Kulturë

“New Generation” – përvojë e rrallë koncertore për të rinjtë

Secili me rend bënë hapat drejt skenës, u afruan te pianoja, ku i luante veprat Fjorda Veizaj, dhe me një shikim të drejtuar në thellësi të publikut, dalëngadalë e lëshuan veten në botën melodike të operës. Disa më dramatike e disa me motive dashurie, të gjashtëmbëdhjetë interpretimet e veprave patën emërues të përbashkët, promovimin e një brezi të ri të muzikës shqipe.

Fuqi vokalesh të reja, e disa edhe të padëgjuara më parë, u ndien në Teatrin Kombëtar të Kosovës mbrëmjen e së martës, duke bërë që çdo njëri me ngjyrën e veçantë të zërit, me ritmin ndryshe të pjesëve muzikore e me elegancën e të qëndruarit në skenë t’i japin jetë koncertit “New Generation”.

Mundi i mbi 25 të rinjve me pjesëmarrje në masterklasën pesëditore të edicionit të parë të festivalit të operës, “Ramë Lahaj”, u shpërblye me përzgjedhjen e 13 prej tyre për të performuar në koncertin e parë të organizuar sivjet.

“Jemi të nderuar që ndodhemi përkrah Vito Brunettit”, ka thënë Ulpiana Alijaj, në hapje të ngjarjes.

E profesori italian, i cili ka bërë përpjekje profesionale në këshillimin e përmirësimin e talenteve të reja të operës, e ka cilësuar pjesëmarrjen në këtë festival si nder, teksa Prishtinën e ka përmbledhur me fjalët: “qytet i bukur me njerëz të bukur”.

“Një fakt pozitiv është se kjo është një eksperiencë shumë e rrallë për të rinjtë, sidomos që u jep mundësi pa ndonjë detyrim financiar”, ka thënë Brunetti.

Tutje, ai ka thënë se ata të cilët kanë kënduar mbrëmë i kanë gjykuar mbi bazën e përgatitjes së tyre, teksa me humor ka falënderuar edhe ata që kanë “duruar kleçkat e mia”.

“Kemi inkurajuar gjithmonë çdo të rinj që të na bashkëngjiten në edicionet e ardhshme”, ka thënë organizatorja Ulpiana Alijaj, teksa profesori Brunetti kërkoi mirëkuptimin e publikut për ndonjë ndikim që mund të kishte gjendja emocionale e interpretuesve në performancën muzikore.

Ishte Urta Haziraj ajo e cila përmes pjesës “Nacht und traume” të Schubertit bëri edhe hapjen e festivalit me performancën e parë muzikore. Pas saj në radhë ishin Ismet Vjeseli, Shaban Behramaj e Denisa Kumria, që vazhduan t’i sjellin publikut të pranishëm delikatesë të shijes së hollë artistike.

Ndërkaq duartrokitje të fuqishme u ndien për duetin “La nozze di Figaro” të Mozartit, të cilin e sollën Dioklea Hoxha dhe Elvira Mazhiqi. Mes atraktivitetit e vëmendjes që solli portretizimi i inatit femëror dhe luftës për dashuri, kjo vepër e bëri publikun të mbushet me të qeshura nga jetësimi i roleve të Marcelinës e Susanës.

“Për mua ka qenë shumë emocion i madh dhe jam i lumtur të performoj në Prishtinë, në qytetin ku kam lindur”, ka thënë për KOHËN, Dioklea Hoxha, e cila, përveç duetit, debutoi edhe me veprën “Kommt ein sclanker Burxch gegangen”.

E që pas interpretimit të kësaj vepre pati ndjesi të mira e ka pranuar edhe Elvira Mazhiqi, e cila u ngjit në skenë për të dytën herë me veprën “Una donna a quidici anni”.

“Dueti ka shkuar shumë mirë, është një duet i mrekullueshëm që neve na është përshtatur”, ka theksuar Mazhiqi.

Ballafaqimet verbale të dy protagonistëve, të përcjella nga vokali kumbues i dy sopranove të reja, e bënë edhe më të veçantë performancën.

“Marcelina dhe Susana janë në luftë mes vete, duke thënë ‘çfarë do t’i bëja kësaj’, pak para fytyre, e pak prapa shpinës”, ka thënë Hoxha.

Tutje, dyshja ka treguar se kjo betejë femërore kishte nisur nga Marcelina dhe ishte vazhduar nga Susana.

“Marcelina ka xhelozi ndaj Susanës, sepse të dyja e duan të njëjtin burrë, Figaron dhe ajo tenton t’ia marrë”, ka shpjeguar Mazhiqi.

E po përmes kësaj vepre u dha edhe një lloj mesazhi se opera është “teatri i këngës”.

“Është interesante ky lloj ngacmimi femëror, që nuk është edhe aq evident në operë”, ka shtuar Hoxha.

E pas performimit të artistes nga Shqipëria, Greta Zani, si dhe Ema Bogujevcit, radha ishte për artistin i cili së fundi ka qenë pjesë e operës shtetërore të Bavarisë, Granit Musliu.

E këngëtari i ri, të cilit organizatorët i kishin ndarë më së shumti pjesë interpretimi, duke dalë në skenë me tri këngë, ka thënë se është kënaqësi të performojë përballë publikut të vet.

“Është një përgjegjësi më e madhe, por shpresoj se ia kam dalë dhe unë jam ndier shumë mirë”, ka thënë ai kur u pyet nga KOHA për këtë.

Musliu ka interpretuar me këtë rast “Un’ aura amorosa” të Mozartit, “Una furtiva lagrima” të Donizettit dhe duetin me Mirlinda Kocin, “Lippen schweigen” të Leharit.

“Në prapaskenë fillojnë emocionet e para, por jemi munduar t’i kanalizojmë në këndim të bukur për audiencën”, ka thënë ai.

Për veprën e dytë, së cilës i dha jetë, ai ka thënë se është një këngë tejet e famshme.

“Vepra tregon vuajtjet e djaloshit, i cili kur në fund e kupton se edhe e dashura e do, thotë ‘Qiell jam i gatshëm të vdes, sepse e arrita këtë moment më në fundit’”, ka treguar interpreti mitrovicas.

Mirëpo, nga të gjitha këto vepra që interpretoi, dueti ishte më i pëlqyeri, i cili u bë edhe vepra përmbyllëse e koncertit të së martës.

Delikatesa femërore përballë dëshirës mashkullore, pasioni i dashurisë dhe gëzimi i bashkimit ishin motivet të cilat bënë që publiku të zhytet në interpretimin magjik të dyshes.

“Të këndosh duete është gjithmonë kënaqësi më shumë, sepse ndan skenën me artistë të tjerë, këtë duet e kemi kënduar qe një kohë dhe u kënaqëm që e përsëritëm këtu”, ka theksuar tutje Musliu.

Ndërkaq se është ndier mirë gjatë interpretimit të kësaj vepre e ka pohuar edhe Mirlinda Koci.

“Ky festival mendoj që do të jetë shumë i rëndësishëm për Kosovën viteve të ardhshme”, ka thënë sopranoja e re.

Në anën tjetër, Musliu e ka përshkruar veprën duke integruar edhe pjesë të saj në prononcimin për KOHËN.

“Tenori Lehari i thotë së dashurës ‘Hanë, të gjitha shenjat po më tregojnë se ti më do’, ajo i kthehet duke e kënduar refrenin së bashku”, tha Granit Musliu.

Ndërkaq Koci për veprën “Prendi, per me sei libero” të Donizettit ka treguar se personazhi kryesor është Adina, një vajzë e re dhe e pasur, e cila i këndon djalit të ëndrrave, Nemorinos.

“Atij i vjen letra që të shkojë në ushtri, por ajo i thotë ‘merre letrën dhe mos shko, qëndro këtu ku të duan të gjithë’”, ka shtuar Koci teksa ka përshkruar përmbajtjen kuptimore të saj.

Në koncertin “New Generation” kanë interpretuar edhe Kejsi Haxhia me veprën “Giunse al fin il momento” të Mozartit dhe Helena Susha me “Padre germani”.

Koncerti i dytë në kuadër të edicionit të parë të festivalit të operës, “Ramë Lahaj” është mbajtur të mërkurën në nderim të figurës madhore të Nexhmije Pagarushës, me pjesëmarrjen e sopranove Jessica Nuccio, Adelina Paloja, Jeta Çitaku, tenorit Davide Giusti dhe interpretimit në bas nga Xhieldo Hyseni dhe në piano nga Fjoda Veizaj.