Nuk ishte paraparë që interpretimi të bëhej në errësirë e nën drita të telefonave mobilë. Këto momente ishin jashtë skenarit në koncertin e Ansamblit Vokal të Filarmonisë së Kosovës në Prishtinë. Ishte performancë e detyrueshme, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike. Rastet si ai i së shtunës mbrëma veç sa i japin formë edhe më shumë kërkesës për kushte më të mira për institucionin muzikor
Paraqitja e parë e Ansamblit Vokal të Filarmonisë së Kosovës në Prishtinë është menduar të sjellë risi për publikun. Por, u tejkalua ajo që planifikohej. Nuk ishte paraparë që interpretimi të bëhej në errësirë e nën drita të telefonave mobilë. Këto momente ishin jashtë skenarit. Ishte performancë e detyrueshme, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike. Rastet si ai i së shtunës mbrëma veç sa i japin formë edhe më shumë kërkesës për kushte më të mira për institucionin muzikor. Okteti i dyfishtë, bashkë me dirigjentin Hajrullah Syla, kishin punuar goxha shumë për të sjellë një paraqitje më bashkëkohore, që e linte pas periudhën e klasicizmit, me të cilën rëndom paraqitet Kori i Filarmonisë. Testin e kishin kaluar me vlerësime pozitive në sallën kamertale të Filarmonisë së Shkupit, ku si formacion i veçantë patën edhe debutimin më 24 shkurt, para rreth 100 vetash. Programin e njëjtë nën dirigjim e Hajrulla Sylës nisën ta interpretonin edhe në Prishtinë, të shtunën, në Kishën “Shën Ndou” në “Ulpianë”.
Që me interpretimin e dy veprave të para, Ansambli bindi publikun se Filarmonia duhet të mendojë më shumë për eksplorime të tilla me repertorin e saj. Rreth 50 veta dëgjonin me vëmendje koristët të cilët me lirshmëri sollën fillimisht veprën “Exsulate Deo” të Alessandro Scarlatit. Te e dyta, “Veni creator Spitritus” të Anthony Bernaduccit, zërave iu bashkua edhe anëtari i Orkestrës së Filarmonisë, Patris Berisha, duke luajtur në perkusione. E vepra e tretë ishte një dramë në vete. Për një moment, ndalja e dritave do të mund të shihej edhe si një ndërhyrje në skenografi, por në fakt e gjithë situata në vazhdim shpërfaq vështirësitë me të cilat Filarmonia ka dekada që përballet. Minikori ishte në fillim të interpretimit të veprës “O Magnum Mysteriu” të kompozitorit Harullah Syla kur mbeti në errësirë bashkë me violonçelistin Antoni Gashi, që u ishte bashkuar. U deshën rreth pesë minuta për t’u kthyer energjia elektrike dhe për të ridalë në skenë. Ia nisën nga e para interpretimit të së njëjtës vepër, por nuk shkoi gjatë dhe mbetën në errësirë. Kësaj radhe për disa sekonda. Duke mos dashur ta ndërprisnin interpretimin, koristët nisën t’i ndiznin dritat e telefonave, e njëlloj veproi edhe publiku, duke krijuar kështu një ndriçim të zbehtë brenda hapësirës.
E gjithë kjo katrahurë midis hapësirës së ftohtë sikur preu me teh mbarëvajtjen e koncertit. Shqetësimi ishte i dukshëm edhe në fytyrat e koristëve. Sidoqoftë, shpejt ia dolën ta marrin veten. Në momentet e fundit para koncertit, publikut i ishte bashkuar edhe dirigjenti nga Shqipëria, Gridi Kraja.
“Ishte një nga rastësitë më të jashtëzakonshme dhe e them pa tepri, pasi që përjetuam një koncert me të vërtetë fantastik, me një ansambël koral të jashtëzakonshëm, me një repertor të jashtëzakonshëm... Nëse e kupton zanatin e kupton që dirigjenti Hajrullahu ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe organizimi e gjithçka ishin fantastike. Kam parë një koncert, të them nga më të mirët që e kam parë në jetën time dhe nuk e ekzagjeroj”, ka thënë ai. Sipas tij, problemet si ato me energjinë elektrike theksojnë që Filarmonia qartazi ka nevojë për një shtëpi të veten.
Duke qenë në një numër më të vogël, koristët dëgjoheshin më mirë dhe loja e tyre vokale dilte me shumë elegancë në pah.
Veprat si “Ubi Caritas” e Ola Gjeilo, “Who is Wise” e Jeffrey Douma, “Oeia” e Mendi Mengjiqit dhe “Ngana” e Stephane Leek, për interpretimin e së cilës koristëve iu bashkua përsëri Patris Berisha, ishin kompozimet që u dëgjuan më pas.
Në mes të programit, publiku u njoftua përsëri për një pauzë të shkurtër për shkaqe teknike. Me shpejtësi u rregulluan disa drita aty-këtu dhe pas disa minutave nisi pjesa e dytë e koncertit. Erdhi vepra “Water Night” e Eric Whitacre.
Sopranoja Adelina Thaçi, e cila e përcolli koncertin, ka thënë se Filarmonia e Kosovës i është kundërpërgjigjur në mënyrë të duhur pandemisë, duke prezantuar Ansamblin Vokal. Sipas saj, në këtë formacion respektohen masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, si dhe vihet në pah potenciali që është brenda korit.
“Mendoj që këta veç e kanë sjellë këtë trend dhe po e praktikojnë dhe besoj që edhe në të ardhmen kanë me e praktiku, pasi që ka program të bollshëm për këto formacione. Koncerti ishte i mrekullueshëm, natyrisht kur vjen nga profesionistët siç janë anëtarët e Filarmonisë së Kosovës, në këtë rast Ansambli me një program shumë të përzgjedhur. Jemi kënaqur”, ka thënë ajo, duke e veçuar përmbajtjen atraktive.
Okteti i dyfishtë, në përbërje të 8 grave dhe po aq burrave, e përmbylli koncertin në mënyrë mjaft inovative, me “Water Fountain”. Për interpretimin e veprës së Nathaniel Brenner dhe Merrill Garbus, Ansamblit iu bashkuan Patris Berisha në perkusione dhe Astrit Stafai në kitarë.
Dirigjenti Hajrullah Syla koncertin si të plotë e ka cilësuar shumë të mirë, ani pse rrethanat ndikuan në humbjen e përqendrimit në fillim të koncertit, por që ai në krye me koristët ia dolën shumë mirë të përmblidheshin në pjesën e dytë.
“Kualiteti edhe sonte nuk ishte që mungoi, megjithatë ndikoi ajo ndërprerja e energjisë elektrike, e cila për një moment na çorientoi nga rrjedha e programit. Sigurisht që po të ishte sallë më e mirë energjia do të ishte edhe më e madhe se në Shkup”, ka thënë Syla.
Ansambli Vokal i Filarmonisë së Kosovës ia doli që ta mbante të zgjuar kureshtjen te publiku. Koristët plotësuan misionin e tyre, përkundër faktit se ngritja e cilësisë dhe sjellja e një rryme bashkëkohore vunë në pah problemin themelor: kushtet e duhura për anëtarët e institucionit më të lartë të muzikës në vend.
Folegjenda: Me gjithë errësirën shkaku i ndaljes së energjisë elektrike, Ansambli Vokal i Filarmonisë së Kosovës, në paraqitjen e parë në Prishtinë, e ka vazhduar interpretimin. Ky koncert, sikurse ai në Shkup, janë parë si tregues të një perspektive të re të anëtarëve të institucionit.
