Kanë performuar në alamet skenash botërore e një ndjesi të tillë kanë sjellë edhe në Prishtinë në Festivalin ndërkombëtar të operës “Ramë Lahaj”. Sopranoja Leonor Bonilla, tenori Mert Süngü dhe baritoni Simon Mechliński, kanë ardhur me magjinë e këndimit. Kanë sjellë disa nga perlat e muzikës që mbizotëroi Evropën në fund të shekullit XVIII e në fillim të shekullit XIX
Bel cantoja nuk i ka shkuar vetëm si frymë e repertor i një epoke të caktuar, por etimologjia e këtij termi – që në esencë ka kuptimin e të kënduarit bukur – i ka shkuar fort “Natës së operës” në mbrëmjen e tretë të edicionit të tretë të Festivalit ndërkombëtar të operës “Ramë Lahaj”. Sopranoja Leonor Bonilla, tenori Mert Süngü dhe baritoni Simon Mechliński, janë bashkuar në Prishtinë në magjinë e këndimit. Kanë sjellë disa nga perlat e muzikës që mbizotëroi Evropën në fund të shekullit XVIII e në fillim të shekullit XIX. Treshja interpretoi vepra të Bellinit, Rossinit, Puccinit, Donizettit e të tjerë të kësaj rryme.
Qe baritoni Simon Mechliński ai që hapi koncertin të enjten mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, me fuqinë e “Ah! Per sempre io ti perdei” të operës “I Puritani” të kompozitorit të shquar italian, Vincenzo Bellini. Solli mjeshtërisht tingujt e gjatë, karakteristikë për këtë kompozitor.
Në po këtë nivel qe edhe sopranoja spanjolle, Leonor Bonilla. Nisi me këngën e njërit prej përfaqësuesve të bel cantizmit, Gioachino Rossini. Performanca e saj qe fantastike. Përveç zërit plot freski e ngjyrim, Bonilla sjell në skenë edhe virtuozitetin e një artisteje të rrallë. Mimikat e saj përçojnë tërë tematikën e asaj që këndon. Lëviz duart, ecën në sallë, mërzitet, bërtet por nuk harronte asnjëherë ta vesh fytyrën me një buzëqeshje që si me magji, rrëmbente zemrat e secilit në sallë. Interpretoi edhe vepra të tjera si “Linda di chamounix o luce di quest'anima”, nga Donizetti, “Je veux vivre” nga opera “Roméo dhe Juliette” të Charles Gounod e të tjera. Solli edhe dy duete. Ishte vepra “Pronta io son” nga opera “Don Pasquele” nga Donizetti ajo që e bashkoi me baritonin Simon Mechliński. Interpretimi i saj ka qenë si një shfaqje më vete. Bonilla fillimisht nis historinë për të vazhduar më pas me Mechlińskin. Ata sikur zhvillojnë një betejë fjalësh, një dialog i cili shkon deri në përzierje të plotë të tingujve, kur të dy solistët këndojnë pa u ndalur e pa i lënë vend tjetrit. Megjithatë, tollovia e dramatizmi që krijon kjo përzierje zërash, sjell atmosferë të rrallë.
Një performancë të veçantë solli edhe tenori me prejardhje turke, Mert Süngü. Interpretimin e nisi me “La donna e mobile”, një këngë e njohur veçmas në një interpretim të bërë nga i famshmi, Luciano Pavarotti. Pas kësaj ai solli edhe “La dansa”, plot ritëm e melodi, së cilës i dha hijeshi edhe më interpretimi plot vokal i Süngüt. E me një duet tjetër të aries “Tornami a dir che m'ami” të operës “Don Pasquale” erdhën Süngü e Bonilla. Për dallim nga dueti i parë që nis me qortime të forta ndaj njëri-tjetrit, kjo arie vjen krejt e butë, teksa reflekton dashurinë midis të dyve. Performanca përfundoi me një përqafim skenik.
Koncerti që mbajti ritmin hiç më pak se dy orë, kulmoi atëherë kur në skenë u dëgjuan tingujt e muzikës shqipe.
Simon Mechliński me prejardhje nga Polonia solli këngën “Dashnor t’u bana”. Saktësia në shqiptimin e fjalëve dhe realizimin tonal iu shpërblye me duartrokitje të gjata.
Vetë solisti ka thënë t’i ketë lënë përshtypje muzika shqipe. E në të ardhmen planifikon të thellohet edhe më shumë në të.
“E gjitha nisi në Poloni në vendlindjen time, sepse ne ishim duke folur me Ramën i cili erdhi për ‘La Bohem” të Puccinit. Ai është një këngëtar i mrekullueshëm. Më tregoi për këtë festival dhe më ftoi këtu. Biseduam edhe për muzikën shqipe dhe ai ma nisi këtë këngë të mrekullueshme, ‘Dashnor t’u bana’, dhe vendosa ta mësoj dhe ta këndoj këtu. Është me të vërtetë e bukur”, ka thënë ai. Por njohja e tij me muzikën shqipe nuk përfundon me kaq.
“Çka është interesante që Rama më nisi edhe arie të tjera operistike të kompozitorëve shqiptarë që nuk po ua kujtoj emrat tani e të cilat ishin shumë të bukura dhe po mendoj të thellohem edhe më shumë në to në të ardhmen”, ka thënë ai.

Teksa ka folur për kohën që i ka rënë ta kalojë në Kosovë, Mechliński ka thënë që më së shumti përshtypje i ka lënë ushqimi. Ka qenë i mërzitur me faktin që nuk do të mund të qëndrojë më gjatë.
“Është hera ime e parë këtu por më pëlqen shumë ky vend. Ushqimi! Ohh Zot! Kur më shikon mua e kupton që unë e dua ushqimin. Kështu që, ushqimi është i mrekullueshëm. Kualiteti i produkteve, i perimeve, i mishit. Mishi shijon mbi të gjitha, është kualiteti më i mirë që keni këtu. Fatkeqësisht, më duhet të kthehem qysh nesër por herën tjetër kur të vij, do të jetë për pushime”, ka thënë ai.
I lumtur me realizimin e këtij koncerti ka qenë edhe solisti me prejardhje turke Mert Süngü. Ka lavdëruar edhe Ardita Bufajn, që i ka shoqëruar në piano.
“Unë jam turk kështu që u ndjeva si në shtëpinë time këtu. E njoh Leonorën. Kemi kënduar së bashku më parë në Itali. Por, është hera e parë me Simonin dhe ai ishte i mrekullueshëm, shumë bashkëpunues dhe kishte një zë të mahnitshëm. Patëm vetëm një provë dhe shkoi shumë mirë dhe Ardita ishte fantastike. Ajo luan si një orkestër, është një pianiste moderne”, ka thënë ai.
Edhe Süngü ka veçuar ushqimin, por Kosova i duket e njohur, ani pse e viziton sefte.
“Kjo është hera ime e parë në Kosovë. Por është një vend i njohur për mua. Kur shkon, ndoshta jo në Stamboll, por në qytetet e tjera me të vërtetë ngjajnë me Kosovën. Dhe ushqimi, është shumë i rëndësishëm për një tenor. Kështu që unë hëngra mirë. Njerëzit janë përherë të buzëqeshur, shkova në një muze dhe gjithçka ishte shumë e mirë”, ka thënë ai.
Sopranoja nga Spanja, Leonor Bonilla, është emocionuar nga pritja që ia ka bërë edhe publiku.
“Është hera ime e parë këtu kështu që unë jam shumë, shumë e emocionuar. Edhe pse është kohë e shkurtër, sepse më duhet të kthehem prapë në Sevila unë jam shumë e lumtur të jem këtu”, është shprehur Bonilla.
Pianistja shqiptare ka thënë të jetë ndjerë e nderuar për mundësinë për të marrë pjesë në këtë festival. Ka vlerësuar lart bashkëpunimin me tre artistë të skenave botërore.
“Është ftesa e tenorit të mirënjohur Ramë Lahaj, i cili është edhe ideatori i festivalit. Më ftoi të bëhem pjesë në këtë mbrëmje kaq emocionuese, kaq të bukur. Ne sapo kemi përfunduar performancën. Së bashku në skenë isha me tre artistë, këngëtarë të suksesshëm lirikë që këndojnë në teatrot më të rëndësishme në Evropë. Shpresoj shumë që me këtë repertor të larmishëm të kompozitorëve më të njohur t’i kemi dhuruar sa më shumë emocione publikut”, ka thënë ajo.
Festivali i ka lënë përshtypje të mira edhe Era Hysës, e cila kishte ardhur së bashku me nënën e saj. Koncertin e ka krahasuar me një shfaqje operistike.
“Gjithçka ishte shumë mirë. Përpos që këngët ishin shumë të bukura, ishte në fakt një shfaqje e tërë aktrimi. Gjithçka ka shkuar super dhe me të vërtetë më ka pëlqyer shumë”, ka thënë ajo
Në kuadër të festivalit, të shtunën mbrëma vjen koncerti i “Gjeneratës së re”, përderisa do të përmbyllet të hënën me koncertin dedikuar ikonës, Nexhmije Pagarusha.