Përderisa është në pritje të lejes nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Komuna e Prishtinës ka rifilluar punimet për sheshin “Xhorxh Bush”, të cilat autoritetet e trashëgimisë kulturore i kanë ndaluar siç kishin bërë edhe rreth një muaj më parë. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Policisë për të hapur rast. Sheshi tashmë është shndërruar jo vetëm në hapësirë punimesh pa leje e ndalimesh, por ka thelluar edhe përplasjen midis qeverisë lokale dhe institucioneve qendrore
Tentimi i Komunës së Prishtinës për të implementuar projektin për sheshin “Xhorxh Bush” ka hyrë në episodin e radhës. Seriali i përplasjeve midis Komunës dhe institucioneve të trashëgimisë kulturore ka vazhduar edhe të martën. Institucioni lokal ka provuar edhe njëherë të zhvillojë punime duke i rinisur ato një muaj pasi i ishin ndaluar. E Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore është kundërpërgjigjur me një masë tjetër ndalimi. Në raste të tilla, Inspektorati praktikon që të ushtrojë edhe kallëzim penal në Policinë e Kosovës. Krejt kjo për mospërfillje të Ligjit për trashëgimi kulturore nga ana e menaxhmentit të kryeqytetit.
Kompania e angazhuar nga Komuna e Prishtinës paraditen e së martës ka bërë zhvendosje të rrethojave të vendpunishtes. Më pas me mjete të rënda ka nisur që të largojë kubëzat e vendosura midis korsive të dikurshme në këtë hapësirë.
Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë është alarmuar dhe i është drejtuar Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore me një shkresë duke e njoftuar se ka ndërhyrje të paautorizuara midis katër monumenteve dhe brenda zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës.
Kryeinspektori Imer Hakaj së bashku me inspektorët Xheladin Krasniqi dhe Pajtim Zogaj kanë nisur inspektimin në orën 16:05. Kanë vërtetuar se në vendpunishte kanë nisur punë të paautorizuara. Inspektori Zogaj ka nisur hartimin e Procesverbalit të inspektimit. Një nga përfaqësuesit e kompanisë punëkryese ka deklaruar se ka marrë udhëzime për të bërë punë përgatitore, jo strukturore. Po ashtu ka deklaruar se nuk ka njohuri se bëhet fjalë për zonë të mbrojtur.
Në ditën e 12 të marsit punimet ishin ndalur afër hotelit “Grand”. Të martën kanë rinisur afër “Radio Kosovës”. Sipas procesverbalit, punimet kanë nisur përkundër ndalimit të mëhershëm.
“Urdhërohet ndalimi i punimeve. Obligohet pala për ta respektuar vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore”, shkruhet në Procesverbal. Po ashtu punëkrytesve u është prezantuar edhe vendimi i ndalimit të punimeve që daton një muaj më parë. Procesverbali është nënshkruar nga palët në orën 16:20. Krejt kjo është bërë nën shoqërim të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Kryeinspektori Imer Hakaj dhe inspektori Pajtim Zogaj e kanë lënë që sot (e mërkurë) të shkojnë në Polici për ta hapur këtë rast. Hakaj është deklaruar shkurt për KOHËN pas inspektimit.
“Sot kemi pranuar një kërkesë nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë që na ka njoftuar se Komuna ka rifilluar punimet edhe përse kërkesën e kanë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”, ka thënë Hakaj.
Ka sqaruar se afati ligjor i IKMM-së për kthim të përgjigjes është deri sot (e mërkurë). Komuna pas ndaljes së punimeve për herë të parë, pak ditë më pas kishte dorëzuar projektin për shqyrtim në IKMM. Komuna ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale për implementimin e këtij projekti nëpërmjet një kontrate që peshon 18.4 milionë euro.
“Jemi obliguar që prapë të marrim veprime dhe bashkë me inspektorët kemi lëshuar procesverbalin dhe kemi vendosur shenjën zyrtare dhe janë ndalur punimet deri në përgjigjen e institucioneve kompetente”, ka thënë Hakaj.
Gjatë procesit të ndaljes së punimeve në vendngjarje ka arritur edhe drejtori i Drejtorisë së Transformimit në kryeqytet, Gëzim Kastrati. Por ai nuk ka dashur që të flasë për zhvillimet e reja.
Rinisja e punimeve bie ndesh me Ligjin për trashëgimi kulturore.
Komuna e Prishtinës në pesë muajt e fundit ka nisur implementimin e tri projekteve në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore pa përfillur ligjet në fuqi për pajisje me pëlqimet e nevojshme. Në dy vendpunishte i janë ndaluar punimet. Madje në “Xhorxh Bush” për të dytën herë. Në një prej tyre është duke u zhvilluar projekti. Pos këtyre, Komuna është edhe në një procedurë tenderimi për një projekt që ia kanë refuzuar institucionet e trashëgimisë kulturore. Krejt bashkë kanë peshë financiare mbi 30 milionë euro. Komuna tashmë për këto projekte veç ka nënshkruar marrëdhënie kontraktuale në vlerë mbi 25 milionë euro. Pos kësaj këto projekte janë shndërruar në betejë ligjore midis Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.
Në ditën e dhjetë të këtij muaji sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Bislim Bislimi, në konferencë për media kishte bërë me dije se Ministria e Kulturës ka kërkuar nga Departamenti i Hetimeve i Policisë së Kosovës që të nisë hetime ndaj Komunës së Prishtinës për ndërhyrje pa leje në sipërfaqe dhe zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore e po ashtu edhe për keqpërdorim të parasë publike.
Sekretari Bislimi, derisa ka numëruar projekte, kishte thënë se Komuna e Prishtinës “siç duket me qëllim është duke e shmangur ligjin”.
Në këtë rast kishte përmendur zhvillimin e projektit, prokurimin e tij dhe nisjen e zbatimit të punëve për “Ishullin Urban Arbëri-Pallati i Rinisë”. Punimet kishin nisur në nëntor të vitit të kaluar pa leje të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Vlera e kontratës së nënshkruar është 6.5 milionë euro. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore kishte ndalur punimet. Më pas Komuna kishte dërguar projektin për shqyrtim në IKMM, por nuk qe miratuar.
Bislimi kishte përmendur projektin e sheshit “Xhorxh Bush” që po ashtu në mars të këtij viti ka nisur pa kërkuar pëlqim nga IKMM-ja.
Për ndërhyrjen e planifikuar në rrugën “Agim Ramadani”, Komunës i është refuzuar projekti nga IKMM-ja por institucioni lokal po zhvillon procedurat e prokurimit me vlerë të parashikuar 6 milionë euro.
Bislimi kishte përmendur po ashtu punimet në rrugën “Rexhep Luci” pa kërkuar fare pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Kontrata e këtij projekti është 1.3 milion euro. Po ashtu në këtë rast Gjykata Komerciale ka shfuqizuar vendimin e Komunës deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Pavarësisht kësaj, punimet vazhdojnë.

Të gjitha këto projekte zhvillohen brenda zonës mbrojtëse të monumenteve e po ashtu të Qendrës Historike të Prishtinës.
“MKRS-ja konsideron se këto veprime derisa janë të përsëritura i vlerëson si të qëllimshme nga ana e Komunës së Prishtinës dhe me precedent të rrezikshëm për palët e tjera në Republikën e Kosovës duke inkurajuar paligjshmëri dhe rrezik të drejtpërdrejtë për vlerat e trashëgimisë kulturore, si vlera të mbrojtura me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi”, kishte thënë sekretari Bislimi. Sipas tij veprimet e Komunës, përveç të kundërligjshme në kuptimin e dispozitave të Ligjit për trashëgimi kulturore, janë të parashikuara edhe me Kodin Penal si vepra penale. Kishte përmendur se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë veprimet e parapara me ligj.
“Nga ana tjetër, deri më tani MKRS-ja ka referuar dy shkresa të arsyetuara në organet e ndjekjes penale në Republikën e Kosovës për veprime të kundërligjshme nga Komuna e Prishtinës”, kishte sqaruar Bislimi. Po ashtu kishte përmendur ushtrimin e kallëzimit penal për “Ishullin Urban Arbëri – Pallat i Rinisë” dhe kërkesën për fillimin e hetimeve në Departamentin e Hetimeve në Policinë e Kosovës për projektin e sheshit “Xhorxh Bush”.
“MKRS-ja vlerëson se derisa kemi një shumë financiare dhjetëra milionëshe të krijuar si detyrim kontraktual në projekte që janë në shkelje të ligjeve në fuqi nga Komuna, konsideron se kjo po ashtu paraqet rrezik për shkaktimin e qëllimshëm të situatave kur këto shuma do të konsideroheshin të përmbarueshme nga operatorët ekonomikë duke ia shkaktuar një dëm dhjetëra milionësh buxhetit të Komunës”, kishte thënë Bislimi.
Në kërkesën ndaj Policisë së Kosovës për të zhvilluar hetime ndaj Komunës, Ministria e Kulturës ka përmendur të gjitha rastet. Kishte sqaruar se Ligji për trashëgimi kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime afër monumenteve duhet leje me shkrim.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për trashëgimi kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Në kërkesën për hetime sqarohet se, sipas Ligjit për ndërtim në zonat e mbrojtura, nuk japin leje ndërtimore komunat por Ministria e Ambientit. Sipas MKRS-së, Komuna e Prishtinës nuk ka përfillur as këtë ligj, duke bërë shkelje të njëpasnjëshme. Përfaqësuesit e MKRS-së mosndaljen e punimeve në rrugën “Rexhep Luci” e kanë arsyetuar me vendimin e Gjykatës Komerciale nëpërmjet së cilës qe shtyrë ekzekutimi i vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për mbylljen e kësaj rruge.