Kulturë

Nëntë kandidatë për dy pozitat udhëheqëse në institucionet e kulturës

Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Galeria Kombëtare e Kosovës janë në “konkurrencë” me njëra-tjetrën sa i përket mbetjes pa udhëheqës. Hapin, anulojnë e rihapin konkurse për udhëheqës artistik e drejtor tash e dy vjet. Tash, gjashtë janë konkurrentë për TKK-në e tre për GKK-në. Se si e komenton krejt këtë situatë me institucione pa drejtor e udhëheqës, Ministria e Kulturës ka pasur një përgjigje: “Varet nga kandidatët të cilët konkurrojnë”

Nëntë veta ia kanë mësyrë dy pozitave udhëheqëse në institucionet qendrore të kulturës. Gjashtë pretendojnë të jenë udhëheqës artistikë të Teatrit Kombëtar të Kosovës e tre të tjerë duan të drejtojnë Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Këto dy institucione janë në “konkurrencë” me njëra-tjetrën sa i përket mbetjes pa udhëheqës. Numërojnë rreth dy vjet pa drejtorë.

Sokol Plakolli, Arta Muçaj, Erson Zymberi, Saranda Elshani, Elhame Kutllovci e Dea Venhari-Dragaj janë në konkurrencë për udhëheqës artistik të TKK-së. Sipas verifikimit që ka bërë MKRS-ja, Venhari-Dragaj nuk i plotëson kushtet për ta vazhduar procesin pasi nuk ka dëshmuar se u përgjigjet krejt kritereve të konkursit.

Teatri Kombëtar i Kosovës ka më shumë se dy vjet pa udhëheqës artistik. Në konkursin e hapur në nëntor të vitit të kaluar, i treti me radhë, kishin konkurruar katër kandidatë. Arta Muçaj, Sokol Plakolli, Albana Muja-Deliu e Agush Mulliqi ia kishin mësyrë kësaj pozite. Aktorja Muçaj doli se nuk e ka diplomën e nostrifikuar. Ajo ka studiuar në Shqipëri. E Mulliqi nuk e plotëson kushtin e përvojës së punës. Kërkohen pesë vjet përvojë pune, pas diplomimit.

Vendimin për anulimin e konkursit Ministria e Kulturës e kishte bazuar në Udhëzimin Administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Ky akt nënligjor përcakton se konkursi publik duhet të përsëritet nëse së paku tre kandidatë nuk i plotësojnë kushtet e parapara me konkurs.

Pozita e udhëheqësit artistik kishte mbetur vakante qysh prej qershorit të vitit 2019. Pasi regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar, mospranimi i detyrës nga Fatos Berisha kishte bërë që Këshilli Drejtues me shumicë votash të emëronte si ushtrues të detyrës së udhëheqësit artistik të TKK-së aktorin Adrian Morina. Më pas këtë pozitë e ka mbajtur drejtori i “Shotës”, Shefqet Gjocaj.

Organizatori i TKK-së, Beqir Beqiri, ka thënë se ka kaluar kohë shumë e gjatë që institucioni është pa udhëheqës artistik dhe drejtor të përgjithshëm.

“Në këtë gjendje nuk do të doja ta shihja asnjë institucion. Asgjë nuk është duke shkuar si duhet pasi punojmë vetëm sot për nesër. Nevoja për të pasur udhëheqësit është shumë e madhe si për mbarëvajtjen e punëve brenda institucionit, po ashtu, edhe për marrëdhëniet me MKRS-në”, ka thënë Beqiri. Sipas tij, TKK-ja është pa zot shtëpie dhe punët shkojnë me ritëm shumë të ngadaltë.

Problemet për gjetjen e personave që do të drejtojnë TKK-në janë duke e përcjellë MKRS-në vazhdimisht.

Së voni si kandidati më i vlerësuar për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës rezultoi aktori Kushtrim Sheremeti. Menjëherë më pas pasuan akuzat me prapavijë politike, pasi Sheremeti njihet si kritikues i militantëve të partisë në pushtet. Nëpër rrjete sociale, diskursi qe kryesisht politik, nga anëtarë të partisë në pushtet ka pasur të ashtuquajtura distancime prej përzgjedhjes e Ministria e Kulturës ka shpejtuar të sqarojë se “procesi ende nuk ka përfunduar”. Aktorit, që është nisur drejt postit të kreut të institucionit më të lartë teatror në vend, i janë “nxjerrë nga arkivi” edhe sharje që dikur ia bënte VV-së a militantëve të saj.

MKRS-ja në ditën e 18-të të shkurtit kishte dalë me njoftim se procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka përfunduar dhe se do t’i ndjekë afatet ligjore për zhvillimin e hapave të mëtutjeshëm, përfshirë afatin e ankesave, që është një muaj.

Aktori Sheremeti nuk ka pranuar të prononcohet me arsyetimin se pret që të përfundojë procesi.

Pos Sheremetit, për drejtor të TKK-së kishin konkurruar edhe aktorët Vlora Merovci-Berisha e Avni Dalipi, që kishin “debutuar” në këtë garë, e konkurrentë të sërishëm, njashtu sikurse Sheremeti, kanë qenë edhe Xhemail Agaj e Blerim Krasniqi. Aktorja Vlora Merovci nuk i kishte plotësuar kriteret e konkursit. Vlerësimet janë bërë prej Këshillit Drejtues të TKK-së në përbërje të Shkurtë Aliut, Armend Smajlit, Ben Apollonit, Gresa Pallaskës, Rebeka Qenës, Visare Aliut dhe Brikena Mulliqit.

Sa i përket Galerisë Kombëtare të Kosovës, konkurrentë janë Arta Agani, Fehmi Hoxha e Refki Gollopeni. Që të tre i plotësojnë kriteret e konkursit. Agani ka një histori me konkurset për drejtor të GKK-së.

Nëpërmjet konkursit që u mbyll në ditën e katërt të nëntorit, MKRS-ja kualifikoi pesë kandidatë që i plotësonin kriteret e caktuara me konkurs. Si kandidatë të përgjegjshëm u vlerësuan Vlora Hajrullahu, Arta Agani, Arsim Shala, Naim Spahiu dhe Erëmirë Krasniqi. Fuat Islami u diskualifikua, sipas MKRS-së, në mungesë të dokumentacionit të Kosovës dhe përvojës menaxheriale. Genc Kadriut në dosje i mungonin diploma e studimeve në Londër dhe dëshmitë e përvojës së punës. Diploma e dëshmitë e përvojës së punës i mungonin edhe Lendita Zeqirajt.

Pesëshja, e përgjegjshme – sipas gjuhës administrative – e kaloi filtrin e parë e më pas u testuan me shkrim. U intervistuan nga Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës më 25 nëntor të vitit të kaluar.

Këshilli që kryesohet nga piktorja Zake Prelvukaj, sipas burimeve të KOHËS, më së shumti e vlerësoi ish-drejtoreshën Arta Agani, e diçka prej 2016-s me mandat katërvjeçar drejtoi GKK-në.

Rëndom, pas vlerësimeve të Këshillit, MKRS-ja atë që vlerësohet me më së shumti pikë nëpërmjet një njoftimi e prezanton si “kandidat të suksesshëm” dhe ftohet për të lidhur kontratën për pozitën e paraparë me konkurs.

Agani nuk ishte prezantuar si kandidate e suksesshme. Për këtë, MKRS-ja ka prezantuar dy “probleme”. I ka identifikuar krejt në fund të procesit, jo në filtrat paraprakë. MKRS-ja dyshonte për konflikt interesi.

Para krejt kësaj historie, kryetarja e Këshillit Drejtues, Zake Prelvukaj, kishte konkurruar në MKRS për ta përfaqësuar Kosovën më 2022 në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Pjesë të ekipit e kishte prezantuar edhe Arta Aganin. Më pas MKRS-ja anuloi procedurën për gjoja mundësi të konfliktit të interesit.

Institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ia kishte dalë që ta bënte GKK-në me drejtor as nëpërmjet konkursit të parë që ishte hapur para atij ku u “zbulua” konflikti i interesit.

Pozitën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës e synonin Arta Agani dhe piktorët Jeton Rexhepi dhe Vlora Hajrullahu. Por nuk ishin bërë tre kandidatë të përgjegjshëm.

Tash, kur janë tre “kandidatë të përgjegjshëm”, në GKK presin që kësaj radhe konkursi të ketë epilog të suksesshëm.

“Fatmirësisht janë tre kandidatë dhe mund të ecë procesi përpara. Tani po presim që t’i vazhdojmë procedurat. Normalisht që për një institucion është më mirë ta ketë drejtorin pasi me ushtrues detyre nuk bën të punohet për një kohë të gjatë”, ka thënë Zake Prelvukaj, kryetare e Këshillit Drejtues të GKK-së.

Se si e komenton krejt këtë situatë me institucione pa drejtor e udhëheqës, Ministria e Kulturës ka pasur një përgjigje.

“Ministria e Kulturës është përgjegjëse që të hapë konkurset dhe të zhvillojë procese rekrutimi në bazë të ligjeve në fuqi. Sa u përket pozitave të cilat nuk plotësohen me kohë, varet nga kandidatët të cilët konkurrojnë”, është përgjigja e administratës së MKRS-së.