Rrugëtimin e mbrëmjes së tretë të “Rame Lahaj International Opera Festival” e kanë vazhduar talentet e reja dhe paralajmërimi i koncertit, por edhe i pritjeve që ka prej tyre skena muzikore është dhënë që në titullin e koncertit – “New Generation”. Pos potencialit të tyre, ata kanë dalë në skenë edhe për të dëshmuar rezultatet e punës njëjavore me tenorin francez Jean Bernard Thomas. Përveç nga nxënësit e tij e ata që ka njoftuar, Thomas është impresionuar nga Prishtina e qytetet e tjera, të cilat i krahason me metropolet evropiane.
Një piano ka qenë krejt çfarë kanë parë publiku derisa ka pritur që pranë saj të zë vend instrumentistja, e asaj t’i bashkohen me vokal sopranot e tenorët e rinj. Dy llamba të zakonshme dhe një me ngjyrë pink kanë ndriçuar posterin e Festivalit. Shkëlqimi sikur ka tejkaluar nga limitet e tij kur në skenë kanë filluar të interpretojnë një nga një këngëtarët e rinj. Koncerti ka qenë vetëm formalisht promovim për artistët e rinj, ngase secili nga ta ka dëshmuar shkathtësitë vokale. Arritja e notave të larta, teknikat vokale, e kapërcimet kanë qenë elementet e përbashkëta të interpretimit të 11 vokalistëve sa janë përzgjedhur nga trajnimi me Thomasin.
Si mjeshtër, në këtë rast trajner i vokalit, nuk ka duruar pa dhënë instruksione as nga ulësja e tij në rendin e parë. Kohë pas kohe ka zhvilluar interaktivitet joverbal me interpretuesit, të cilët i ka përcjellë gjatë gjithë kohës. Defektet minimale në zë mund t’i vërejë më së miri një profesionist i fushës, si tenori francez. Në fund është shprehur se performanca e tyre ka mundur të jetë edhe më e mirë.
Në repertorin e koncertit – në të cilin vokalistët i ka shoqëruar në piano Fjorda Veizaj – kanë qenë kryevepra stilesh e epokash të ndryshme. E ka nisur Harris Bajraktari me “Notte a giorno faticar” Mozartit. Si ai edhe gjithë të tjerët janë përcjellë më shumë duartrokitje në fillim e në fund të performancës.
“Kam qenë shumë i qetë në skenë, e kam shijuar sa më shumë që kam mundur. Ka qenë një emocion me të vërtetë shumë i veçantë, duke marrë parasysh se ka qenë punë intensive në trajnim me profesorin”, ka thënë Bajraktari.
Tenori Shaban Behramaj ka interpretuar “Caro Mio Ben” të kompozitorit italian Tommaso Giordani. Behramaj ka treguar se nga tenori francez kanë mësuar për teknikën e të kënduarit sa më natyrshëm.
“Për mua ka qenë mbrëmje shumë e këndshme të performoj para publikut, pas një jave trajnimi me profesorin me një teknikë të veçantë të këndimit. Jemi shumë të lumtur dhe falënderues ndaj Festivalit, që na dhanë këtë mundësi si këngëtarë të rinj të shpalosim aftësitë tona para publikut”, ka thënë ai. Në interpretim para publikut kanë qenë edhe Urta Haziraj me “L’amero, saro costante”, po të Mozartit, Bledar Domi me “Il racerato spirito” të Giussepe Verdit e Anna Taffani me “Oh! Quante volte” të kompozitorit italian Vincenzo Bellini. Koncerti ka vazhduar edhe me interpretimin e sopranos Kaltrina Miftari të “La Boheme” dhe “Un bel di, vedremo” të Puccini, tenorit Gesu Zefi me “L’altra note in fondo al mare” të italianit Camillo Boito, Gerald Murrja me “Dalla sua pace” të Mozartit, “Je veux vivre” të kompozitorit francez Charles Gounod në interpretim të Chiara Salerno, “Caro nome” e Verdit nën interpretim të sopranos Rovena Xhelili dhe “O sis und Osiris” të Mozartit.
Tenori Jean Bernard Thomas, pas koncertit të enjten mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, ka thënë se synimi i tiji ka qenë që të sjellë diçka shumë të ndritshme dhe që të lë pa frymë. Për njerëzit në Kosovë është shprehur i mahnitur dhe i befasuar, pasi, sipas tij, nuk dallon nga vendet e tjera të Evropës. Të vetmin ndryshim e ka konsideruar në zemrat e njerëzve, pasi ka vlerësuar se populli kosovar është më i sjellshëm se çdo popull në botë. Për studentët e tij ka thënë se kanë ndjekur gjithë instruksionet e tij gjatë punëtorisë.
“Kur punon me njerëz që tashmë kanë idenë dhe njohuritë për të kënduar dhe do t’i ndryshosh, është e vështirë. Por shoh këtu se njerëzit dhe artistët janë shumë të hapur dhe mundohen të bëjnë atë që po them”, ka thënë Thomas, fitues i çmimeve të shumta, me një karrierë të bujshme në Francë, Itali, Gjermani, Austri, Danimarkë, Greqi, Finlandë, Rusi e ShBA
Ka nënvizuar vështirësinë në këndimin në gjuhë të tjera, pasi duhet ndryshuar zëri natyral.
“Kur duam të këndojmë në gjuhën italiane ndryshojmë zërin natyral dhe vendin. Këtu këndohet kënga tradicionale, repertori tradicional. Është e mrekullueshme sepse këndohet me zemër dhe kanë pozicionin natyral të zërit. Kjo është ajo që them gjithmonë: mos e humbisni zërin natyral në gjuhën tuaj amtare”, ka thënë ai.
Por jashtë programit ka qenë edhe performanca e njërit nga pjesëmarrësve të punëtorisë së mbajtur nga tenori francez. Krejt në fund ka interpretuar Elvis Kalemi nga Tirana, që studion muzikë në Akademinë e Arteve. Në skenë është ngjitur bashkë me tenorin, i cili e ka ndihmuar si në udhëzime, ashtu edhe në interpretim, kur disa herë i është bashkuar në këndim.
“Të ngjitem në skenë ka qenë një ndjenjë që e kam pritur prej shumë vjetësh, ta jap maksimumin tim. Desha të nxjerr mësim edhe për veten edhe të tjerët, që ta shfaqin talentin e fshehur”, ka thënë ai.
Presidenti i Festivalit, Ramë Lahaj, ka adresuar falënderim të veçantë te publiku për pjesëmarrje në koncert dhe për këtë ka thënë se është ndier shumë më i nderuar sesa po të merrnin pjesë në gala-mbrëmjen që shënon mbylljen e Festivalit. Ka konsideruar se kjo është njëra nga format e mbështetjes së talenteve.
“E çmoj prezencën tuaj, është kënaqësi të shohim se të rinjtë mbështeten. Kompleksi kur ne mendojmë se e kemi kryer shkollën dhe nuk na duhet të mësojmë, është gabimi më i madh”, ka thënë Lahaj, derisa ka vlerësuar angazhimin e tenorit francez, Thomas, në trajnimin e të rinjve.
Organizatorja e Festivalit, Ulpiana Aliaj, në fjalën e saj të hapjes së koncertit, ka vlerësuar Festivalin për hapësirën që u ka dhënë talenteve të reja.
“Shumë herë këngëtarët derdhin shumë vuajtje për të arritur në maje të skenave, siç denjësisht na përfaqëson tenori, i cili me shumë dashuri dhe përkushtim i ka dhënë vërtet vëmendje të veçantë kësaj strukture për të mbështetur talentet e rinj”, ka thënë ajo. I pranishëm ka qenë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Këshilltari i tij Liburn Jupolli e ka konsideruar Festivalin si prurje shumë të mirë dhe si mik të ri për krejt komunitetin artistik dhe në veçanti për muzikën.
“Kosova ka brumë shumë të mirë. Kemi parë që talentet shtrihen në shumë sfera në muzikë, njashtu nuk mungojnë as në operë. Talentet e Kosovës prodhohen në mënyra të ndryshme nga shkolla e këndimit, që mbaron me fakultet, e deri tek ata që mësohen në mënyrë vetanake”, ka thënë ai. Në fund, sopranot dhe tenorët kanë mbyllur bashkërisht koncertin me këngën ikonë “Rrjedhë në këngë e ligjërime”, të këngëtares Vaçe Zela.
Edicioni i dytë i “Rame Lahaj International Opera Festival” përfundon të dielën me gala-koncertin në sheshin “Skënderbeu”.