Kulturë

Nëntë filma drejt çmimeve “Oscar” janë të shfaqur në “DokuFest”

No Other Land

Skenë nga filmi “No Other Land”, njëri prej nëntë filmave të shfaqur në “DokuFest” e që vazhdojnë garën për nominim për “Oscar”

Në listën e gjatë të filmave që vazhdojnë për çmimet e mëdha, hiç më pak se nëntë sish janë shfaqur në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. “Ky vlerësim i jashtëzakonshëm është një dëshmi e programimit unik dhe të kujdesshëm të ‘DokuFestit’, i cili vazhdon të mbështesë tregime inovative dhe t’u japë hapësirë zërave të ndryshëm në botën e filmit dokumentar dhe të shkurtër, ka vlerësuar “DokuFesti”

Se “DokuFesti” është në rangun e festivaleve botërore që sjell e përzgjedh alamet filmash që u nënshtrohen kritereve të ashpra, ia dëshmojnë edhe statistikat. E fundit, që lidhet me çmimet më prestigjioze në kinematografi. Nëntë filma në listë të gjatë për “Oscar” janë shfaqur e kanë konkurruar në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër. Tetë prej tyre, në edicionin e sivjetmë e njëri vitin e kaluar. Në listat e “Academy Awards”, që u publikuan të martën, nëntëshja e filmave është e shpërndarë në disa kategori për çmimin e madh. 

“Filmat në fjalë janë përzgjedhur për listën e gjatë të çmimeve ‘Oscar’ 97, duke shënuar një tjetër moment historik të jashtëzakonshëm për festivalin”, ka shkruar “DokuFesti” në një komunikatë për media të enjten.

Filmat e përzgjedhur janë gjashtë sosh në kategorinë e dokumentarit të metrazhit të gjatë: “Hollywoodgate”, “No Other Land”, “Queendom”, “Soundtrack to a Coup D’Etat”, “Sugarcane” dhe “Union”. “Incident” dhe “Until He’s Back” janë në kategorinë e dokumentarit të shkurtër e në kategorinë e filmit të shkurtër narrativ është “The Masterpiece”. Nëntëshja plotësohet me “Queendom”, që ishte pjesë e festivalit vitin e kaluar, në edicionin e 22-të. Për stafin e “DokuFestit”, një gjë e tillë dëshmon peshën dhe profesionalizimin e festivalit. 

“Ky vlerësim i jashtëzakonshëm është një dëshmi e programimit unik dhe të kujdesshëm të ‘DokuFestit’, i cili vazhdon të mbështesë tregime inovative dhe t’u japë hapësirë zërave të ndryshëm në botën e filmit dokumentar dhe të shkurtër. Çdo vit festivali paraqet një përzgjedhje të jashtëzakonshme filmash, shumë prej të cilëve vazhdojnë të marrin njohje ndërkombëtare dhe çmime prestigjioze, përfshirë edhe nominimet për ‘Oscar’”, shkruhet në komunikatë. Po ashtu shkruhet se festivali mbetet i përkushtuar për të mbështetur talentet e reja përmes programeve të dizajnuara me kujdes, duke u ofruar regjisorëve mundësi për të lidhur filma të tyre me audienca ndërkombëtare dhe liderë të industrisë. “Përkushtimi i festivalit për të promovuar zëra të rinj dhe narrativa të fuqishme garanton se ai vazhdon të jetë një platformë e rëndësishme për filma që rezonojnë globalisht”, shkruhet në komunikatë. “Academy Awards” ka dalë me listën e ngushtë për nominime në dhjetë kategori, përfshirë edhe atë për filmin më të mirë ndërkombëtar – ku as sivjet Kosova s’ia ka mësyrë fare – sikurse edhe ajo për dokumentarin e shkurtër, ku vendi kishte një shans me “Krahët e punëtorëve” të Ilir Hasanajt. Tek ajo që fut në garë filmat që i propozojnë shtetet shihet se larg çmimit të madh janë krejt vendet e Ballkanit. Serbia e synonte çmimin me “Konsullin rus”, një propagandë për “Kosovën serbe”.

Por Kroacia ka një përfaqësues te kategoria e filmave të shkurtër. “The Man Who Could Not Remain Silent”, nën regji dhe me skenar të Nebojsha Slepçeviqit. Është një rrëfim bazuar në një ngjarje të vërtetë për një hero të viteve ’90, kur në Shtërpcë të Bosnjë-Hercegovinës forcat paramilitare serbe ndaluan trenin me 500 udhëtarë në relacionin Beograd-Tivar dhe kryen krime lufte duke vrarë 19 myslimanë. Një akti si ky iu kundërvu vetëm Tomo Buzov, oficer në pension i Armatës Popullore të Jugosllavisë. Filmi kroat konkurron me 14 të tjerë si: Anuja”, “Clodagh”, “The Compatriot”, “Crust”, “Dovecote”, “Edge of Space”, “The Ice Cream Man”, “I’m Not a Robot”, “The Last Ranger”, “A Lien”, “The Masterpiece”, “An Orange From Jaffa”, “Paris 70” dhe “Room Taken”.