i koncentruar pasi nuk jam mësuar shumë me këtë formë. Dirigjoj ose luaj. T’i bëja të dyja ishte hera e parë, por e doja atë si sfidë. Instrumentistët ishin shumë të fokusuar dhe me vullnet për ta bërë më të mirën që kanë mundësi dhe kjo na e lehtësoi punën”, ka thënë dirigjenti e violinisti Frédéric Laroque. Derisa ka folur për programin, ka thënë se donte pak nga operat pasi i takon asaj bote e edhe diçka franceze. Ka përmendur edhe telashet. 

Koncerti “Nga baroku në romantizëm” ka sjellë në Prishtinë edhe fagotistin e njohur Laurent Lefèvre. Bashkë me Orkestrën e Filharmonisë kanë luajtur në “Koncertin për fagot” të Gioachini Rossinit (Foto: Arben Llapashtica)

“Madhështor ishte progresi kolektiv që pashë. Ishte diçka të themi droguese. E teston atë e pastaj të nevojitet. Kemi pasur telashe të vogla si çdo orkestër në botë, por kishim shumë emocion dhe e kemi bërë punën tonë”, ka thënë ai. 

Nga të pranishmit koncerti është parë si interpretim i bukur. Ata që janë kritikë të përhershëm e s’kanë kufij në këtë drejtim ngjan se nganjëherë shpërfillin kushtet në të cilat punohet. Publikisht – siç e kanë zakon muzikantët vendorë – nuk flasin, pasi secilit i shkon në mendje ndonjë interes që mund ta kenë brenda institucionit. 

Profesoresha e muzikës, Besa Luzha, ka thënë se mbrëmja ishte e bukur. 

“Violinisti që njëkohësisht ishte edhe dirigjent është shumë i çmuar. Nëse e shohim biografinë e tij, shohim se ka mësuar me profesorë specialistë për muzikë kamertale, dirigjim e violinë. Besoj që programi ishte shumë i bukur dhe interpretimi ishte mjaft atraktiv dhe la mbresa te publiku”, ka thënë ajo. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe krejt institucioni prej fillimit të sezonit kanë pasur program të ngjeshur. Sot (e enjte) Kori i Filharmonisë do të koncertojë në bashkëpunim me festivalin “ReMusica” për të shënuar 75-vjetorin e dirigjentit e kompozitorit Rafet Rudi.