Me jo pak simbolika ka ardhur të premten një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. E para, që në numrin e veprave, 110, që përkon me kohën kur është hapur ajo – 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ka lidhje edhe me 28 Nëntorin, që pos Ditës së Flamurit, përkon edhe me daljen e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1997. I pazakonshëm është edhe autori i tyre: Rexhep Selimi, ish-komandant i UÇK-së, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Mbi të gjitha, është koha dhe vendi ku janë realizuar ato: burgu në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë. Aty Selimi është i burgosur tash dy vjet e 20 ditë. Dhe prej aty, nëpërmjet artit del “Në garë me botën gri”, siç titullohet ekspozita.
Nëse veprat e tij kanë vlera të qëndrueshme artistike është çështje tjetër. Pikturat që kanë udhëtuar nga Haga në Kosovë karakterizohen nga disa elemente dhe koloriti tradicional shqiptar, realizuar në teknika të ndryshme. Grija është dominuese, por kontrastet janë ato që gjejnë ngjyrat edhe përballë zymtësisë. Krejt bashkë do të mund të kundroheshin edhe si një ikje prej saj nëpërmjet artit, ani pse autori s’është piktor akademik. As në vernisazhin e ekspozitës s’ka pasur pretendime për ta prezantuar si të tillë artin e tij. Më fort peshë i është dhënë rrëfimit prapa tyre. Ca prej tyre janë lojë me shenja tradicionale, figura njerëzisht në veshje kombëtare, shqiponja dykrenore, helmeta tradicionale e luftëtarëve të hershëm ilirë, kombinimi i së kuqes me të zezën, prania e ornamenteve dhe elemente të tjera të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.
Në ceremoninë hapëse të ekspozitës “Në garë me botën gri” më të shumtë kanë qenë ata që Rexhep Selimin, nëpërmjet veprave të tij, e kanë tekur sefte si artist. Disa e kanë njohur edhe si poet a tekstshkrues këngësh.
“Mirëserdhët në ekspozitën e Rexhep Selimit, të cilën ai e ka dërguar nga Haga prej ku po gjykohet dhe ku ende nuk ka filluar gjykimi. Atje ku po akuzohet pa aktakuzë së bashku edhe me bashkëveprimtarë të tjerë të tij: me ish-kryetarin e Kuvendit, z. Krasniqi, me ish-kryetarin e Kuvendit, z. Veseli, me ish-presidentin Thaçi dhe me bashkëluftëtarë të tjerë të cilët padrejtësisht po akuzohen në Hagë. Por, ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm si popull për drejtësinë dhe pastërtinë e luftës sonë çlirimtare së cilës i kontribuoj i gjithë populli i cili në një mënyrë ishte pjesë e luftës sonë të drejtë”, ka thënë Grauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, nëpërmjet kësaj ekspozite, Selimi është i pranishëm në mesin tonë dhe po komunikon nëpërmjet arti të tij. Ka kujtuar edhe momentet kur për herë të parë do ta zbulonte Selimin si piktor.
{gallery}
“Ka qenë befasi e jashtëzakonshme. Ka qenë viti 2016, kur Rexha ma dërgoi pikturën e tij të parë, e cila gjendet këtu. Ma nisi në telefon. Isha diku larg, më duket në Shqipëri. Dhe më tha: ‘Çka mendon për këtë piktor?’ Unë e shikova pikturën me vëmendje. I analizova elementet e saj dhe me aq sa kam njohuri edhe për artin tonë kosovar, sidomos për modernistët tanë të viteve ’70, ‘80, thash kjo me siguri duhet të jetë një pikturë e Simon Shirokës, për shkak të elementeve që ajo përmban”, ka bërë të ditur ai.
Konjufca ka thënë të jetë habitur kur Selimi i kishte thënë: ‘Ky piktor jam unë’ sepse deri më atëherë, bashkëpartiakun e tij e kishte njohur vetëm si muzikant a poet. Para të pranishmëve ai ka shpalosur edhe njohuritë e tij për artin dhe faktin se si kjo kishte ndikuar edhe më që ai të habitej.
“Kjo ishte një tronditje për mua sepse çdo gjë që dija për artin dhe ato të cilat i kam lexuar m’i sfidoi meqenëse konsiderohet që përafërsisht arti është, në një dimension specifik të tij, shumë i afërt edhe me shkencën. Dhe ajo ku teoricienët e lidhin artin me shkencën është impulsi i hershëm gjenerik i krijimit artistik. Domethënë momenti kur shpërthen dhe ka nevojë të shprehet është mjaft i hershëm. Dhe kjo ishte në moshën e mesme të Rexhës e kjo ishte pak e çuditshme sepse të fillosh të pikturosh në moshë 45-vjeçare, e ta kesh bartur këtë kapacitet brenda vetes në momentin kur është aktualizuar ajo, është me të vërtetë e çuditshme, por edhe e admirueshme në të njëjtën kohë”, është shprehur Konjufca.
Për një fjalë rasti para të pranishmëve u paraqit edhe Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit.
“Sot nuk dua të flas shumë sepse më së miri flasin pikturat e ekspozuara. Krejt çka dua të tregoj është se më vjen mirë që edhe unë kam dhënë një kontribut të vogël në bartjen e këtyre pikturave nga Haga në Kosovë gjatë vizitave tona të përmuajshme atje”, ka thënë ajo, duke uruar që bashkëshorti i saj dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij të kthehen në Kosovë, sa më shpejt.
“Vlerën artistike të këtyre pikturave unë nuk mund ta jap, por këtë ekspozitë e bëjnë të veçantë koha dhe vendi ku janë pikturuar ato. Shumica e tyre janë realizuar në përballje me padrejtësinë. Në ndërkohë presim që Rexha dhe të akuzuarit e tjerë në Hagë të triumfojnë mbi padrejtësinë dhe të kthehen sa më shpejt në mesin tonë”, ka thënë ajo.
Ekspozita “Në garë me botën gri” do të qëndrojë e hapur deri më 4 dhjetor të këtij viti.