Kulturë

Ndalohen punimet pa leje në “Xhorxh Bush”, Komuna synon të vazhdojë

Sheshi "Xhorxh Bush"

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore të mërkurën ka vënë shenjën për ndalimin e punimeve për projektin 18.4 milionë euro, për sheshin “Xhorxh Bush”, të nisura të hënën. Inspektorati ka vënë shiritin në një pjesë të hapësirës. Me nisjen e punimeve, kanë nisur edhe përplasjet midis autoriteteve lokale e qendrore

Foto: Driton Paçarada

Masa e ndalimit të punimeve për sheshin “Xhorxh Bush”, nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore është e prerë: Ndalohen punimet. Por Komuna e Prishtinës s’e ka ndërmend ta respektojë. Përderisa ka 30 ditë afat që të pajiset me leje, sipas autoriteteve komunale, në këtë fazë s’ka nevojë për të. Përplasja e Komunës së Prishtinës me institucionet e trashëgimisë kulturore është në pikën më të lartë të mundshme. Projekti për sheshin “Xhorxh Bush”, që peshon 18.4 milionë euro, është i treti prej intervenimeve të mëdha në kryeqytet, për të cilin s’ka pajtim midis palëve

Përderisa paraditen e së mërkurës Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndaluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, në mbrëmje zyrtarët komunalë kanë thënë se ato do të vazhdojnë. Për investitorët – Komunën e Prishtinës – në fazën e parë të punimeve s’ka nevojë për leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore, megjithëse projekti zhvillohet brenda Qendrës Historike të Prishtinës dhe midis katër monumenteve. 

Por masa e ndalimit të punimeve nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore është e prerë: Ndalohen punimet. 

Përplasja e Komunës së Prishtinës me institucionet e trashëgimisë kulturore është në pikën më të lartë të mundshme. Projekti për sheshin “Xhorxh Bush” është i treti prej intervenimeve të mëdha në kryeqytet, për të cilin s’ka pajtim midis palëve. Por në këtë rast, Komuna s’ka bërë ende hapin e parë që i takon me ligj: kërkesën për miratim të projektit tek Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. 

Por edhe disa orë pasi janë ndaluar punimet, Komuna ka vazhduar duke vendosur rrethoja te Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Në mbrëmje ka njoftuar se aty do të zërë vend sheshi “Erhard Busek”, dhe një mbledhje e jashtëzakonshme për emërtimin e tij do të mbahet të enjten.

30 ditë afat për pajisje me leje

Ora 11:30 e së mërkurës i ka gjetur bashkë para hotelit “Grand” drejtorin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Imer Hakaj, inspektorët Xheladin Krasniqi e Pajtim Zogaj, drejtoreshën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Edona Dërguti, dhe drejtorin e Drejtorisë së Transformimit në kryeqytet, Gëzim Kastrati. Pas një diskutimi të shkurtër, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka vënë shenjën për ndalimin e punimeve për projektin e nisur të hënën, që peshon 18.4 milionë euro. Inspektorati edhe e ka vënë shiritin në një pjesë të hapësirës. Më pas, drejtori Gëzim Kastrati ka shkuar bashkë me inspektorët në zyrat e Inspektoratit, ka dhënë deklaratë, ka nënshkruar procesverbalin dhe ka marrë një kopje të këtij dokumenti. 

“Punimet kanë filluar gjatë vikendit, ku është bërë rrethimi i vendpunishtes. Në këtë hapësirë do të ndërtohet sheshi ‘Xhorxh Bush’. Hapësira ku po zhvillohen punimet gjendet brenda hapësirës së aseteve të Qendrës Historike të Prishtinës, hotelit ‘Grand’, Rektoratit dhe Radio Prishtinës. Për këto punime ende nuk është adresuar kërkesë për pajisje me leje në institucionet e trashëgimisë kulturore, ndërsa nga pala u njoftuam se janë pajisur nga Komuna e Prishtinës me pëlqim për lejimin e punimeve”, shkruhet në Procesverbal sa i përket konstatimit të gjendjes faktike. Po sipas këtij Procesverbali, drejtori i Transformimit në kryeqytet, Gëzim Kastrati, ka deklaruar: “Punimet i kemi filluar mbi bazën e pëlqimit për lejimin e zhvillimit të punëve ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit, Komuna e Prishtinës. Do t’i ndjekim procedurat për pajisje me miratim edhe nga institucionet e trashëgimisë kulturore”. 

Te masa e marrë qartësohet se është bërë ndalim i punimeve. 

“Ndalohen punimet. Vendosen shiritat dhe shenjat zyrtare. Obligohet pala që të pajiset me leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore në afatin prej 30 ditësh”, shkruhet në Procesverbalin e mbyllur në orën 12:40. 

Procesverbali është dokument zyrtar dhe masa e shqiptuar është aktive prej atij momenti. Në raste të tilla, Inspektorati brenda një periudhe dy-treditore e pajis palën edhe me vendim të ndalimit të punimeve e po ashtu aty ka edhe këshillë juridike për afat ankimor. 

Në mbrëmje Ministria e Kulturës ka njoftuar se Inspektorati ka ndalur punimet dhe se do të mbajë publikun të informuar për veprimet e mëtutjeshme në procedurë.

Akuza për standarde të dyfishta

Gjatë ditës, disa drejtorë të Komunës së Prishtinës vendimin e Inspektoratit e kanë përshkruar si politik. Këtë e ka bërë edhe drejtori i Drejtorisë së Transformimit, Gëzim Kastrati. 

“Kjo qasje bllokuese është puro politike! Ka tendencë që projektet e Prishtinës të bllokohen me çdo kusht!”, ka thënë ai për KOHËN. 

Në mbrëmje tre zyrtarë komunalë kanë mbajtur konferencë për media. Përderisa një zëdhënës ka folur për qasje politike, dy drejtorë kanë folur për anën profesionale e ligjore. 

Drejtori i Planifikimit Strategjik, Arbër Sadiki, ka thënë se situata e së mërkurës ishte e papritur. 
“Ne do të ulemi dhe bashkë me zyrën ligjore do të shohim se cilat janë kompetencat e institucionit gjegjës për të marrë masat radikale që ka marrë”, ka thënë ai. Sipas Sadikit, punët të cilat i kanë paraparë me projektin në fjalë, jo që nuk cenojnë asetet e trashëgimisë kulturore, përkundrazi, kontribuojnë që asetet e trashëgimisë arkitekturore të jenë pjesë e pandashme të qytetit, të kenë mundësi të vizitohen, të shihen e të jenë të qasshme. Ka thënë se qasje të tillë ka në të gjitha agjendat bashkëkohore të trashëgimisë arkitekturore ku bëhen intervenime të kësaj natyre që këto ndërtesa të jenë pjesë e qytetit dhe të jenë interaktive me njerëz. Sipas tij, pajisja me leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore bëhet sa u përket projekteve që cenojnë pamjen e monumenteve. 

“Me intervenimet e natyrës së dyshemesë nuk e di si cenohet ndërtesa, përkundrazi hapim perspektiva për t’i shijuar ato ndërtesa. Nëse pretendojnë se edhe për gjëra të tilla të merren pëlqime, ne nuk e kemi problem të merremi edhe me atë proces”, ka thënë ai. Ka shtuar se s’ka kampus Universitar e as Bibliotekë Kombëtare ku futen makinat. Ka sqaruar se projekti veçse ia jep rëndësinë e duhur Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ka përmendur se edhe me projektin e vitit 1971 për kampusin universitar ishte paraparë që të jetë hapësirë e studentëve dhe qytetarëve e pa makina brenda.

Disa orë pasi janë ndaluar punimet, Komuna ka vazhduar duke vendosur rrethoja te Biblioteka Kombëtare e Kosovës (Foto: Driton Paçarada) 

Drejtori i Drejtorisë së Transformimit, Gëzim Kastrati, ka thënë se Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve është duke punuar me standarde të dyfishta. Ka thënë se janë zhvilluar punime te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Por në realitet Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndaluar punime të kësaj ministrie, të asaj së Infrastrukturës, madje edhe të Ministrisë së Kulturës, institucion nën hierarki të të cilit është vetë Inspektorati. 

I pyetur nëse do të bëjnë kërkesë për marrje të lejes për punime, Kastrati është përgjigjur prerazi: “Patjetër”. Por shpejt ka shtuar edhe diçka tjetër. 

“Projekti i ka shtatë faza. Faza e parë nuk ka nevojë për leje, pasi jemi duke intervenuar në infrastrukturë nëntokësore, në kanalizim e ujësjellës. Në fazën e dytë normal që kemi me pasë kërkesë në institucionet përkatëse”, ka thënë ai. Ka bërë të ditur edhe diçka.

Për Komunën “...punimet vazhdojnë”

“Punimet vazhdojnë pasi Drejtoria e Urbanizmit ka lëshuar leje për punime, ndërsa ne ende nuk kemi hyrë tek asetet e mbrojtura”, ka thënë ai. Nëse Komuna vazhdon punimet – bazuar në raste të tjera – hapi i radhës i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore mund të jetë njoftimi i organeve të zbatimit të ligjit dhe ushtrim i kallëzimit penal. 

Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime afër monumenteve duhet leje me shkrim. 

“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore, kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.

“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9. 

Ligji specifikon edhe zonën e mbrojtur përreth monumenteve. 

“Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose ngushtohet dhe përcaktohet në planin e institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me nenin 2 të Ligjit nr. 2003/14 për planifikim hapësinor, shkruhet në nenin 6 të ligjit. 

Komuna ka përvojë jo të vogël të lidhjes së kontratave e nisjes së punimeve pa marrë pëlqimet e përcaktuara me ligj nga institucionet e trashëgimisë kulturore. 

Është hera e dytë që Komuna e Prishtinës nis zbatim projektesh pa u pajisur me leje nga IKMM-ja. Vjet Komuna kishte nisur realizimin e “Ishullit urban Arbëri - Pallati i Rinisë” duke manovruar me vendin ku planifikohej të nisnin punimet. Tabelat informuese për projektin Komuna i kishte vendosur matanë hekurudhës e rrugës automobilistike. Aty qenë pozicionuar edhe mjetet e rënda për të inauguruar punimet. Por, hekurudha është vija kufitare midis “Arbërisë” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.

Meqenëse edhe Pallati i Rinisë dhe Sportit mbrohet si monument, Inspektorati i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i kishte ndalur punimet që me vënien e tabelave, pasi Komuna s’kishte përfillur përcaktimet ligjore për marrjen e pëlqimeve nga institucionet e trashëgimisë kulturore. 
Pasi i ishin ndërprerë punimet, nëpërmjet të cilave Komuna po bëhej gati për inaugurim të fillimit të projektit, institucioni kishte gjetur një zgjidhje: kishte zhvendosur tabelat matanë rrugës e hekurudhës dhe i kishte nisur punimet në “Arbëri”. E më pas kishte aplikuar për pëlqim, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka refuzuar projektin, me arsyetimin se është duke u hartuar Plani i Konservimit të Zonës Historike të Prishtinës dhe se projekti i Komunës duhet rishikuar. Komuna është ankuar për këtë vendim. Projekti ka kosto 6.5 milionë euro dhe mbi një milion tashmë i janë paguar kontraktuesit, megjithëse puna nuk vazhdon. “Ishulli...” kalon edhe nëpër hapësirën e dedikuar për Teatër të Operës dhe Baletit.

Ministria e Kulturës ka ushtruar kallëzim penal për këtë rast ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për “cenim të 2.5 milionë eurove”, sa kushton projekti për Teatër të Operës dhe Baletit. 
Ka qenë fillimi i shkurtit kur u prezantua projekti ideor për Teatrin e Operës dhe Baletit, me kosto prej 2 milionë e 450 mijë eurosh e MKRS-ja bëri të ditur se ka ushtruar kallëzim penal për kryetarin Përparim Rama. 

Komunës, IKMM-ja nuk ia ka miratuar as projektin për nënkalim në rrugën “Agim Ramadani”. Por, pavarësisht kësaj, të martën ka hapur tender në vlerë të parashikuar 6 milionë euro për këtë projekt. Tentimi për të nënshkruar kontratë me punëkryes pa u pajisur me miratim projekti nga IKMM-ja është hap në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore.