Në Prishtinë, më 18 mars 2021, në moshën 86-vjeçare vdiq Fahri Buçinca, veteran i arsimit dhe autor i disa botimeve me vlera shkencore e kulturore. Duke qenë dhëndër i Ulqinit, ka treguar një interesim të veçantë për figurën e Cafo Alibegut, i cili ka qenë personaliteti më i njohur i Ulqinit në shekullit XX. Është meritë e tij dhe e bashkëshortes së tij Naxhije Alibegaj, mësuese e nderuar, që për 40 vjet kanë mbledhur lëndë me interes për këtë personalitet emblematik, që u kurorëzua me botimin e librit “Cafo Beg Ulqini-jeta dhe veprimtaria politike”, nga “Art Club”, Ulqin, 2009. Ishte ky botimi i parë kushtuar këtij personaliteti të anatemuar nga pushteti monist i kohës, duke qenë dhuratë për qytetarët e Ulqinit dhe më gjerë, me qasje shumëdimensionale për kohën kur ka jetuar e vepruar Cafo Begu. Në nderim të autorit, me këtë rast botohet recensioni për këtë libër, me rastin e përurimit të mbajtur në Ulqin, më 5.7.2009.
Monografi që i ka munguar literaturës shqipe
Gamës së gjerë të botimeve që trajtojnë tema në lidhje me shqiptarët në Mal të Zi iu shtohet edhe një botim më vlera të veçanta. Fjala është për monografinë me titull “Cafo Beg Ulqini - jeta dhe veprimtaria politike” të autorit Fahri Buçinca.
Është ky një botim i veçantë i cili i ka munguar literaturës sonë në shqip, sepse personaliteti i Cafo Begut ka qenë i anatemuar nga pushteti i kohës sikurse disa figura të tjera madhore kombëtare shqiptare. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë nga pushteti komunist bëhej me qellim, sepse figurat madhore ishin vazhdimisht pengesë për realizimin e planeve të tyre djallëzore. Duke i sulmuar e dhënë epitete të ndryshme negative këtyre figurave tentohej që ata të largoheshin nga kujtesa e popullit.
Por edhe pse diçka të tillë përjetoi edhe vetë Cafo Begu, ai mbeti i pamposhtur sepse është personaliteti më i madh politik që ka dhënë Ulqini deri më sot.
Në saje të një atmosfere dhe absurditeti të tillë për Cafo Begun ka qenë e ndaluar të flitej, sepse pasonin masat ndëshkuese, ndërsa të rinjtë kanë pasur mundësi vetëm të kenë dëgjuar për emrin e tij, e asgjë më shumë. Por duhej të ndodhnin ndryshime të mëdha për të pasur mundësi për të folur dhe shkruar për figura të tilla kombëtare siç ishte Cafo Begu. Dhe pikërisht rënia e Murit të Berlinit në nëntor të 1989-s ishte fillimi i fundit të sistemit komunist që pësoi disfatë në vitin 1990, me aplikimin e pluralizmit politik. Pikërisht nga ajo kohë ngjarjet dhe figurat e anatemuara filluan të ringjalleshin me dimensionin e tyre të vërtetë, e jo ashtu siç na e kishin imponuar pushtetarët dhe kalemxhinjtë e tyre vite më radhë.
Autori në këtë botim na ofron të dhëna me interes për jetën dhe veprimtarinë politike të Cafo Beg Ulqinit, nga rinia e tij e deri në momentin e vdekjes së tij në Shkodër më 24.12.1977. Të dhënat e prezantuara përfshijnë jo vetëm një regjion të ngushtë siç është Ulqini me rrethinën e tij, por pothuaj edhe hapësirën mbarëkombëtare.
Duke e redaktuar ketë libër kam përjetuar momente të veçanta emocionale, sepse për të parën herë kisha mundësi të njihesha me jetën dhe veprimtarinë e Cafo Begut dhe vëllait të tij Hodo Begu. Veprimtaria dhe jeta e tyre paraqesin një dramë të veçantë familjare, që në njëfarë mënyre janë sinonim i vuajtjeve të përgjithshme të shqiptarëve në këtë mjedis. Nuk ka dilemë se diçka të tillë do të përjetojnë edhe lexuesit e këtij libri e në veçanti ato familje apo pasardhësit e tyre që i kanë përjetuar maltretimet dhe ndëshkimet e ndryshme nga ana e pushtetit të kohës.
Në saje të këtij botimi për të parën herë kemi mundësi të njihemi edhe me emra të personave dhe familjeve të ndryshme të cilët e kanë ndihmuar apo kanë qenë bashkëmenditarë të Cafo Begut. Po ashtu, këtu për të parën herë paraqitet një regjistër i individëve të pushkatuar, të dënuar dhe të persekutuar nga ana e pushtetit komunist. Nuk ka dilemë se secili prej tyre paraqet çështje në vete, sepse kanë përjetuar maltretime dhe torturime të ndryshme. Të dhënat e prezantuara këtu janë vetëm episodike, që meritojnë një qasje të veçantë për të ndriçuar të vërtetën e kohës. Por, pa dyshim se në këtë aspekt një familje paraqet ekzemplar të veçantë të qëndrimit. Fjala është për familjen e Simon Gjokës-Shkrelit nga Shën Gjergji, e cila për besë, nder e burrni ka vuajtur shumë. Madje vuajtjet e tyre janë biblike që pakkush mund ta imagjinojë, që shkojnë deri në atë nivel duke e shpallur të vdekur djalin e gjallë. Një sakrificë të tillë sublime kanë mundur ta përjetojnë vetëm familjet me dinjitet të jashtëzakonshëm të karakterit dhe besës shqiptare.
Arratisja në Shkodër
Ndonëse Cafo Begu pas arratisjes nga janari i vitit 1953 jetonte në Shqipëri, përkatësisht në Shkodër, ku edhe vdiq në vitin 1977, në moshën 85-vjeçare, ai kishte nostalgji të madhe për Ulqinin e tij. Me interes është një detaj nga një takim që ka pasur një ulqinak në vitin 1972 më Cafo Begun në Shkodër në dyqanin ku ka punuar te Dugajt e Reja, ku, mes të tjerash, ai e ka pyetur se “a ka me e permend kush emnin tem në Ulqin”.
Nëse emri i tij deri me rënien e sistemit komunist ka qenë i anatemuar, më vendosjen e pluralizmit ai filloi të marrë përmasat reale. Dhe botimi i këtij libri dëshmon në mënyrë bindëse së Cafo Begu është pjesë e pandarë e Ulqinit dhe si i tillë do të jetë përherë.
Në libër jepen të dhëna me interes me rastin e vendosjes së komunistëve në Ulqin në nëntor të 1944-s dhe instalimit të pushtetit të tyre, ku pushtetarët e rinj burgosën, persekutuan dhe pushkatuan një numër të konsideruar të qytetarëve të Ulqinit dhe viseve të tjera, që kanë qenë përkrahësit e Cafo Begut. Dhe në këtë situatë për jetë a vdekje Cafo Begu me disa bashkëluftëtarë doli në ilegalitet (nëntor 1944-janar 1953). Kjo periudhë kohore paraqet sakrificën më të madhe për jetë a vdekje, sepse ai ndiqej në të gjitha anët, por ishte populli ai që e strehoi dhe e mbajti duke rrezikuar jetën e tyre si në Anë të Malit, Krajë, Shtoj, Tivari i Naltë, Shkodër e përfundimisht në Ulqin.
I përndjekur në Shqipëri e në Jugosllavi
Cafo Begu ishte midis dy zjarreve. Ai ndiqej nga të dy regjimet si në Shqipëri dhe në Jugosllavi. Kjo ishte fatkeqësi e madhe, sepse të ndiqej individi i cili ka punuar për çështjen kombëtare ishte utopi e kohës. Sepse bashkimi i tokave shqiptare me shtetin amë Shqipërinë nuk mund t’i vishet Cafo Begut si krim, sepse këto ishin qasjet e idealistëve kombëtarë, që janë prezantuar gjatë okupimit italian dhe atij gjerman. Madje një ide e tillë fillimisht ka qenë e përkrahur edhe nga komunistët në fillim të Luftës së Dytë Botërore, por më pas ata devijuan platformën e tyre, ku si dëshmi transparente na shërben Mbledhja historike e Mukjes. Nga një devijim i tillë del se atyre nuk u ka interesuar çështja kombëtare shqiptare në përgjithësi, por marrja e pushtetit dhe instalimi i sistemit komunist, i cili pati pasoja të mëdha për popullin shqiptar.
Autori i këtij libri meriton falënderim të veçantë, sepse ai ka treguar angazhim serioz disavjeçar duke mbledhur e përpunuar një material të gjerë dhe shumëdimensional për figurën e Cafo Begut. Autori me një durim i cili është për admirim nuk është zhgënjyer as atëherë kur i kanë munguar të dhënat e nevojshme për ca periudha përkatëse, apo kur individë të ndryshëm kanë refuzuar e ngurruar për të dhënë informacionet e duhura.
Ky botim në njëfarë mënyre paraqet një dosje të çështjeve deri më tash pak apo aspak të njohura për mjedisin tonë. Andaj kur të lexohet ky libër do të kemi mundësi të gjykojmë për individët dhe rrethanat e kohës.
Një libër që hap debate
Nuk ka dilemë se ky libër do të hapë debate të natyrave të ndryshme. Por, jemi të mendimit se vetëm një debat i tillë do të jetë në favor të këtij botimi, sepse të dhëna të reja do të plotësojnë figurën komplekse të Cafo Begut. Ky botim avancon njohuritë për këtë personalitet dhe të bashkëmendimtarëve të tij, ndërsa edhe këto të dhëna janë të mjaftueshme për të kuptuar se historia jonë meriton të rishkruhet, me dokumente dhe fakte konkrete pa paragjykime dhe qasje ideologjike. Pikërisht nga ky konstatim, nuk dyshojmë se në saje të të dhënave të reja që do të ofrohen, janë të gjitha gjasat që botimi i dytë të jetë i plotësuar dhe i zgjeruar.
Vlerë e veçantë e këtij botimi është se ai është pajisur me një numër të konsideruar të fotografive të cilat për të parën herë i prezantohen opinionit.
Duke e lexuar këtë libër del qartë se ka ardhur koha që për ngjarjet apo figurat e ndryshme kombëtare të shkruhet e vërteta, sepse gjatë periudhës së komunizmit na është imponuar një realitet tjetër. Një dukuri e tillë nuk është çudi, sepse historinë e kanë shkruar fitimtarët duke ia përshtatur interesave të tyre me ngjyrim ideologjik. Ndërsa sot në rrethana të tjera është obligim moral dhe profesional që të shkruhet e vërteta ashtu siç ka qenë duke u bazuar në fakte dhe argumente të kohës. Ngjarjet e kohës së Cafo Begut që na dëshmohen madje edhe përmes individëve pjesëmarrës të drejtpërdrejtë, dëshmojnë një realitet tjetër i cili duhet të jetë mësim për të gjithë ata që do të merren me shkrime të kësaj periudhe kohore. Vetëm me një veprim të tillë do t’i shërbejmë realitetit sikurse veprohet kudo në botën e qytetëruar.
Falë këtij botimi Cafo Begu nuk është më figurë e panjohur dhe e anatemuar siç e ka paraqitur pushteti i kohës, por ai është me ne, te çdo individ e familje. Andaj ky libër përfundimisht heq dilemat dhe kureshtjen e të gjithë neve, ku pa dyshim lexuesi do të jetë ai që do të japë gjykimin dhe vlerësimin e vet.
Monografia që i kushtohet Cafo Beg Ulqinit duhet të jetë pjesë e çdo familjeje ulqinake në mënyrë të veçantë dhe e të gjithë neve në përgjithësi. Ajo duhet të lexohet dhe analizohet, sepse kjo paraqet të kaluarën tonë në një periudhë të caktuar kohore. Vetëm kur të lexohet, atëherë do të jemi në gjendje për të kuptuar vuajtjet e popullit tonë që duhet të jenë mësim për të sotmen dhe të ardhmen.
Cafo Begu ishte midis dy zjarreve. Ai ndiqej nga të dy regjimet si në Shqipëri dhe në Jugosllavi. Kjo ishte fatkeqësi e madhe, sepse të ndiqej individi i cili ka punuar për çështjen kombëtare ishte utopi e kohës