Për zërin që kishte çuditej edhe vetë. Kur pyetej për potencialin e saj vokal, rrudhte krahët. Për këtë pjesë, i falënderohej natyrës e Zotit. E zëri i saj do të jetë i papërsëritshëm. E thonë bashkëpunëtorët. Dhe ata që së paku një herë ia dëgjuan këngët, shkruan sot Koha Ditore.
Me vdekjen e Nexhmije Pagarushës paraditen e së premtes, muzika shqiptare ka humbur zonjën e skenës, ambasadoren e këngës shqipe. Ajo ishte 86vjeçare. Ka kohë që kishte marrë epitetin “Bilbili i Kosovës”. Kohëve të fundit, qëndronte e shtrirë në
krevatin e dhomës së pritjes në banesën modeste në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës. Sipër saj, në mur qëndronin fotografitë, medaljet e shpërblimet. Ato ishin udhërrëfimi i një zonje të vërtetë në skenë e në jetë. Fotografitë si e re me familjarët, imazhet në skena, poezitë që i janë kushtuar bashkë me medaljet e çmimet përgjatë më shumë se gjysmë shekulli karrierë, shpjegonin jetën e saj. Janë gati 100 këngë që i vulosi me emrin e saj. “Perëndeshë e bukurisë më je”, qe një prej tyre, kënduar bashkë me divën Liliana Çavollin. Bilbili i Kosovës është perëndesha e muzikës shqipe.
Zëri që shpërtheu shpejt
E lindur në Pagarushë të Malishevës më 1933, këngëtarja vetëm vitet e para të fëmijërisë i kishte kaluar atje. Në moshën 3-vjeçare do t’i vdiste nëna. Krejt çfarë mbante mend nga e ëma do të ishin flokët e saj si e vdekur. Këtë e përmendte sa herë që fliste për fëmijërinë. E bija e mësuesit Vesel Pagarusha, bashkë me familjen, do të zhvendosej në Prizren. Në qytetin jugor do të qëndronin për disa vjet para se t’ia mësynin Prishtinës.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën "Koha Ditore")