“Në kërkim të Venerës” nuk nis ashtu siç shumë mund të kenë pritur. Është një fillim më i guximshëm, për faktin se vjen nga një regjisore e re, Norika Sefa, e cila pikërisht me këtë film debuton si regjisore e filmave të metrazhit të gjatë. Venera (Kosovare Krasniqi) është duke vështruar përmes shkurreve miken e saj Dorinën (Rozafa Çelaj) gjersa kryen marrëdhënie me të dashurin e saj. Që në fillim regjisorja e bën të qartë se do të eksplorojë jetën seksuale e zhvillimin mendor të një adoleshenteje. Pjesa tjetër është diçka që veçanërisht audienca vendëse e njeh mirë: të rritesh në një shtëpi ku jetojnë tri gjenerata. “Në kërkim të Venerës”, pas debutimit që pati vitin e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Roterdamit (IFFR), ka sjellë premierën e vet kombëtare të shtunën mbrëma në kuadër të edicionit të 13-të të “PriFest” që përfundoi të dielën.
Miqësia që lind nga eksplorimi i individualitetit
Në një familje tradicionale shqiptare duket mision i zorshëm arritja e pavarësisë. Më shumë madje në një fazë të tillë siç është Venera, kur je duke mësuar se çfarë do të thotë të jesh adoleshente e kur je në kërkim të individualitetit. Kështu Dorina është një karrem i mirë për Venerën. Ajo tashmë është e njohur me alkoolin, seksin dhe lirinë për të bredhur ku të dojë (të paktën derisa vëllai i saj ndërhyn). Dorina është një eksperte për t’ua bërë qejfin të rriturve. U thotë atë që ata dëshirojnë ta dëgjojnë gjersa bën atë që dëshiron. Kjo shërben veç si fitil për lindjen e një shoqërie mes dyshesh. Shumë shpejt Venera për çdo “mungesë pa arsye” në shtëpi do të nisë të thotë: Jam me Dorinën apo isha te Dorina.
Shumicën e kohës dyshja do të nisë ta kalojë te klubi në qytet, ku Venera do të njihet me banakierin Genti (Tristan Halilaj). Fakti se ka një të dashur është veç nisje e rebelimit të Venerës. Koncerti që vjen pas është një shtyje më shumë, martesa e Dorinës - goditja e radhës për kryengritje. Venera lodhet nga njerëzit të cilët për çdo gjë, sado të vogël, i tregojnë se si duhet të veprojë.
Aktori Eshref Durmishi ka thënë se secili që e shikon këtë film do të gjejë diçka e do të mësojë diçka për veten a për familjen e vet.
“Është një dramë sociale, një dramë që na prek çdo ditë, një problem mes gjeneratave që ne e kemi çdo ditë prezent në jetën tonë. Kështu që po besoj që njerëzit kur ta shohin kanë për të nisur e reflektuar: prindërit do të reflektojnë sa munden e sa nuk munden me u dhënë liri fëmijëve të vet, sa është e drejtë e sa nuk është e drejtë”, ka thënë ai.
Kultura e fshatit që bllokon çdo gjë
Personazhi kryesor nuk është se kalon nëpër një sfidë a problem madhor që ia ndryshon jetën. Venera është në një kërkim drejt rritjes emocionale e mendore në një fshat që i ka të vënë me vija të trasha kufijtë për gratë. Si goditje vijnë skenat si ajo kur katër punëtorë vijnë për të ndihmuar Luanin për të vënë një derë e cila bie posa nëna e Dorinës e provon nëse është në rregull.
Gjatë gjithë kohës është sfidë për të kuptuar se kush janë personazhet e reja që shfaqen në ekran pasi që fqinjët e kushërinjtë shkojnë vetëm duke u ndërruar, por jo duke u pakësuar. Ikja e vetmja nga rutina e fryma ngufatëse e fshatit, janë mësimet e gjuhës angleze. Ato shihen si një mënyrë drejt avancimit, ani pse kultura e fshatit sikur bllokon çdo gjë. Kështu, besimi se ato mund të sjellin diçka më të mirë e bëjnë një fshat të tillë të rrojë me ëndrra të kota.
Fshati nuk është se ka diçka të veçantë, por Sefa bën një punë të përkryer duke përshkruan në detaje jetën në Kaçanik. Veçanërisht pamjet e shtëpive të mbushura çdo herë me shumë njerëz janë një qëndrim besnik i realitetit të kulturës shqiptare që për shumëkënd mund të jenë absurde. Këtu qëndron edhe e bukura e premierës kombëtare, ku audienca vendëse priti më shumë të qeshura, disa nga skenat e filmit veçanërisht ato ku përfshihet gjyshja e Venerës (Fatushe Nushi). Publiku në vend sikur lidhet më shumë me jetesën e personazheve që kalon kufijtë kombëtarë duke u kthyer në një rrëfim universal pikërisht përmes Venerës.
Irritimi i adoleshentes kundër patriarkatit
Hapësirat e ngushta ku familja jeton, e pamjet e xhiruara nga afër duke u fokusuar më shumë në portrete të njerëzve sikur e bëjnë edhe më të bindshëm pikën kryesore të rrëfimit: irritimin e një adoleshenteje kundër kufizimeve të patriarkatit.
Venera, ndryshe nga shumë miq të saj – si Dorina - ka ende gjallë babanë e saj, Luanin (Basri Lushtaku). Mirëpo efektet e luftës janë të pranishme edhe përmes dialogëve, që janë të paktë në film. Dialogët nuk i shërbejnë zhvillimit të rrëfimit – në fund të fundit i gjithë filmi nuk është se sjell një tregim që ka një fillim a mbarim - më shumë vijnë si deshifrim i gjendjes emocionale. Gjurmimi i emocioneve është pjesa ku regjisorja fokusohet.
Regjisorja Norika Sefa premierën kombëtare e ka cilësuar një moment special për të dhe ekipin.
“Deri tani e kemi shikuar filmin me audiencë të huaj dhe na është dukur pak e çuditshme, por sonte ishte një ndjenjë shumë ndryshe. Faleminderit të gjithëve pasi ka qenë një punë e mundimshme, por edhe shumë e bukur. Uroj që filmi të lërë diçka tek ju e që ka me zgjat shumë më shumë sesa vetëm këto momente pas shfaqjes së tij”, ka thënë Sefa, duke e konsideruar procesin e realizmit të filmit një kujtim të cilin nuk do ta harrojë kurrë.
Vallëzimi çlirues
Nëna e Venerës, Nora (Erjona Kakelli) kujdeset për shtëpinë. Gjatë gjithë kohës shihet duke bërë punë ose duke u kujdesur për Venerën, për dy djemtë e saj më të vegjël ose vjehrrën. Nuk ka asnjë pikë emocioni në jetën e saj. Nuk është se shfaq ndonjë tendencë për ta shpëtuar vajzën apo veten nga cikli patriarkal. Diçka që vërehet çdo herë e më shumë te vajza e saj, kryeneçe e fjalëpakë.
Është drithërues pikërisht momenti kur Venera kthehet nga koncerti. Një koncert, për të cilin ajo arrin ta bindë babanë e vet që ta lërë të shkojë vetëm, pasi shoqërohet nga shoku i saj, Noli (Bleon Monolli) të cilin babai i Venerës duket se e ka për qejf dhe ia beson vajzën. Kur Venera kthehet nga koncerti, dëshiron të vazhdojë qejfin. Ndez radion dhe nis vallëzimin. Nora nis të kërcejë me të duke lëshuar flokët e duke u dalldisur nëpër hapësirën e ngushtë të sallonit me tre fëmijët e saj. Është hera e parë kur ajo shihet duke shijuar jetën e mbushur me energji. Vallëzimi, diçka aq e thjeshtë, merr një konotacion të ri në film. Për një moment është tregues i çlirimit emocional të personazheve. Është e habitshme sesi aktorja nga Shqipëria arrin të mbajë dialektin e saj pa u ndikuar e pa ndikuar tek të tjerët.
Dialogu i saj në këtë rast veç e bën më të dukshëm faktin se ajo vetë nuk ka arritur të bëhet pjesë e familjes, ka mbetur një “rob” i huaj. Regjisorja dhe aktorët kanë arritur t’i ikin huqit që plot skenarë e filma po i rëndon prej kohësh me sakrifica të panevojshme, paçka se këto mund të mos jenë të vërejtshme për audiencën joshqipfolëse.
Aktorja Erjona Kakelli ka thënë se filmi nuk prek vetëm vendin, apo Ballkanin, por edhe zona të tjera.
“Ideja është që në këto tri gjenerata ka heshtje dhe shumë të folur nga brenda ashtu siç ka ndodhur nëpër breza dhe ashtu siç ndodh ende. Filmi është i fokusuar te gruaja e cila mbytet nga paragjykimet, nga mosliria që të thuash gjërat që i do, që i mendon, pra siç u pa edhe në film”, ka thënë ajo. Sipas saj, ky film edhe pas disa vjetëve do të vlejë pikërisht për shkak të mesazhit dhe asaj që duhet ndryshuar në thelb te shoqëria.
Me t’u kthyer Luani, gëzimi seç prehet si me shpatë. Një personazh që nuk është në gjendje t’u japë mbështetje emocionale anëtarëve të familjes së tij.
Aktorët në shërbim të rrëfimit
Loja e Erjona Kakellit dhe e Basri Lushtakut, por edhe ajo e gjithë kastës – me theks të fuqishëm te aktorja Kosovare Krasniqi – kontribuon për të dhënë atë imazhin e një komuniteti të bllokuar në një shoqëri tradicionale, të izoluar e traumatizuar që nuk pranon mënyrat e reja të jetesës.
Krasniqi është aktorja që më së shumti rri në qendër të kamerës dhe loja e saj është e fuqishme. Shpërfaq një transformim të bukur nga një vajzë e re, e ndrojtur, ndoshta naive, siç i thotë ajo shpesh vetes në një grua të re që shfaq haptas kundërshtim e saj. Imazhet e ngushta, kryesisht në formë portreti, bien në kundërshtim më pas me lëvizjet më të lirshme që vijnë si shenjë mosbindjeje. Është meritë edhe e kinematografit Luis Armando Arteaga që shpesh e vendos Krasniqin në fund ose në qoshe të kuadrit, një zgjedhje kjo që reflekton ndjenjën e saj të vazhdueshme se është nën një kontroll të vazhdueshëm.
Filmit një nuancë hijeshie ja japin edhe xhirimet e reflektimeve të personazheve në xhama ose xhirimi i hijeve të tyre. Sefa, me “Në kërkim të Venerës” veç ka nisur konsolidimin e individualizimit në artin e shtatë. Regjisorja ka diplomuar për regji në “European Film College” në Ebeltoft të Danimarkës dhe masterin e përfundoi në “FAMU” (The Film and TV School of the Academy of Performing Arts) në Pragë.
Sefa pa dyshim që është pjesë e regjisorëve që po lënë shenja me atë që po konsiderohet si vala e re e kineastëve. Mirëpo krahas regjisorëve në këtë film, vlen të potencohet edhe vala e re e aktorëve ku nuk mungojnë as Kosovare Krasniqi e Rozafa Çelaj.
Producenti i filmit, Besnik Krapi, ka thënë se filmi shumë shpejt do të nisë të shfaqet edhe nëpër kinema.
“Ne që merremi me film nganjëherë merremi vetëm me kritikën e filmit, por është çdo herë kënaqësi kur merr komentet e publikut, aty për aty. Fillimisht kam qenë pak i stresuar, por kur është lëshuar filmi me të vërtetë jam kënaqur”, ka thënë ai.
Premiera kombëtare e “Në kërkim të Venerës” është vazhdimësi e sukseseve të qindpërqindta nga festivalet ku u nominua për çmime. Fillimisht filmi debutoi me Çmimin special të jurisë për arritje të jashtëzakonshme artistike në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam në fillim të vitit. Më pas u nderua me dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Hong-Kongut, për “Regjinë më të mirë” e për “Aktoren më të mirë”. Krasniqi rrëmbeu çmimin e “Aktores më të mirë” edhe në edicionin e 36-të të Festivalit prestigjioz të Filmit në Valencia. E në gusht të këtij viti në edicionin e 27-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë fitoi çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”.
“Në kërkim të Venerës” është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut me producent Besnik Krapin, i prodhuar nga Circle Pruduction dhe me bashkëproducent Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën.