Kulturë

“Në kërkim të Venerës” shpërblehet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam

Prishtinë, 7 shkurt – Rrëfimi që ka në fokus konfliktet midis gjeneratave në familjet e mëdha shqiptare përmes kundërvënies së Venerës ndaj normave shoqërore, ka triumfuar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam (IFFR). “Në kërkim të Venerës”, nën regji të Norika Sefës, është shpërblyer me çmimin "Special jury award"  në kategorinë “Tiger Competition”. Ky film bëri që për herë të parë në historinë e festivalit të njohur të filmit në Rotterdam të Holandës, një projekt kineast nga Kosova të përfshihet në garën zyrtare dhe të shpërblehet.

Filmi portretizon me detaje sesi një vajzë moderne, rritet në një rreth tradicional që në mënyrë strikte ndjek hierarkinë. Në filmin e saj debutues të metrazhit të gjatë, regjisorja Sefa që zgjat 111 minuta, përmes kamerës që luan rolin e një observuesi mundohet që të japë përgjigje sesi Venera mund të vendosë vetë për zgjedhjet e saj, kur në fakt nuk ka shumë për të zgjedhur. Sipas sinopsisit të Festivalit që jep detaje më shumë për filmin, tri gjeneratat jetojnë në të njëjtën shtëpi dhe është e vështirë për këdo që të ketë privatësi. Edhe jashtë mureve, në rrugë dhe në kafene situata nuk është më e mirë: fshati është i vogël dhe çdo herë veprimet e Venerës përcjellën ose nga vëllai, nipi apo komshitë.

“Është pritshmëria e të gjithëve që vajza të ruajë reputacionin e mirë të saj dhe të familjes. E gjithë kjo e bën të vështirë që Venera të ndjekë rrugën e saj. Ajo ngazëllehet kur e bën shoqe Dorinën, e cila tashmë ka të dashur. Të dy vajzat dalin dhe argëtohen, për aq sa babi i Venerës lejon. Një gjë është e sigurt: Ato nuk dëshirojnë që të përfundojnë si nënat e tyre. ‘Unë asnjëherë nuk i kam parë prindërit e mi duke u puthur’, thotë Venera”, janë disa detaje të sinopsisit. Përjetimi i një jete të re bën që Venera të revoltohet ndaj mendësisë patriarkale, duke kërkuar një përshtatje të domosdoshme.

Edicioni i sivjetmë, i 50-ti me radhë, i “Rotterdam International Film Festival” për shkak të rrethanave me pandeminë, është ndarë në dy pjesë. Fillimisht, në një format hibrid, që nisi më 1 shkurt dhe përmbyllet sot dhe pastaj, me gjasë si ngjarje fizike, nga 2 deri më 6 qershor.

Si festival i përvitshëm i filmit, IFFR-ja mbahet në fund të janarit në vende të ndryshme të qytetit të Rotterdamit në Holandë. Që prej themelimit të tij më 1972, ai ka pasur në fokus të tij filmbërjen e pavarur dhe atë eksperimentale, duke vënë në pah talentet.

“Tiger Competition” e themeluar në vitin 1995, ka për qëllim zbulimin e talenteve të filmit dhe shpërblimin e tyre. Çmimi “Tiger” ka vlerë 40 mijë euro dhe ndahet në mes të regjisorit dhe producentit të filmit fitues. Dy çmimet speciale të jurisë kanë vlerë 10 mijë euro.

Vetë regjisorja Norika Sefa ka thënë se e kishte pasur në mendje pikërisht këtë festival, kur e kishte realizuar filmin që ajo e cilëson si goxha eksperimental.

Në një prononcim për KOHËN, me rastin e pranimit në Festival, Sefa kishte thënë se filmi i saj ka target secilën moshë, pasi që trajton tri gjenerata brenda një familjeje.

“Besoj se ideja se si jetohet në një familje të madhe është absurde për logjikën e botës së jashtme ku familjet janë minimaliste”, kishte thënë ajo në intervistën e 23 dhjetorit të vitit të kaluar.

Regjisorja e re, po ashtu, pati treguar se njerëzve brenda Festivalit duhet t’u ketë bërë përshtypje jeta brenda një familjeje ku nuk ka privatësi e nuk kuptohen emocionet mes njëri-tjetrit.

“Pikërisht, kjo logjika e traditës lë përshtypje, sepse temperamenti i një të riu bie në konflikt kur provon t’i thyejë rregullat”, kishe shtuar Sefa. E këto detaje duhet ta kenë bërë për vete edhe jurinë – e përbërë nga: Lemohang Jeremiah Mosese, Orwa Nyrabia, Hala Elkoussy, Helena van der Meulen, Ilse Hughan, e cila e vlerësoi këtë projekt filmik.

Lajmin për shpërblimin e filmit “Në kërkim të Venerës”, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, e ka vlerësuar si historik për kinematografinë kosovare.

“Është historike për kinematografinë tonë. Arritje madhështore për regjisoren Norika Sefa dhe gjithë ekipit. Vlerësim për një vepër shumë të bukur. Artistët tanë janë tregimi më i bukur i këtij vendi. Ky është fillimviti më i bukur për kinematografinë tonë”, ka thënë Zharku.

“Në kërkim të Venerës” – për të cilin QKK-ja ka ndarë 200 mijë euro – luajnë aktorët: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj e të tjerë.

Filmi debutues i Norika Sefës është vlerësuar lart edhe nga kritikët.

“Në debutimin e saj të ndjeshëm dhe delikat, Norika Sefa portretizon me hollësi karakterin e Venerës, një vajzë moderne që rritet në një mjedis tradicional, hierarkik. Por si mund t’i bëjë Venera zgjedhjet e saj në një situatë të tillë? Muzika e veçantë dhe kamera vëzhguese i shtojnë një ndjesi dokumentari kësaj historie intime”, është shkruar për filmin në editorialin e festivalit të Roterdamit.

Në kategorinë “Tiger Competition”, përveç Sefës, në garë ishin edhe gjashtëmbëdhjetë filma të tjerë. “Agate mousse” i regjisorit Selim Mourad (Liban), “Bebia, à mon seul désir” i Juja Dobrachkous (Britani e Madhe/Gjeorgji), “Bipolar” i Queena Li (Kinë), “Black Medusa” i Youssef Chebbi (Tunizi), “A Corsican Summer” i Pascal Tagnati (Francë), “The Edge of Daybreak” i Taiki Sakpisit (Tajlandë/Zvicër), “Feast” i Tim Leyendekker (Holandë), “Friends and Strangers” i James Vaughan (Australi), “Gritt” i Itonje Søimer Guttormsen (Norvegji), “Landscapes of Resistance” i Marta Popivoda (Serbi/Gjermani/Francë), “Liborio” i Nino Martínez Sosa (Republika Dominikane/Puerto Rico/Katar), “Madalena” i Madiano Marcheti (Brazil), “Mayday” i Karen Cinorre (ShBA), “Mighty Flash” i Ainhoa Rodríguez (Sanjë) dhe “Pebbles” i Vinothraj P.S., (Indi).

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, i prodhuar nga “Circle Production” me bashkëproducentë Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën. Filmi, gjithashtu, është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës dhe nga ajo e Kaçanikut.