Kulturë

“Ndal luftën” në monolog me lirinë

Në kërkim të lirisë individuale dhe asaj kolektive, artistja e njohur botërisht, Miriam Engel, nga Jerusalemi me “Ndal luftën” përpiqet të jetë e lirë në një gjendje ankthi. Për këtë duhet t’i dorëzohet besimit të verbër. Kur ndodhi konflikti midis Izraelit dhe Gazës, artistja Engel kishte qenë në një rezidencë artistike në Greqi. Për ta krijuar këtë performancë kishte nisur fillimisht t’i hidhte fjalët në letër. Më pas lëvizjet do t’i ndiqnin ato. Ardhja në Kosovë ka kuptime të shumëfishta jo vetëm për të

Ndriçimi është i fokusuar mbi trupin e shtrirë në dysheme. Artistja me të kuqe dallohet lehtë. Me kollitje jep shenjat e para. Nuk e ka të lehtë të ngrihet nga pozicioni ku është shtrirë. Kur skena ndriçohet më shumë, Miriam Engel bën lëvizjet për t’u ngritur. Dyshemeja është e gjitha me ngjyrë të bardhë. Siç edhe përshkruhet në program, Engel vjen në jetë me një monolog të pamëshirshëm për luftën, dhunën, humanizmin dhe dhembshurinë.

“Ndal luftën” titullohet performanca e artistes nga Izraeli që erdhi të mërkurën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të festivalit “FemArt”. Kur nis të flasë, fjalët e saj janë reflektim i plotë mbi lirinë. Lirinë e shpreh në aftësinë për t’u shprehur ashtu siç do ajo. “Trupi im është një tempull, kishë, xhami, sinagogë”, shprehet ajo mes lëvizjeve. Shton se trupi është e vetmja tokë që e zotëron. E përsërit se me trupin e vet mund të bëjë çfarë të dojë dhe pyetjen si ftesë për ta bërë të njëjtën ia drejton edhe publikut. Në lëvizjet më të shpeshta pohon se mund të marrë frymë. Në kërkim të lirisë individuale dhe asaj kolektive, Engel përpiqet të jetë e lirë në një gjendje ankthi. Për këtë duhet t’i dorëzohet besimit të verbër. Kur ndodhi konflikti midis Izraelit dhe Gazës, artistja Engel kishte qenë në një rezidencë artistike në Greqi. Për ta krijuar këtë performancë kishte nisur fillimisht t’i hidhte fjalët në letër. Më pas lëvizjet do t’i ndiqnin ato. Por e gjithë performanca erdhi si reflektim i një situate të pasigurt ankthi.

“E fillova si koncept për feminitetin, por pas disa ditësh ndodhi lufta në Izrael – si një histori e përgjakshme që përsëritet. Unë ndodhesha larg Izraelit dhe isha e brengosur për djalin dhe familjen time dhe fillova të reflektoja duke shkruar”, ka thënë Engel për KOHËN.

 

Miriam Engel, e lindur në vitin 1983 në Jerusalem që nga mosha 20-vjeçare u vlerësua me çmimin “Sharett”, të fondacionit kulturor amerikano-izraelit për kërcimtarë profesionistë. Në biografi i shkruan se është mbesa e pionieres Dora Mushanova, që u bë novatore e vallëzimit avangardë në Gjermani e Bullgari. Ajo ka bërë koreografi që nga viti 2008 dhe në vitin 2011 themeloi “Angela Dance Co”. me programe dhe projekte të kërcimit, komunitetit, trupit, artit dhe të performancës. Për të ka qenë emocionuese ta sjellë këtë performancë artistike në një vend që është përballur me luftën dy dekada më parë.

Sipas saj, “Ndal luftën” vjen si lëvizje nga të qenit në luftë si njeri dhe si grua.

“Këto tri pika lidhen në këtë performancë. ‘A jemi të lirë?’, është pyetja që unë e shtroj. Nuk kam marrë asnjëherë përgjigje dhe mendoj se arti funksionon kështu duke ngritur pyetje me zë të artë”, ka shpjeguar ajo për KOHËN.

Image
“E fillova si koncept për feminitetin, por pas disa ditësh ndodhi lufta në Izrael – si një histori e përgjakshme që përsëritet. Unë ndodhesha larg Izraelit dhe isha e brengosur për djalin dhe familjen time dhe fillova të reflektoja duke shkruar”, ka thënë Miriam Engel pas performancës “Ndal luftën” në “FemArt”

Performanca e cila vjen si një monolog e lëvizjeve të lehta të trupit reflekton mbi pyetjen se çfarë do të thotë të jesh njeri. “Ndal luftën” ofron një shprehje të humanizmit, aftësisë sonë të përmbushur, por jo për të dominuar, për të filluar kontaktin, pëlqimin, paqen. Për të shëruar.

Studenti i koreografisë Ilir Loku ka thënë se kjo shfaqje e ka bërë të kthehet te përjetimet e luftës e në aspektin profesional nga shfaqja mund të nxjerrë shumë mësime për vallëzimin bashkëkohor.

“Pjesën e danaceit bashkëkohor e kemi si lëndë të dytë. Gjatë shfaqjes arrita të kuptoj për luftërat që na kanë ndodhur neve si popull dhe popujve për rreth dhe lufta në Ukrainë. Shfaqje shumë e realizuar dhe 100 për qind e kuptueshme”, ka thënë Loku.

Shfaqjen “Ndal luftën”, koreografi Robert Nuha e kishte parë gjatë festivalit të vallëzimit bashkëkohor “Solo Dance Festival” në Ankara të Turqisë. Ai kishte insistuar që kjo shfaqje të vijë edhe në Kosovë në kuadër të “FemArt”. Si shfaqje me mesazhe të prekshme, minimaliste dhe koreografi të veçantë e ka vlerësuar ai performancën artistike të Engel.

“Shfaqja vjen në mënyrë shumë të veçantë në skenë. Pa u ndalur te kualitetet që i ofron shfaqja, që janë të nivelit botëror, por po flas për mënyrën e koreografimit që është shumë unike, aty minimalizmi e zë një vend shumë të veçantë që është një prej formave më të vështira të danceit bashkëkohor”, ka thënë koreografi Robert Nuha për KOHËN.

Engel ka pasur turne në Shanghai, Sofje, Milano, Johanesburg, Minsk, Duisburg, Kork, Irlandë, Kigali, Ruanda. Ajo shquhet si një artiste multlidisiplinare dhe sipërmarrëse aktive kulturore.