Vjen në një format krejt jokonvencional, duke e nxjerrë artin nga galeritë e duke e përfshirë atë te komuniteti. Por në fakt edhe personazhet e veprave artistike, në shikim të parë duken njerëz të zakonshëm. Por me projektin “Në duart e tona” të debutimit të “Biennales së Prishtinës” është tjetër histori. Me të shpalosen rrëfimet e grave të jashtëzakonshme, të cilat në vitet ’70, ‘80 e ’90, të vetme rritën fëmijët kur bashkëshortët e tyre morën botën për shkak të kushteve financiare, por edhe rrethanave politike. “Inspirimi ka qenë prej një familjareje e cila e vetme i ka rritur 9 fëmijë, kur burrin e ka pasur për 40 vjet në Frankfurt të Gjermanisë”, ka thënë Gazmend Ejupi, themelues i “Biennales së Prishtinës”
Njeriu bashkë me ndjenjat, përballjet dhe sfidat jetësore mund të shndërrohet në një rrëfim. Ndërkaq pasqyrimi i tij në art mund të bëhet edhe pa prezencën e drejtpërdrejtë të një artisti dhe të një kuratori i cili bën përzgjedhjen e veprave. Ky është koncepti i edicionit të parë të “Biennales së Prishtinës”, që hapat e parë tashmë i ka hedhur me projektin “Në duart e tona”.
Në periudhën kur nëpër botë aq zëshëm ngrihen diskutimet për të drejtat dhe rolin e gruas në shoqëri, një retrospektivë kohore për kontributin e gruas shqiptare është më se e duhur. Dhe sa herë të kapet një fije kujtese nga diskutimet familjare, përballja me ndonjë grua e cila i ka rritur fëmijët vetë, nuk është e rrallë.
Pikërisht këtë e synon edhe “Në duart e tona”, i cili ka ruajtur emërtimin origjinal prej thënies së njërës prej grave, e cila gjatë intervistës ka rrëfyer se si “në duart e tona” janë rritur të gjithë ata fëmijë.
Bashkë me zonjën anonime janë edhe plot gra të tjera – emrat e të cilave organizatorët s’i shpalosin –që në vitet ’70, ’80 dhe ’90 kanë triumfuar përballë vështirësive në mungesë të bashkëshortëve të tyre në sofrën familjare për shkak të emigrimit në tentim të përmirësimit të kushteve financiare.
Fati i njëjtë dhe triumfi përballë jetës
Te secila dallon numri i fëmijëve, ndërkaq ajo që e bashkon çdo grua me të njëjtin përjetim është fati i njëjtë. E tashmë, për t’i frymëzuar të tjerët, ato do të vijnë jo vetëm për artdashësit, por për krejt qytetarët, nëpërmjet fotografive të tyre, të cilat kanë filluar të zënë vend nëpër hapësirat publike të Prishtinës.
Dhe kjo veçse ka nisur në lagjen “Dardania”, ku pjesa e jashtme dhe e brendshme e një objekti banesor ka përbërë ndërhyrjen e parë artistike në kuadër të “Biennales së Prishtinës”.
Gazmend Ejupi, njëri nga themeluesit, në prononcimin e tij për KOHËN ka treguar se kjo nismë është totalisht e ndikuar nga qytetarët, e cila përfshin zgjedhjen e lirë të tyre për rrëfimin, fotografinë dhe lokacionin përbrenda lagjes ku duan të vendoset ajo.
“Inspirimi ka qenë prej një familjareje e cila e vetme i ka rritur 9 fëmijë, ku burrin e ka pasur për 40 vjet në Frankfurt të Gjermanisë”, ka thënë Ejupi, njëherësh drejtor i galerisë “Paper” në Prishtinë.
Thotë se ideja i kishte lindur kaherë, mirëpo gjeti realizim në mesditën e së hënës pas dy ditëve punë. E mundi u kurorëzua me vendosjen e fotografisë së gruas nga Prizreni, e cila i kishte e vetme 5 fëmijë. Me një shikim hijerëndë, që duket sikur tenton të godasë të ardhmen enigmatike, portreti i saj ka marrë vëmendjen e banorëve, të cilët vetë e kishin përzgjedhur rrëfimin e saj.
Brenda fytyrës së saj, çdo rrudhë duket sikur është një fije e dhimbjes së kaluar në vetmi, por edhe e fuqisë femërore atëherë kur triumfi duhet të garantohet për hir të vetes dhe të tjerëve.
“Është mahnitëse, sepse mënyra kur tregon është sikur një menaxhere e kompanie CEO. Familjen e ka menaxhuar në atë mënyrë që s’është dashur të ketë gabime”, ka përshkruar Ejupi.
Poshtë çdo fotografie, që do të zërë vend në hapësirat publike të Prishtinës, do të jetë edhe ai që në gjuhën e teknologjisë quhet QR Code, i cili çon te teksti i konceptit të “Biennales”.
“Bukuria e gjithë kësaj është diçka pozitive”, ka thënë Ejupi, teksa ka shtuar se kjo është më shumë frymëzuese sesa diçka nga copëzat e dhimbshme të pritjes së tyre.
“Mbinjerëzorja” si fryt i forcës
Gazmend Ejupi ka thënë se kjo nismë sa është e thjeshtë, aq është edhe e komplikuar. Ndërkaq për të, në përpjekjen njerëzore për njohje të së kaluarës, “imazhet janë fuqia më e madhe”.
Ndërkaq ky projekt hyn edhe më thellë përtej pjesës së jashtme të lagjes së tyre, duke depërtuar edhe në qoshet më të afërta me vendin ku banojnë. Ashensori i objektit të njëjtë në të katër anët është mbështjellë me imazhe e rrëfime. Në tri gjysmëkëndet shtrihet koncepti i “Biennales”, e cila bëhet një dëshmi historike e shikimit të dy grave të tjera, të cilat janë prezente me fotografitë e tyre.
Në njërin kënd shihet njëra me shikim të thellë drejtuar një pike, që si duket e rikthen në të kaluarën e saj. Ndërkaq në tjetrën, reagimi i fytyrës i ndërron. Rreth syve që ende kërkojnë përgjigje për pikëpyetjet e kohës, tanimë rrudhat ngrihen dhe fytyra i buzëqesh.
E në derën e ashensorit përveç përshkrimeve të shumta konceptuale, të cilat ndërrojnë sa herë që kalohen katet e apartamentit, shfaqet edhe gruaja me duar afër pjesës së poshtme të fytyrës. Me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, zonja flokëshkurtër gjendet mes lutjes dhe falënderimit. Me kuptimin që “lexohet” nga shkrepja e atij momenti, sërish “dëshmon fuqinë mbinjerëzore”, siç edhe e përshkruajnë organizatorët.
Banorët e po të njëjtit objekt do të takohen edhe me portretet e dy grave të tjera e rrëfimet e tyre që bashkohen në një pikë: të vetme rritën fëmijët
“Nëse zgjohet në mëngjes, hip në ashensor, e sheh një imazh, një koncept. Del jashtë nga objekti, e sheh prapë një. Në qytet një taxi e ka një imazh tjetër, që e ka rolin e imazhit lëvizës”, ka treguar Ejupi, duke theksuar se kjo përmirëson edhe gjendjen emocionale të ditëve të zymta pandemike.
Pavarësisht që organizatorët nuk shpalosin shumë detaje për vendndodhjet e sakta të ndërhyrjeve të ardhshme artistike, ata kanë treguar se përtej apartamenteve, edhe një kompani taksish dhe treni janë pjesë planifikuese e “pushtimit” me sytë, duart dhe reagimet e fytyrave të këtyre grave.
E pjesa më sfiduese, sipas Ejupit, është intervistimi i grave.
“Mënyra se si ne intervistojmë është shumë e thjeshtë, mirëpo po e rikthen njeriun në vitet ’70, te diçka që ndoshta nuk e ka menduar më parë, atëherë po ndryshon qasja”, ka thënë ai.
“Galeria” e historive frymëzuese
Megjithatë, Ejupi zbulon se minimalisht Prishtina do t’i ketë 12 imazhe të tilla, të cilat, sipas tij, pasqyrojnë “idenë e një galerie të hapur”.
“Për të sjellë njerëz në galeri është problem, nëse e sjell galerinë brenda ndërtesës nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të përballet me veprën”, ka thënë artisti, udhëheqës i galerisë, e cila ndonëse ka pak kohë që u hap, u bë pikë reference në Prishtinë.
Ejupi ka treguar se nuk ekziston një datë e caktuar kur pritet të përfundojnë këto ndërhyrje, mirëpo fundi i vitit të ardhshëm pritet që të jetë përmbyllja e tij.
“’Biennalja’ besoj që ka me qenë një prej atraksioneve kulturore goxha të mëdha, për të dhënë një motiv e mesazh te gjeneratat e reja se nuk ka limit në art”, ka thënë ai. Zbulon se ka pasur raste kur gratë kanë hequr dorë nga publikimi i rrëfimeve të tyre për shkak të historive sensitive.
Mirëpo, ata të cilët do të përballen për çdo ditë me këto ndërhyrje të “Biennales së Prishtinës” do të jenë vetë banorët. E ata të lagjes “Dardania” e kanë mirëpritur këtë nismë.
“E vlerësoj Gazmend Ejupin për temën që e ka bërë për nënat e mëhershme që kanë pasur jetë mjerimi, i kanë rritur fëmijët e vegjël”, ka thënë Zyrafete Jashanica, banore e lagjes. Nuk harron ta theksojë se gratë kanë qenë të papërkrahura. E vlerësimin e njëjtë për këtë nismë e ka edhe Irena Bryma, po ashtu banore e lagjes.
“Gazmendi është artist tepër i talentuar, e falënderojmë pa masë që i ka dhënë pamje të bukur komplet pallatit”, ka thënë Bryma.
Synimi i “Biennales së Prishtinës” është që në edicionet e ardhshme të zgjerohen edhe në qytetet e tjera, duke i bërë hapësirat publike dhe komunitetin të përfshihen drejtpërdrejt në art.