Kulturë

“New Born Kosova” bashkon ngjyrat e folklorit të shteteve të ndryshme në Prishtinë

Kanë qenë grupe të ndryshme të valltarëve tradicionalë ata që në Prishtinë kanë ardhur për festivalin “New Born Kosova”. Fillimisht kanë zbarkuar në sheshin “Ibrahim Rugova”, për të vazhduar më pas deri te bulevardi “George Bush”. Defilimi i tyre ka qenë krejt i veçantë. Nuk ka qenë ecje, por vallëzim. Veçantitë e kulturës së tyre nuk kanë kaluar pa marrë edhe vëmendjen e kalimtarëve. Aty-këtu ndonjë u pa edhe duke iu bashkuar hapave të valltarëve

Me veshje me motive folklorike të shteteve e kontinenteve të ndryshme është mbushur Bulevardi qendror i Prishtinës, derisa valltarë të ndryshëm kanë mbushur hapësirën. Kanë qenë grupe të ndryshme të valltarëve tradicionalë ata që në Prishtinë kanë ardhur për festivalin “New Born Kosova”. Fillimisht kanë zbarkuar në sheshin “Ibrahim Rugova”, për të vazhduar më pas deri te bulevardi “George Bush”. Defilimi i tyre ka qenë krejt i veçantë. Nuk ka qenë ecje, por vallëzim. Veçantitë e kulturës së tyre nuk kanë kaluar pa marrë edhe vëmendjen e kalimtarëve. Aty-këtu ndonjë u pa edhe duke iu bashkuar hapave valltarëve.

Kanë qenë ansamble të gjithsej tetë shteteve, duke nisur nga ato fqinje: Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, për të kaluar më pas te Turqia, Bullgaria, Qiproja Veriore, Lituania, Polonia, Panamaja e Meksika ato që kanë performuar para të pranishmëve. Të ndalur në sheshin “Zahir Pajaziti”, valltarët e secilit prej këtyre shteteve kanë sjellë performanca të veçanta nga njëra-tjetra. E para që hapi festivalin ishte Polonia me grupin “Mali Gorzowiacy”. Nën melodinë që krijohej nga një bend i vogël, i cili kishte ardhur t’i shoqëronte, valltarët sollën bukurinë e folklorit të tyre. Teksa vallëzonin, trupa nga Polonia edhe këndonte e herë-herë vajzat dinin të lëshonin edhe nga një brohoritje, e cila tërhiqte edhe më vëmendjen e publikut.

Me një valle plot kolorit erdhi edhe Turqia. Ishin burrat, një grup prej dhjetë vetash, ata që sollën atmosferë të mrekullueshme teksa përveç lëvizjeve, ritmin e krijonin edhe duke goditur tokën me këmbë. Sinkronizimi që ata shfaqnin teksa kapeshin për krahësh me njëri-tjetrin përbënte një lojë më vete. Përveç pjesës ku burrat merrnin në dorë lojën, vallja krijohej edhe me përzierjen e grave duke krijuar kështu një bashkim e lojë midis çifteve.

Krejt ndryshe nga performancat e tjera, të cilat luajtën ose në dyshe, ose në grup, erdhi ajo e Letonisë. Të ndarë në dy grupe me nga tetë veta, anëtarët e grupit “Folklore Ensemble Upite” vallëzonin në atë formë që ndërronin vendet apo partnerët mes vete, për t’u kthyer në fund përsëri në vendin ku kishin qenë në fillim. Përveç të rriturve, ky grup pati me vete edhe dy vajza, të cilat nuk mund të kenë qenë më shumë se 10-vjeçare.

Teksa Turqia e Qiproja Veriore sollën ritmin oriental jo pak të njohur në vend, Panamaja dhe Meksika sollën diçka krejt ndryshe. Së bashku me veshjet e tyre shumëngjyrëshe ata sollën freskinë dhe veçantinë e një kulture krejt të veçantë nga ajo vendore, por edhe evropiane. Panamaja erdhi me një vallëzim të lehtë, por i cili kërkonte jo pak lëvizje. Vajzat mbanin në dy duar fustanet e tyre të gjera, që i bënin të dukeshin sikur shpezët kur hapin krahët, ndërsa burrat ecnin menjëherë pas tyre. Ata lëvizin me hapa të vegjël, por të shpejtë, teksa lëvizin përherë në formë rrethore. Preciziteti i kësaj lëvizjeje i bën ata të duken sikur kukulla, të cilat lëvizin përherë në të njëjtën trajektore, pa bërë asnjë gabim.

Krejt në kontrast me lëvizjet e buta të atyre nga Panamaja, erdhi ansambli i valltarëve “Mitotiani” nga Meksika. Shpejtësia e lëvizjes së tyre niste qysh në fillim, teksa përveç vallëzimit, ata lëshonin edhe thirrjet e tyre, karakteristike për kulturën meksikane. Vajzat kishin të veshura fustane të gjera shumëngjyrëshe, ndërsa djemtë shquheshin nga sombrerot e tyre të mëdha. Ata erdhën në një vallëzim dypjesësh, një herë të ndarë burrat dhe gratë e pastaj të bashkuar, ndërsa në fund ata u ofruan në publik dhe morën me vete në skenë edhe ndonjë nga publiku, i cili ishte mbledhur t’i shikonte këto performanca.

Koordinatori i festivalit, njëherësh solist i “Shotës”, Besnik Grajçevci, ka treguar se defilimi nëpër tërë sheshin e Prishtinës ka pasur një qëllim.

“Ju patët mundësi të shihni pak. Kjo ishte ceremonia e hapjes së festivalit, që tashmë tradicionalisht është vendosur që hapja të bëhet në formë të defileut, në mënyrë që valltarët të jenë sa më afër qytetarëve tanë. Domethënë me i ndie vallëzimi me muzikën e me të gjitha sa ma afër publikut”, ka thënë ai.

Grajçevci është shprehur i lumtur për ecurinë e festivalit. Ka thënë se nëpërmjet valltarëve të shteteve të ndryshme, janë munduar të prekin secilin skaj të botës.

“Jemi shumë të lumtur që arritëm ta vazhdojmë tradicionalisht festivalin “New Born Kosova”, edicionin e dytë, pas një pune dhe sfide jashtëzakonisht të madhe. Falënderim i veçantë u shkon veçmas institucioneve tona shtetërore dhe Komunës së Prishtinës. E veçantë e këtij edicioni është se jemi bashkërisht FIDAF Kosova dhe ansambli ‘Shota’ dhe kemi grupe shumë të bukura dhe profesionale. Kemi prekur të gjitha kontinentet e botës që t’i sjellim në festivalin tonë koloritin dhe ngjyrat e të gjitha kombeve”, ka thënë ai.

E lumtur me performancën, që sapo kishin realizuar në Prishtinë, ka qenë edhe Melissa Guzman nga Meksika.

“Po, kjo është hera jonë e parë në Kosovë dhe jam shumë e lumtur të jem këtu, në këtë vend kaq të bukur. Njerëzit janë të gjithë tepër mikpritës dhe të sjellshëm”, ka thënë Melissa Guzman

Kolegu i saj, Daniel Olguin, ndër të tjera, ka veçuar mikpritjen e publikut.

“Ndër të tjera, ata vlerësuan mikpritjen e publikut. “Ne u ndiem shumë mirë. Ne prezantojmë kulturën tonë, të Meksikës dhe fakti që njerëzit e shijuan folklorin tonë është një nder për ne”, ka thënë Daniel Olguin.

Festivali ishte bërë arsye që grupi i valltarëve nga Polonia të vinte në Kosovë. Lidia Kalembkiewicz nga ky shtet është shprehur e lumtur me performancën para publikut në Kosovë.

“Ne u ndiem shumë mirë, sepse është një gjë që ne e bëjmë me pasion dhe na pëlqen ta sjellim kulturën tonë te të gjithë këtu, kështu që ata mund ta shohin dhe ta përjetojnë me ne”, ka thënë ajo.

Bashkëvendësi i saj, Jakub Kosinski, është shprehur i lumtur për mundësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave me valltarët e shteteve të tjera.

“Është shumë inspiruese, sepse ne mund të mësojmë më shumë rreth kulturave të tjera dhe ta ndajmë atë me botën së bashku edhe me pasionin për vallëzimin”, ka thënë ai.

Në kuadër të festivalit “New Born Kosova” do të mbahet edhe një garë, ku do të ndahen tri çmime. Gara, e cila do të zërë vend në sheshin “George W. Bush”, do të sjellë një sërë performancash, të cilat do të zhvillohen për tri ditë.